Pak ditë më parë, ai do të hapte “kutinë e Pandorës”. Jo se nuk e priste, por nuk e mendonte se do të kishte pasur kaq shumë njerëz kundër. Mit’hat Havari ka marrë në duar dosjen e ndjekjes së tij nga ish-Sigurimi i Shtetit. Një dosje prej 215 faqesh me data, pseudonime, emra… Shumë syresh i ka identifikuar.
Janë njerëz që i ka pasur shumë pranë, me të cilët ka punuar dhe sot nuk e kupton se çfarë të keqe u kishte bërë. Ai nuk e mohon se ka folur kundër regjimit, një qëndrim, për të cilin është krenar, por ende i është i paqartë zelli i treguar nga aq shumë njerëz, të gatshëm për të shkatërruar jetën e tjetrit, për ca favore të vogla. Mit’hat Havari tregon me emra kush ishin ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, që e ndiqnin prej vitit 1982 dhe në vitin 1990 e futën në qeli.
MIT’HAT HAVARI UNË, SIGURIMI I SHTETIT DHE DOSJA 4171Që në periudhën e diktaturës komuniste isha kurioz të dija për misterin “dosje” të Sigurimit të Shtetit, a ekzistonte vallë, çfarë kishin shkruar brenda asaj dosjeje sekrete operativët e Sigurimit të Shtetit? Sa ishte shkalla e armiqësisë sime ndaj pushtetit komunist, a ishin vërtet fjalët që unë kisha agjituar kundër pushtetit të tyre, apo në vend të propagandës, që realisht unë kisha bërë, bashkëpunëtorët e Sigurimit me shefat e tyre më kishin ngarkuar me gjëra të tmerrshme, që unë kurrë nuk i kisha menduar?!
Të gjithë këto lloje arsyetimesh zienin në kokën time, por nuk u jepja dot përgjigje, nuk kisha si ta bëja këtë gjë, nuk isha “Nostradamus”. Por erdhi koha e ndryshimeve të mëdha në vitet ’90, që pa dyshim ishte edhe kontributi im modest në shembjen e atij përbindëshi 46-vjeçar, i cili shtypi në mënyrë të pamëshirshme një popull të pafajshëm.
Ironia e fatit e solli qe unë, Mit’hat Havari, ish-kundërshtari i tyre politik, të pozicionohesha në detyrën më të rëndësishme, atë të kryetarit të Degës së Rendit publik, që pak muaj më parë quhej “Dega e Brendshme” dhe ishin ata në atë godinë të “tmerrshme”. Që ditën e parë të punës, unë u interesova për dosjen “misterioze”, por për fatin tim të mirë, apo të keq, quheni si të doni, nuk mund ta shihja, për arsye se Ministria e Brendshme ishte ndarë ligjërisht me ish-Sigurimin, tashmë kishte emër tjetër, Shërbimi Informativ Kombëtar “SHIK”.
Në sistemin e ri demokratik, kryetar i SHIK në Elbasan, ishte emëruar ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit, Xhavit Shala, të cilin e njihja shumë mirë. Ky pinjoll i Sigurimit të Shtetit ishte mjaft i rrezikshëm në kohën e regjimit diktatorial, kushedi sa “armiq” kishte përpunuar me dosje, por dhe ne demonstratën antikomuniste të 14 dhjetorit 1990, që u zhvillua në Elbasan, ky sigurims ishte mjaft aktiv, shumë “vigjilent” në zbulimin e elementit armiqësor, që kërkonin të rrëzonin pushtetin komunist, spikaste me atë kostumin ngjyrë jeshile, që i kishin standard në prerje, për t’u dalluar nga populli i thjesht.
Por s’ke ç’t’i bësh, demokracia në Shqipëri erdhi me “by..ë”, e jo siç duhej. Kujt ia merrte mendja që në krye të këtij institucioni me histori famëkeqe e që tani quhej Shërbimi Informativ Kombëtar-”SHIK”, drejtues i tij të emërohej një ish-operativ sigurimi? Por si i thonë spanjollët asaj fjalës çuditëse “O tempora o mores”, “O kohë o zakone”, dhe unë isha i detyruar “t’i thosha derrit-dajë”, pra duhej të bashkëpunoja me “armikun” tim për të ndërtuar demokracinë.
