Categories Sport

Liga e Kombeve/ Shqipëria, tre suksese në 90 minuta: Vendi i parë në grup, Liga B dhe 1.5 miliardë lekë!

Shqipëria e Edy Reja, i mbyll me sukses të trefishtë eliminatoret e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve: vendi i parë në grup, ngjitja në Ligën B për sezonin e ardhshëm dhe përfitimi i bonusit prej 1.5 miliardë lekë nga UEFA. Kuqezinjtë fituan 3-2 me Bjellorusinë në “Air Albania”, duke u renditur përfundimisht të parët në Grupin 4 të Ligës C me 11 pikë (një pikë më shumë se Bjellorusia). Objektiv i arritur nga Kombëtarja, por edhe trajneri italian Edy Reja. Një udhëtim që nisi me fitoren 0-2 ndaj Bjellorusisë në Minsk dhe përfundoi pas gjashtë takimesh, po me fitoren 3-2 ndaj Bjellorusisë në Tiranë.

PJESA E PARË I kushtëzuar nga pezullimi i Abrashit dhe infektimi me koronavirus i Hysajt, Reja në rreshtimin 3-5-2 befasoi me Dokën dhe Memollën në krahët e mesfushës, ndërsa Laçi u preferua krah Memushajt dhe Gjasulës në qendër, me Uzunin në stol. Shqipëria e nisi ashtu siç duhej ndeshjen, me Cikalleshin që shkarkoi të majtën pas pasimit të Manajt, por mbi tra. Në të 14-tën kërkon të befasojë Manaj thuajse në vijë e 16 metrave, por topi përfundon jashtë, i devijuar nga Cikalleshi.

1-0: Aksion fantastik i kuqezinjve, pa u mbushur 20 minuta lojë, në krahun e majtë me Memushajn dhe Memollën që kombinuan në perfeksion mes tyre, me mesfushorin kavajas që kroson saktë për Cikalleshin, i cili bën detyrën me kokë, me topin që përfundon në rrjetë, 1-0.

2-0: Vijon momenti pozitiv i kuqezinjve dhe në minutën e 26-të Manaj fitoi nje 11-metërsh, pas ndërhyrjes së gabuar të portierit. Nga pika e bardhë nuk gabon Cikalleshi, që siglon të dytin personal në këtë sfidë, 2-0.

2-1:Gabim i pakuptueshëm i Ismajlit në të 35-tën në mbulimin një për një ndaj Skavysh, me sulmuesin bjellorus që e shmang kuqeziun me një lëvizje të zgjuar dhe përballë Berishës shënon pa vështirësi golin e 2-1. Një gol i dhuruar nga kuqezinjtë, në një moment kur duhej ruajtur qetësia. G

3-1: Gjithsesi Shqipëria e mbyll me një tjetër gol pjesën e parë (3-1), i shënuar në njëfarë mënyrë me dhunë nga Rey Manaj, pas krosimit të Laçit. Duhet pranuar që sulmuesi kuqezi pati fat, teksa këmbëngulja e Gjasulës ia nxori topin në pozicion ideal për të shënuar.

PJESA E DYTË Asnjë ndryshim në skuadrën tonë me fillimin e pjesës së dytë, me kuqezinjtë që mendojnë më shumë për të administruar epërsinë, për të ardhur me pas te minuta e 65-të, me Balajn që merr vendin e Cikalleshit, ndërsa Selahi zëvendëson Memushajn. Në të 70-ën, Reja aktivizon edhe Uzunin në vend të Manajt, duke i dhënë më shumë freski sulmit. I pafat Qazim Laçi në të 72-tën, gjuajtja e të cilit nga distanca shkoi ngjitur me shtyllën, ndërsa portieri Khatkevich i mohon golin Bekim Balajt në të 78-ën, pas një këndoreje të kuqezinjve.

3-2:Rihap ndeshjen Bjellorusia në minutën e 80-të, pas një pakujdesie në qendrën e mbrojtjes. Ebong u gjend papritur përballë Berishës, duke shënuar golin e dytë për miqtë. Drithërima në portën e kuqezinjve në minutën e 84-t, fatmirësisht goditja me kokë e kundërshtarit shkon mbi tra. Shqipëria ia del mes stresit të mos pësojë një tjetër gol, duke festuar në fund ngjitjen në krye të grupit dhe katapultimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. Një sukses i merituar i kuqezinjve! /TPZ.al/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Sport

Turqia mundet nga Paraguaji dhe eliminohet nga Botërori

Turqit treguan dominim total ndaj Paraguait që luajti me 10 lojtarë, por edhe këtë herë…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Vasil Ruçi nuk është thjesht një emër në historinë e futbollit vlonjat

Vasil Ruçi nuk është thjesht një emër në historinë e futbollit vlonjat. Ai është një…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Rey Manaj përfshihet në aksident, ku ka rezultuar vetëm dëme materiale

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i skuadrës së Sivasspor-it, Rey Manaj, është përfshirë në një…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Flamurtari i Athinës, një histori vëllazërie përtej kufijve

Pothuajse në të gjitha shtetet e Europës, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Nesër ndeshja Shqipëri-Angli, policia publikon masat e sigurisë

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri –…

LEXO ME SHUME