Bashkia Mat vazhdon punën për përgatitjen e institucioneve arsimore, shkollave, çerdheve dhe kopshteve për vitin e ri shkollor. Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj, tha për ATSH se punonjësit e bashkisë vazhdojnë me intensitet të lartë punën për përgatitjen e shkollave në të gjithë territorin e Matit për vënien ne dispozicion të ambienteve shkollore për fëmijët. Malaj shtoi se “puna e bashkisë ka vijuar lyerjen, sistemimin e ambienteve të jashtme dhe të brendshme të shkollave për të qenë gati në ditën e nisjes së viti shkollor”.
“Shkollat, kopshtet, çerdhet e të gjithë Bashkisë Mat, janë gati të presin fëmijët në ditën e nisjes së shkollës, me të gjitha kushtet dhe duke respektuar të gjitha protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me COVID-19″, tha ai. Ai shton se “ditët e fundit të muajt gusht për punonjësit e bashkisë kanë qenë prioriteti kryesor për të ndërhyrë në riparimin e të gjithë nyjeve sanitare, rrjetit elektrik dhe lyerjen e tyre që në ditën e hapjes së shkollave ne t’u përgjigjemi fëmijëve tanë për rihapjen e shkollave me kushte sa më të mira”. Malaj tha se ajo që vlen të theksojmë është se i kthyem gjenezën e kulturës dhe artit për fëmijët pas 30 vitesh. “Qendra e Kulturës së Fëmijëve u zgjidh pas 30 vitesh. Pra do ia kthejmë gjenezën e kulturës Matit me ambiente moderne, amfiteatrin natyror, dhe kushte moderne për zhvillimin e artit dhe kulturës në Mat që janë me bollëk”, tha ai.