I etur për të mësuar rreth brendisë së “dosjes së “përpunimi” të Sigurimit, e pyeta një ditë Xhavitin se ç’dinte për dosjen time, a mund ta shihja atë fizikisht? Ai m’u përgjigj se nuk ia vlente ta shihja, do befasohesha nga emra që “ti i konsideroje miq, ndërsa ata të kanë denoncuar në organet tona”. “Po nuk ka problem, vazhdova unë, kjo gjë nuk do më pengojë të bëj punën, as më shkon mendja për hakmarrje, thjesht të kem njohuri se çfarë shkruhej brenda saj”. Por “ujku” i vjetër me një ngërdheshje të fytyrës më la të kuptoja se aty kishte gjëra, që unë s’do i kapërdija, nuk e kuptova se ç’do të thoshte me këtë Xhaviti, por qartë dukej dashakeqësia e tij, s’e përtypte dot faktin që unë isha kryetar i Degës së Rendit Publik në Elbasan dhe normale unë nuk kisha se ç’prisja nga kundërshtari im gjenetik; llogoret tona ishin të ndara përjetësisht. Pas kësaj, e fjeta mendjen se atë dosje nuk do ta shihja kurrë më.
Fillova të punoja me devocion për hedhjen e themeleve të shtetit demokratik, kjo ishte detyra ime e nuk kisha përse të qahesha, kush tjetër duhej ta bënte më shumë se unë, që aq shumë vrer kisha derdhur kundër pushtetit të Xhavitit më shokë?! Gjatë punës sime në atë degë, në vitet 1992–1994 gjeta dokumente sekrete të Sigurimit të Shtetit, në të cilat emri im përfshihej në disa raste, gjeta një bllok përgjimesh ku flitej për përgjimin e bisedave të mia, më kishin futur në një rang me Liri Belishovën.
Në njëfarë mënyrë e kuptoja mirë, unë kisha qenë objekt i Sigurimit të Shtetit, isha i rrezikshëm për ta dhe pushtetin e tyre. Pas viteve 2000 do binte në dorën time një dokument sekret i Sigurimit të Shtetit, me anën e të cilit vërtetohej se unë ndiqesha me dosjen e përpunimit të avancuar “2A”. Bëhej fjalë për bashkëpunëtorin “Artilieri”, i cili kishte kontribuar në evidentimin e të dhënave për “armikun” e pushtetit e të socializmit, që bënte agjitacion e propagandë kundër tyre dhe për këto “merita” të tij, ata propozonin ta dërgonin jashtë shtetit për specializim si inxhinier metalurg. Për këtë bashkëpunëtor kam bërë një shkrim te gazeta “Panorama” pak vite më parë.
Është folur shumë për dosjet e Sigurimit, është abuzuar dhe spekuluar nga pseudopolitikanët shqiptarë. Për interesa të ulëta politike kanë akuzuar padrejtësisht njerëz të ndershëm se gjoja kishin qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që në fakt nuk kishin qenë kurrë të tillë. Për fat të keq jam akuzuar edhe unë nga shpifësi me patentë ndërkombëtare, Sali Berisha, në vitin 1998, kur isha drejtor Policie në Shkodër. Ai pat deklaruar se Mit’hat Havari ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit.
Që ato ditë kur goja e përdalë e ish-sekretarit të PPSH e hodhi në treg këtë akuzë të ulët për mua, reagova ashpër, dhëmbë për dhëmbë, siç i thonë fjalës, në “Gazetën Shqiptare” të asaj kohe, duke hedhur poshtë me neveri shpifjen e tij. Sali Berisha për interesa pushteti është gati të shesë fëmijët e tij, familjen e tij, babë e nenë që i kishin bërë kokën, e jo mua që për të isha vetëm një numëror topi, asgjë më shumë se kaq. Po nuk ka qenë vetëm Sali Berisha, kishte edhe ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit që mbillnin dizinformacione se “Mit’hat Havari flet kot, atë nuk e ka ndjekur Sigurimi dhe se këto i sajon vetë për të marrë vëmendje e kredibilitet në opinionin publik etj.
