Në Laç ka filluar shembja e pallatit nr 133 dhe do të vijojë me shembjen e 6 pallateve të tjera. I deleguari nga Komiteti Ndërministror për Emergjencat Civile në qarkun e Lezhës, Etjen Xhafaj tha se po punohet gjithashtu dhe me Grupet e Vlerësimit, për të vlerësuar dëmet e 48 pallateve të tjera dhe për të vlerësuar nëse ka mundësi për ndërhyrje strukturore në to, apo edhe do të duhet të rindërtohen. Deri më sot, në shkallë qarku janë ngritur 365 çadra, në të cilat janë strehuar 1373 qytetarë. Etjen Xhafaj: Ju bëj thirrje të gjitha familjeve që kanë ende nevojë për çadra të paraqesin kërkesat e tyre pranë bashkive të Kurbinit, Lezhës dhe Mirditës, apo pranë Qendrës Operacionale te Emergjencave, kētu në Milot. Ai bëri të ditur se deri tani kanë aplikuar për bonuset e qerave 541 familje, nga të cilat 181 në bashkinë Lezhë dhe 318 ne bashkinë Kurbin.
Etjen Xhafaj: Bashkia Kurbin ka marrë një vendim për të kaluar një listë me 120 nga këto bonuse qeraje dhe sot më vonë do të takohet edhe Këshilli Bashkiak i bashkisë Lezhë për të miratuar 160 kërkesa. Përsërisim edhe njëherë lutjen tonë për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për strehim që të vazhdojnë me përpilimin dhe përgatitjen e aplikimeve të tyre për bonus qeraje në mënyrë që t’i kalojmë në mënyrë sa më të shpejt. Po ashtu janë kontrolluar 362 ashensorë apo njësi pajisjesh dhe janë marrë masat përkatëse dhe është komunikuar me të gjithë strukturat e mirëmbajtjes për të ndërhyrë aty ku ka qenë e nevojshme.
