Categories Lajme

“Mësimi online, sfida e madhe në prag pensioni”/ Mësuese Afërdita: Ia dolëm të përcillnim njohuri dhe dashuri tek nxënësit

Afërdita Avdiko, mësuese e Gjuhës Shqipe në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në kryeqytet beson se situata e vështirë e krijuar prej COVID-19 ishte një sfidë për të gjithë mësuesit por që u kalua me sukses.

Në një rrëfim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, mësuese Avdiko tha se fillimi i mësimit online ishte i vështirë, veçanërisht për një brez mësuesish të cilëve nuk i është dashur të përdorin teknologjinë në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht se kanë pasur njohuri për të. Sipas saj, mësuesit janë gjithmonë në vijë të parë të çdo situate, sepse edukojnë brezat e rinj që do të ndërtojnë shoqërinë e zhvilluar.

“Unë jap mësim në dy klasa të shtata dhe dy klasa të teta. Në fillim ishte më e vështirë sepse nuk ia kishim marrë dorën mësimit online. Kështu që vendosëm ta fillonim mësimin që në orën 8 sikurse zhvillonim mësimin si zakonisht. Më pas, duke i mirëkuptuar nxënësit, e nisnim mësimin në orën 9. Që në fillim u bazuam në orarin që kishim në shkollë. Ne kemi zbatuar orarin që kemi pasur në shkollë me shumë përpikmëri. E bukura e kësaj puna ishte se që në fillim i gjithë stafi i mësuesve punoi mbi bazën e këtij orari dhe fatmirësisht kjo formë rezultoi shumë e mirë. Mund të them që është një formë e gjetur. Është sfidë e madhe për mua sepse jam në prag pensioni. Për 4 vjet dal në pension. Kam përshtypjen që koleget e mia më të reja e kanë pasur shumë më të lehtë. Nxënësve u japim mundësi të punojnë edhe në orare të tjera. Pra, nuk do të thotë që mbylla orarin zyrtar sikurse të isha fizikisht në shkollë edhe e mbyll aty punën. Përkundrazi, ka pasur raste që edhe në 11 të natës kam korrigjuar detyra”, u shpreh ajo.

Mësuesja u shpreh se në këtë situatë, i është dashur t’i kuptojë nxënësit më shumë sesa zakonisht. “Mund të them me shumë bindje se me nxënësit është punuar dhe është punuar mirë. Vështirësitë e fillimit u kaluan, por punohet dhe ndonjëherë jo me orare të përshtatshme por kemi dashur t’iu japim mundësi nxënësve më shumë hapësirë pasi kjo ishte një situatë e re për të gjithë ne, për nxënësit veçanërisht të cilëve na u desh t’i kuptonim akoma më shumë që të mund të ndjeheshin më mirë”, rrëfen mësuese Afërdita.

Mësuese Avdiko tregon se kujdeset edhe për klasën e saj kujdestare sikurse të ishte prezente në shkollë.

“U gjendem pranë nxënësve edhe si mësuese kujdestare e një klase të tetë. Dëgjoj çdo shqetësimin të tyrin. Më pëlqen shumë edhe kur dëgjoj përshëndetjet e tyre. Edhe në këtë kohë kaq shumë të vështirë kemi gjetur mënyrën për të dhënë jo vetëm dije por edhe shumë dashuri atyre. Kur ishim në shkollë kishim marrëdhënie shumë të mirë jo vetëm me nxënësit por edhe me prindërit. Këtë gjë e kemi vazhduar edhe në këtë situatë. Na pyesin shpesh prindërit sesi i kemi vlerësuar fëmijët e tyre. Ne kemi komunikim të vazhdueshëm me ta”, tregoi ajo.

“Kam një shprehje që u them fëmijëve të mi, pra nxënësve sepse të tillë janë për mua: si ju kam trimat e mi, mirëmëngjes. Afrimiteti me ta, më bën që të ndjehem akoma më mirë. Dua të ndjehem një mësuese e denjë por edhe një prind, një shoqe apo shok me ta. Ata kanë nevojë për ne, në të gjithë këtë ngarkesë psikologjike që kanë këto kohë”, tha mësuese Afërdita.

Mësuese Afërdita rrëfen se gjatë këtyre 34 viteve e përkushtuar në dhënien e dijes, asnjëherë nuk e kishte menduar se do të kalonte nëpër një situatë të tillë. Ajo përlotet teksa flet për nxënësit.

“Më ka marrë malli vërtet për ta. Asnjëherë nuk e kam menduar edhe pse vazhdimisht kualifikohemi me forma të reja teknologjike. Kishim dëgjuar për një mësim të tillë, nuk na e kishte pritur mendja se do të zhvillonim mësim në këto kushte. Njeriu i ndodhur në kushte të jashtëzakonshme, përshtatet. Mendoj që ia kemi dale me sukses. Është ndryshe nga mësimi ne shkollë sigurisht por kemi bërë maksimumin që t’ua transmetojmë dijen nxënësve në mënyrën më të lehtë për ta. Të qenit përballë me nxënësit është krejt gjë tjetër por kjo është një sfidë dhe ia kemi dalë mbanë”, tha ajo.