Një nga këta dizinformatorë ishte Përparim Balla (“Papi”) nga fshatrat e Librazhdit, ish-operativ i Sigurimit të Shtetit që mbulonte uzinën e çelikut, ku unë punoja asokohe. Para disa vitesh, “Papi” i tha mikut tim, Xhelal Hudhri, se Mit’hat Havarin nuk e ka ndjekur Sigurimi i Shtetit, ai akuzon kot, pa argumente, pa prova. Por Pap “rrondokopi”, kështu e quaja unë në atë kohë me qesëndi, ky sigurims, ia tha këtë gjë mikut tim, se ishte i sigurt që dosja ime ishte djegur më 10 prill 1991, ditën kur unë lash qelitë e burgut të Elbasanit, në të cilat vuajta padrejtësisht.
Burgosje, që ishte direkt vepër e duarve të strukturave të Sigurimit të Shtetit, me organizatorë Fatmir Bërdullën, Metë Shytin, Përparim Ballën etj. Por edhe për këtë inskenim të tyre, i demaskova keqani, duke i nxjerrë zbuluar në gjyqin ushtarak të montuar keq e që drejtohej nga Artan Gjylbegu, prej Shkodre, duke marrë pafajësinë e plotë brenda regjimit te tyre, me të gjitha të drejtat që buronin nga ajo pafajësi, leket e munguara kokërr më kokërr për katër muaj izolim etj. Me nxitjen e botës së qytetëruar edhe në Shqipëri, sikundër në të gjitha vendet ish-komuniste, u krijua zyra e Autoritetit për informim mbi dokumentet e Sigurimit të Shtetit. Pranë zyrave të këtij autoriteti, çdokush që dëshironte të dinte për të kaluarën e tij, mund të paraqiste një kërkesë zyrtare. Atë bëra edhe unë në fillimkorrikun e këtij viti. Paraqita kërkesën, tek ajo zyrë që ndodhet brenda ambienteve të “Gardës së Republikës”. Për të shpejtuar këtë procedurë, i kërkova ndihmë kryetares së këtij autoriteti znj.
Genta Mara Sula, që për hir të së vërtetës tregoi një predispozicion të madhe për të më ndihmuar bashkë me stafin e saj; dhe unë gjej rastin ta falënderoj shumë këtë zyrtare dinjitoze për punën e shkëlqyer e plot profesionalizëm që po bën. Që ato ditë, zyra në fjalë më vuri në dijeni se dosja e përpunimit në ngarkim të emrit tim ekzistonte dhe së shpejti ajo do të ishte në duart e mia. U emocionova shumë kur mora këtë lajm të rëndësishëm, d.m.th dosja ime nuk ishte djegur, por siç do më thoshte një miku im në listë, ajo figuronte e djegur, por “ke qenë me fat që ka shpëtuar, je nga të paktit njerëz të gjallë, që janë ndjekur nga Sigurimi me dosje dhe mund ta shohin atë”.
Dhe ja: Në datën 21 tetor unë mora një telefonatë nga zyra e autoritetit, me anë të së cilës më njoftuan të shkoja të merrja të dixhitalizuar në një CD, të gjithë materialin e dosjes sime, përfshi dhe procesin gjyqësor që u zhvillua në dhjetorin e 1990. Një zyrtare më afroi te kompjuteri i saj dhe filloi të lëvizte me “maus” materialin që ishte brenda. I pashë ashtu shkarazi, pasi doja ta shihja vetë në shtëpi, në qetësinë time. Zyrtarja, në një moment më tha: e ke bërë “fërtele” udhëheqjen e asaj kohe… “Isha i ndërgjegjshëm për ‘propagandën’ që bëja kundër regjimit, zonjë e nderuar!”. Ajo heshti. Më pas, kërkova ta shihja dosjen fizike dhe shefja u tregua e gatshme. Më në fund, “thesari” ishte në duart e mia. Ishte një dosje e zverdhur nga vitet, zverdhur edhe fletët brenda saj, të shkruara me makinë shkrimi, por kishte edhe shkrim dore të spiunëve të Sigurimit, ata që donin të keqen time, donin të më shihnin brenda mureve të errëta të burgjeve të tmerrshme të komunizmit.
