Categories Lajme

‘Lojërat e fatit’/ Rrumbullaku: Kontrolle blic në mbi 1 mijë lokale, arrestohen 116 persona

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka folur në lidhje me aksionin e policisë kundër lojërave të fatit.

Në një deklaratë për mediat, Rrumbullaku u shpreh se janë goditur 181 raste në të gjithë vendi, ku janë arrestuar në flagrancë 116 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 89 të tjerë.

Ai po ashtu shton se gjatë këtij megaoperacioni janë sekuestruar, 4 tavolina për lojën Poker, me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njësi

Deklarata: 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, konferencë për shtyp mbi rezultatet e megaoperacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Përshëndetje,

Policia e Shtetit, kohët e fundit, ka intensifikuar punën për goditjen e fenomeneve kriminale me impakt të lartë publik.

Në vijim të megaoperacioneve, bazuar në inteligjencën policore dhe në denoncimet e qytetarëve, Policia e Shtetit hartoi një plan të detajuar masash, për goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, si dhe të rasteve të përshtatjes së lokaleve për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Në zbatim të planit operacional për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, në të gjithë vendin, ka vijuar megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Faza e parë u zhvillua nga data 25 nëntor deri më datë 30 nëntor, ndërsa faza e dytë u zhvillua nga data 1 dhjetor deri në mbrëmjen e datës 6 dhjetor.

Gjatë 2 fazave të këtij operacioni, u kontrolluan 1078 lokale dhe ambiente të tjera, në të cilat dyshohej se organizoheshin lojëra fati, nga të cilat në 253 u konstatuan paligjshmëri në këtë fushë, dhe gjithashtu u kontrolluan 1895 shtetas.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, u evidentuan dhe u goditën 181 raste, për të cilat u proceduan penalisht 210 shtetas, nga të cilët: 116 shtetas u arrestuan në flagrancë, 89 shtetas u proceduan në gjendje të lirë, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë. Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar 102 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 68 të tjerë.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan: 4 tavolina për lojën Poker, me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njësi kompjuterike, zara, 174 000 lekë, 20 434 euro dhe 11 360 paund që i shërbenin lojërave të fatit, si dhe sasi cannabisi, municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 automjet.

Në bashkëpunim me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale, dhe të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Megaoperacionet dhe operacionet e njëpasnjëshme, të zhvilluara së fundi, nga Policia e Shtetit, si rezultat i të cilave janë sekuestruar qindra armë zjarri, lëndë narkotike (heroinë, kokainë, cannabis dhe droga sintetike) dhe municion luftarak, si dhe janë goditur tentativa për trafikim të drogave dhe armëve dhe raste të kontrabandës së mallrave, përballimi me sukses i sezonit turistik, goditja intensive ndaj kultivimit të cannabis sativës, Paketa për Sigurinë në Shkolla, plani operacional “Filizat”, për kontrolle në kopshte dhe çerdhe, kanë rritur më shumë parametrat e sigurisë në vend dhe kanë përmirësuar imazhin e Policisë, te qytetarët dhe te partnerët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, përzgjedhja e Policisë së Shtetit, në garën me 64 agjenci të tjera policore ndërkombëtare, si partneri më i mirë ndërkombëtar i homologëve britanikë, nderimi me titullin “Ekselenca 2023”, çmimet dhe vlerësimet e tjera të shumta për Policinë e Shtetit, nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë rritjen e profesionalizmit, angazhimit dhe përkushtimit të Policisë së Shtetit, por mbi të gjitha, dëshmojnë se Policia e Shtetit është tashmë një partnere e besueshme dhe e barabartë me policitë e vendeve euroatlantike.

Të nderuar qytetarë, së pari, në emër të Policisë së Shtetit, dua t’ju shpreh mirënjohje për mbështetjen dhe besimin tuaj, gjatë përmbushjes së detyrave tona në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe për goditjen e paligjshmërive, në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Njëkohësisht, dua t’ju garantoj se Policia e Shtetit është e vendosur për të çuar më tej procesin e vetëpastrimit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, me qëllim krijimin e një trupe policore me integritet të lartë moral dhe profesional, e cila do të sjellë rritje të besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit dhe rrjedhimisht rezultate më të mira për parandalimin dhe goditjen e krimit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, në funksion të goditjes së krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Së fundi, gjej rastin të falënderoj prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për bashkëpunimin e shkëlqyer në luftën ndaj krimit. Faleminderit!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

“Preka fundin…”/ Ish-banorja e BBV 5 rrëfen momentin e vështirë të jetës: Një mjekim i gabuar i djalit bëri që…

Ish-banorja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”, Egi Gjyzeli, ka qenë së…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Humbi jetën në aksident bashkë me të atin, pedagogu publikon provimin e fundit të studentes së mjekësisë

Mjeku dhe pedagogu Admir Sinamati ka ndarë një reagim prekës për studenten e Fakultetit të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dërgonin pacientët e onkologjikut në klinika private, Prokuroria dërgon në gjyq zv.drejtoreshën e QSUT dhe mjekët

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimin për mjekët e spitalit Onkologjik dhe zyrtarëve të QSUT. Ata…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Aksident në aksin Tepelenë-Krahës, përplasen dy makina, 8 të plagosur

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e së mërkurës në aksin Tepelenë-Krahës, pranë fshatit Iliras,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Aksident në bypass-in Orikum -Vlorë, makina merr para tufën e bagëtive, plagoset çobani

Një aksident ka ndodhur mbrëm në aksin rrugor ByPass në drejtim Orikum–Vlorë. Një mjet tip…

LEXO ME SHUME