Kryeministri Edi Rama ishte sot në Farkë, ku u mbollën 1 mijë fidanë pemë në ditën e “Frymëmarrjes për të ardhmen”, iniciuar nga qeveria e Turqisë në shumë vende të botës, nën kujdesin e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ambasadori turk, Murat Ahmet Yoruk dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen mirënjohjen për këtë iniciativë. “Ky është edicioni i dytë i një festivali ndërkombëtar organizuar nën kujdesin e Presidentit Erdogan. Në edicionin e parë, në shumë vende të botës në të njëjtën orë janë mbjellë 11 milionë pemë, çka ka hyrë edhe në librin e rekordeve Guinness. Sot në Tiranë jemi së bashku në të njëjtën orë me një numër të konsiderueshëm vendesh të tjera për të mbjellë këtu në liqenin e Farkës 1 mijë pemë, në një proces ku Tirana ka qenë në vijën e parë, me një ndërprerje të vogël gjatë dy fazave kur unë isha kryetar bashkie dhe që kur Erioni ka rimarrë bashkinë në funksion të shumicës”, tha Rama.
Rama tha se ende vazhdon ky proces. “Jam shumë krenar që sot ne shohim frutet e prekshme të moratoriumit të vendosur disa vite më parë që ka ndaluar prerjen e pyjeve dhe gjuetinë. Faktikisht kemi një ripërtëritje të vazhdueshme të mushkërive të vendit dhe të faunës së vendit, çka mund të shihet në mënyrën më spektakolare në parkun kombëtar të Divjakës, ku tanimë kemi një destinacion ndërkombëtar për ata që janë të apasionuar pas specieve të ndryshme”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se “jemi sot në një kantier të madh pranë Tiranës, në Porto Romano ku një plagë e madhe mjedisore, një gangrenë prej shumë e shumë dekadash për shkak të grumbullimit të plehrave pa asnjë trajtim po e kthejmë në një eko park që do të hapet pranverën e ardhshme për publikun dhe do të jetë një shëmbëlltyre e ambicies tonë për Shqipërinë e gjeneratave të tjera. Një Shqipëri me përmasë të gjelbër jo vetëm të ripërtërirë por edhe të zgjeruar”, shtoi ai.
Kryeministri informoi se “në muajin dhjetor, ministria jonë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me ministrinë homologe në Republikën e Turqisë do të ulen së bashku për të diskutuar një plan të përbashkët ku ndër dimensionet e tjera është edhe dimensioni i gjelbër”. “Do të diskutohet lidhur me pyjet për të cilat Turqia është një nga shembujt më domethënës sot në botë dhe ka një ekspertizë të jashtëzakonshme që bujarisht do të na e përcjell edhe ne”.
Veliaj theksoi se mbjellja e këtyre pemëve të reja është paja më e mirë që i lihet gjeneratës së ardhshme. “Ne vijmë nga një eksperiencë që kryeministri ka përmendur shpesh, eksperienca e viteve ’90, ku i shpallëm luftë natyrës, ku premë çdo pemë, ku ndotëm lumenj, duke filluar nga Lana në Tiranë, apo tek lumenjtë e mëdhenj të Shqipërisë, ku ndërtuam pa kriter. Besoj se jemi sot në një fazë ku edhe prej pandemisë kemi reflektuar për të bërë një paqe me natyrën. Dhe ndaj gjithë kjo eksperiencë e mbjelljes së pemëve, që filloi me Edi Ramën kryetar Bashkie ne vitet 2000-2011, mori një pauze 4-vjeçare, pastaj rikuperoi prapë, dhe fakti që sot po i rikthejmë Tiranës një pajë e cila në bashkëpunim me komunitetet e zonës, në bashkëpunim me njësitë administrative, duke shfrytëzuar asetet që kemi siç janë këto liqene dhe këto lumenj, do jenë ndoshta një pajë dhe për gjeneratat e ardhshme”, deklaroi Veliaj.
Ambasadori turk Murat Ahmet Yoruk bëri të ditur se kësaj nisme i janë bashkuar tashmë rreth 30 shtete. “Dua t’ju falënderoj për pranimin e ftesës tonë e cila i është kushtuar një vëmendje të veçantë programit që vazhdon të jetë nën vëzhgimin e Erdogan. Ky projekt është një projekt që është filluar nëpërmjet iniciativës kryesore të Erdogan vitin e kaluar dhe tashmë siç po e shikojmë në këtë manifestim e cila përhapet dalëngadalë në të gjitha vendet e rajonit. Po zbatohet në 30 shtete të botës”, deklaroi ambasadori turk në vendin tonë”, tha ambasadori.
Parku i Farkës nga një tokë djerrë dhe vendgrumbullim plehrash deri 5 vite më parë, është transformuar nga Bashkia e Tiranës në një destinacion të preferuar të kryeqytetasve për të kaluar orët e lira.