Dosja kishte 215 faqe të shkruara, thuaj një roman. Brenda këtyre faqeve ishte historia e aktivitetit tim armiqësor kundër pushtetit komunist. Aty kishte raporte bashkëpunëtorësh me pseudonime, por dhe legale të shkruara me dorën të lirë. Sigurisht u trondita kur gjeta brenda bashkëpunëtorë sigurimi me pseudonime, të cilët disa munda t’i ç’kodoja, kishte emra që i konsideroja miq dikur, por në fakt ishte e kundërta. Ajo që më gëzoi më shumë ishte fakti që nuk kishte bashkëpunëtorë nga gjaku im, kjo do ishte e tmerrshme pastaj, sikundër u ka ndodhur shumë të tjerëve. Pseudonimet e bashkëpunëtorëve të ndodhur në këtë dosje ishin: “Artilieri”, “Zjarrmetari”, Dielli”, “Gëlqerja”, “Malësori”, “Kalaja”, “Aviatori”, “Çajupi”, kishte dy baza, “Pulti” dhe “Çelësi”, kishte edhe baza të tjera, bazat ishin vende, ku bëhej kontakti mes bashkëpunëtorit dhe objektit që gjurmohet. Dosja me aktivitetin tim armiqësor kundër “Partisë dhe shtetit” ishte hapur ne vitin 1982 deri në fund të vitit 1990, kur unë u arrestova në demonstratën antikomuniste të Elbasanit. Në dosjen time kishin punuar këta punëtorë operativë sigurimi dhe kryetarë degësh të brendshme ndër vite:
Mete Shyti, shef seksioni nga Tragjasi i Vlorës; Përparim Balla, punëtor operativ, që më ka ndjekur për 8 vite rresht; Arqile Ligori, shef seksioni; Luan Gjonça, zv.kryetar i Degës së Brendshme; Gëzim Hila, kryetar i Degës së Brendshme; Enver Zeneli, kryetar i Degës së Brendshme; Qamil Lamaj, zv. kryetar i Degës së Brendshme; Vladimir Haderi, shef seksioni; Gani Zeneli, operativ Sigurimi; Maksim Prifti operativ Sigurimi; Sherif Çeço, shef i Sigurimit të Ushtrisë; Fatmir Berdulla, kryetar i Degës së Brendshme; Nazmi Qerreti, zëvendëskryetar i Degës së Brendshme; Ilirijan Metaj, punëtor operativ; Anesti Naçe, punëtor operativ etj.
Brenda dosjes ishin edhe emrat e dy sekretarëve të parë të Komitetit Partisë së rrethit Elbasan, Pali Miska dhe Xhemal Dymilja, që kanë vendosur të “këshillohesha” nëpërmjet vartësve të tyre Fatmir Selita dhe Alqi Nase, të dy funksionarë të propagandës në Komitetin e Partisë në Elbasan. Dosja prej 2015 faqesh, nga A te ZH përshkruhej vetëm nga agjitacion e propaganda ime e “mprehtë”, sikundër e quanin ekspertët e Sigurimit të Shtetit. Dinamika në dosje ngrihej dhe ulej në varësi të shkallës së rrezikshmërisë së propagandës sime, nga “2A” te “2B” dhe anasjelltas, në fund të viteve ’90 u mbyll me “2A”, pra në kushte arresti. Më të egrit operativë Sigurimi, që punonin kundër meje, ishin dy: Përparim Balla dhe Mete Shyti.
Nga bashkëpunëtorët e Sigurimit ishte “Artilieri” (ing. Ylli Riska), “Zjarrmëtari” (Qemal Xhangolli), “Dielli” dhe “Gëlqerja”, të dy të fundit i kam identifikuar kush janë: i pari doktor Berti, i dyti Enveri, të tjerët do t’i identifikoj më vonë. Emrat legalë që më kishin denoncuar me egërsi ishin: Nasi Dimitrovski, Irfan Tosku, Agim Shkëmbi, Fahri Shkëmbi, Refik Kurti, Robert Doka, Sihat Gjomemo nga Tragjasi i Vlorës, Lili Naçi, Xhevair Xhelali, Shefqet Balla dhe shumë të tjerë, shumica e tyre punonin aty në uzinën e çelikut, por dhe jashtë saj. Të gjithë të zellshëm për të ndihmuar “shokët” e Sigurimit të Shtetit për të dënuar “armikun” e klasës, që fliste kundër pushtetit popullor, që nxinte realitetin dhe arritjet e socializmit utopik.