Krahas të qënurit mësuese në shkollë, ajo është mësuese edhe për mbesën e saj në 9-vjeçare e cila jeton në Lezhë. Sipas saj, nuk ka asnjë dallim mes të dhënit dije për nxënësit dhe mbesës së saj.

“Mbesën e kam në nëntëvjeçare dhe jeton në Lezhë. Shpeshherë më është dashur ta ndihmoj. Nuk di të them nëse ka ndryshim mes ndihmës që i jap saj apo nxënësve të mirë sepse në mes është gjithmonë dashuria për dijen dhe për t’i edukuar ata me dëshirën për të dhënë më të mirën e tyre, për një shoqëri të cilët ata vetë do ta ndërtojnë. Nuk mund të vë në peshore ndjesitë apo mënyrën e ndihmës, sepse është po e njëjta si për mbesën ashtu edhe për nxënësit e mi, sepse edhe ata i kam fëmijët e mi”, shprehet mësuese Afërdita.

“Lodhje ka pasur gjatë gjithë kësaj kohe por më gëzon fakti që ia dolëm. Ajo çka më gëzon më shumë është që e nis ditën me urimin e mirë dhe e mbyll me faleminderit për bashkëpunimin. Sfidat sado të vështira të jenë, kalohen nëse ka dëshirë të mirë dhe bashkëpunim”, tregon mësuesja.

Mësuesja tregon e entuziazmuar që po pret me padurim 1 qershorin, ditën kur do të rikthehet fizikisht në shkollë.

“Mezi po pres në datën 1 qershor të shkoj në shkollë. Më ka marrë malli për punën time, flas për pjesën e prezencës fizike në godinën e shkollës. Ne jemi edhe pak brez nostalgjik. Megjithëse ne kemi bërë të njëjtin orar me atë që kemi pasur në shkollë, ndjejmë mungesën e ziles që bie çdo 45 minuta. Ora ka qenë një zile për mua, njësoj sikur të isha në shkollë. Do të mbetet një eksperiencë dhe uroj të mos kemi nevojë ta përdorim më në këtë formë”, shprehet ajo.

Mbështetja morale dhe psikologjike ka qenë më e madhe akoma, dhënë gjatë ditëve të vështira. Sipas mësuese Afërditës, një gjetje e vogël ishte me rëndësi në situatën e ngarkesës psikologjike.

“Krahas dhënies së njohurive ne kemi pasur parasysh veçanërisht kujdes shëndetin mendor të nxënësve. Që javën e parë e pashë të arsyeshme të bëja diçka. Pasi mbaronim mësimin, postoja në 4 grupet që kishim krijuar online me këta të shkollës, një video ku lexoja nga një përrallë nga libri im i fundit që titullohet “Piktori i vogël i mrekullive’. Ajo që ishte më interesante lidhej me faktin se kishte disa përralla nga libri im që tregonin për mënyrën sesi fëmijët duhet të kalojnë situata të vështira. Kur dëgjoja që nxënësit i pëlqenin, por edhe mësuesit e tjerë i shpërndanin në grupet e tyre me nxënësit, feedback-u ishte pozitiv. Kjo i ka ndihmuar shumë për t’u çlodhur nga ana psikologjike”, tha ajo. Mësuesja tregon se edhe pse në distancë, ka realizuar së bashku me nxënësit projekte të ndryshme si dita botërore e librit apo dita e dëshmorëve. z.tosku/j.p/ATSH

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Vasili për anëtarët socialistë të Komisionit Hetimor për PPP në Shëndetësi: Karagjozë dhe halabakë

Anëtari i Komisionit Hetimor për kontratat koncensionare në shëndetësi, Petrit Vasili, në konferencë për media…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Apeli i Posaçëm rrëzon kërkesën e Jorgo Goros

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Veliaj në SPAK, ironia e Korreshit: Erdhi koha që të gjithë të shkojnë në ‘dhomën e rrëfimit’

Deputeti Saimir Korreshi ka komentuar thirrjen e kreut të Bashkisë së Tiranës në SPAK dhe…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

“Jam me Mamicën dhe Vrana Kontin”, çfarë paralajmëron Rama nga ‘Ballkoni i Perëndisë’

Mesdita e kësaj të marte, kryeministrin Edi Rama e gjeti në “Bunin e Bajraktarëve” në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Apeli i Posaçëm rrëzon kërkesën e Jorgo Goros

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”…

LEXO ME SHUME