Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, e ka pranuar se ai do të preferonte të hynte në lojë nga banka rezervë më shumë sesa ta niste një ndeshje nga fillimi e pastaj të zëvendësohej.
32-vjeçari Lionel Messi, i cili i ka grumbulluar pesë Topa të Artë në mesin e trofeve individuale, beson se duke luajtur në minutat e fundit të ndeshjeve, ai ka më shumë mundësi t’i rrezikojë kundërshtarët, të cilët janë të lodhur në atë fazë, transmeton Gazeta Express. Sulmuesi argjentinas është bërë i njohur si njëri ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohëve për shkak të karrierës së tij të jashtëzakonshme me Barcelonës, për të cilët ka arritur t’i shënojë 606 gola në 694 ndeshje.
Edhe pse argjentinasi më herët e kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer ën vendlindje dhe për të luajtur për Newell’s Old Boys, ai tani ia ka dërguar një mesazh trajnerëve të ardhshëm të Barcelonës se si ta menaxhojnë kohën e tij në ndeshje. “Nuk më pëlqen kur më zëvendësojnë. Preferoj të hyj në lojë nga stoli dhe të luaj më pak minuta, por jo të zëvendësohem”, ka thënë Messi për TyC Sports.
“Mendoj kështu sepse shumë ndeshje zhbllokohen në fund sepse gjen më shumë hapësirë pasi që kundërshtarët lodhen më shumë. Unë preferoj të hyjë në lojë dhe ta shijoj ndeshjen, dhe jo të zëvendësohem dhe ta humb pjesën më të mirë të ndeshjeve”. Messi i ka humbur pesë nga ndeshjet e Barcelonës në La Liga këtë sezon për shkak të problemeve me lëndime.