Po ç’të keqe u kisha bërë këtyre njerëzve, asgjë, madje i kam ndihmuar në atë kohë, por dhe më pas në demokraci, sigurisht pa ditur aktivitetin e tyre të ndyrë ndaj personit tim. Agjitacioni im brenda këtyre fletëve të zverdhura, kryesisht përqendrohej te gjendja e rëndë ekonomike që kishte pllakosur vendin në ato dekada, për diferencat e thella të punëtorëve shqiptarë me ata europianë, se në Shqipëri punohej vetëm për bukën e gojës, ndërsa në vendet e qytetëruara punëtorët kishin makina, kurse ne as biçikleta, se ne hanim vetëm një herë ose dy herë mish në muaj, kurse udhëheqja e lartë komuniste jetonte mes bollëkut dhe s’pyeste për “skllevërit” e saj, p.sh. “zjarrmëtarin” e quaja “skllav”. Kuptohet. unë nuk mund të fus ne këtë shkrim të 215 faqet e kësaj dosjeje, kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen, ku unë mund të shkruaj një libër vetëm me materialet e dosjes “4171”, përveç librit për jetën time, të cilin jam duke e shkruar, sigurisht në të përfshihen shumë ngjarje dhe data të aktivitetit tim “armiqësor” ndaj regjimit despotik komunist.
EPILOG Unë nuk jam hakmarrë me këta njerëz të liq, të cilët kanë dashur të ndërtojnë lumturinë e tyre, mbi fatkeqësinë time dhe të familjes sime, thjesht u kam lënë vetëm Zotin. Ja fundi i disave që vetë i “madhërishmi” ka marrë hak:
“Zjarrmëtari” – djegur nga llava e çelikut në vitin 1986; “Artilieri” – vdekur nga sëmundje e pashërueshme dhe me çrregullime mendore, alla “Vilfor” të Edmond Dantesit; Nasi Dimitrovski – vdekur nga sëmundje e rëndë; Fatmir Berdulla – vdekur nga sëmundje e rëndë. Të tjerët janë me probleme të shumta në jetë. Të gjithë i mundon fakti që kanë bërë gjëra të tmerrshme në kurriz të Mit’hat Havarit dhe familjes së tij. Unë nuk i përkas kategorisë që fal, por në kushtet e sistemit demokratik që jetojmë, shpresoj të veprojnë ligjet. Nëse ligjet nuk veprojnë, apo nuk kanë vepruar deri tani, u kam lënë Zotin, i cili ekziston. Faktet e mësipërme e konfirmojnë këtë gjë. Të gjithë këta persona nuk ishin minorenë kur i bënin këto veprime dashakeqëse, por në moshë të rritur, të martuar, me fëmijë, d.m.th me koshiencë të plotë.
Ndaj fëmijët e tyre sot, kur t’i lexojnë emrat e baballarëve në këtë shkrim-dokument zyrtar të deklasifikuar, duhet të njihen me atë realitet të hidhur, qe prindërit e tyre për t’u krijuar një jetë të bukur fëmijëve të vet, zgjodhën një rruge aspak dinjitoze. Ata kishin dënuar disa fëmijë të tjerë të pafajshëm, të cilëve u privoheshin shumë të drejta në raport me kohën, si shkollimi, profesioni, në përgjithësi u nxihej jeta si bij “armiqsh të Partisë dhe Popullit”.
Fjala vjen, ndërsa fëmijët e mi do punonin punëtorë në fabrikën e çimentos në Elbasan, në repartin e tmerrshëm të “sillozit”, të gjithë fëmijët e këtyre bashkëpunëtorëve të fëlliqur do shkonin në shkolla, apo do zgjidhnin profesionet e bukura për kohën. E kam thënë edhe një herë tjetër: “Sot është një kategori njerëzish që nuk duhet të ndihen krenarë për punën që kanë bërë prindërit e tyre në regjimin komunist, kryesisht ata të Ministrisë së Brendshme, Sigurimit të Shtetit, hetues e gjykatës, por dhe të tjerë. Me anë të këtij shkrimi, u jap një grusht të fuqishëm të gjithë plehrave të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, se kjo është e vërteta ligjore absolute e Mit’hat Havarit në periudhën e regjimit të tyre të ndyrë.
Unë jam krenar se pas luftës që u bëra në të gjitha ato vite, me një propagandë të “mprehtë” e të hidhur, dola mbi ta. Nga i përndjekur apo i arrestuar i tyre, tani isha në krye të atij institucioni hijerëndë, që të kallte datën kur e shihje, me histori të llahtarshme torturash e vdekjesh brenda atyre mureve, që vetëm gojë nuk kanë të flasin, se ç’lebeti kanë parë në 46 vjet sundim.
Si do t’i thoshte Nazmi Qerreti hetuesit tim Ilia Bano natën e arrestimit tim, qe isha i lidhur me pranga, me duart pas në karrigen e çimentuar: Shiko Ilia Bano, ky është Mit’hat Havari, ky nuk është nga ata që djeg e thyen, ky do të na marrë pushtetin, por do na rruaj by…n”. Kur një ditë Nazmi Qerreti, tashmë i papunë kaloi aty para degës së Rendit Publik dhe unë u ndodha aty në atë moment, i thirra: Qerret, nuk gabove në profecinë tënde, ta mora pushtetin. Nazmiu ktheu kokën, heshti e u largua i qetë në punën e tij, pa iu futur gjemb në këmbë atij dhe të gjithë sërës së tij në këto tridhjetë vjet pseudodemokraci. Madje, vite më vonë, ata u rikthyen të gjithë në detyrat e tyre të mëparshme, vetëm se tani jo për të vendosur rendin, por për të marrë ndonjë “plaçkë”, provat i kanë dhënë kush më shumë e kush më pak.
Me punën time dinjitoze i konkurrova dhëmbë për dhëmbë në kushtet e demokracisë, e kisha qëllim në vetvete, si për t’u thënë: nuk ishit vetëm ju të zotë, ishim edhe ne, por ju nuk na latë. Unë punoja jo me tela me gjemba, sikundër punuan ata që kishin nën kontroll një popull të leckosur nën thembrat e tyre, e që 90 % e këtij populli punonte për ta nga terrori e jo nga dëshira. Theksoj se asnjë ish-oficer i Sigurimit të Shtetit në këto 30 vjet nuk mundi të dilte në evidencë, ata sërish vazhduan misionin e tyre të ndyrë të dizinformacionit, duke vjellë vrer për secilin nga ata zyrtarë shteti që kishte qenë kundërshtar i tyre politik, këtu nuk bëj përjashtim as unë.
Madje me mua kanë pasur problemin e madh, se qeveria e tyre e majtë, preferonte të më ngarkonte me detyra të rëndësishme, ndërsa ata jo. Kjo ndodhte sepse unë punoja ndershëm për vendin tim, nuk shpërdoroja detyrën, nuk pasurohesha në mënyrë të paligjshme si ata, nuk sajoja alibi duke vendosur lëndë eksplozive në makinën time, që të manipuloja shtetin dhe opinionin, se gjoja krimi po më rrezikonte jetën për shkak të detyrës, e pastaj të përfitoja detyra të pamerituara. Për këtë lloj alibie u akuzua një ish-oficer i Sigurimit të Shtetit famëkeq, pasi e kishin larguar nga detyra për “merita” të shquara vite më parë, por të ziut i mbeti dopio gjashta në dorë, u diskretitua, nuk e “hëngri” kush “marifetin” e tij.
Kam dëgjuar se Xhaviti Shala, ky ish-sigurims e që tani është “doktor shkencash në gjithologji”, ka atakuar në Gjykatën e Tiranës ligjin që e përjashton nga radhët e Policisë së Shtetit në kuadër të vetingut, si ish-oficer i Shërbimit Sekret të diktaturës komuniste. Nuk ka për të fituar, shokët e tij në Gjermaninë Lindore të “STAS”, pas vitit 1992, qeveria demokratike Gjermane, këtë shpurë me histori kriminale, i hodhi në rrugë duke mos i lejuar të punonin as si mësues. Tani pas 30 vjetësh, e kanë radhën ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit Shqiptar që për 46 vjet ushtruan një terror të jashtëzakonshëm, duke burgosur me vite afatgjata bijtë më të mirë të këtij populli, vetëm se kërkonin të jetonin lirinë, aq shumë të munguar. Jeta është e gjatë, lumë kush e mbyll me nder e dinjitet dhe unë e mbylla! 25 tetor 2019, Tiranë