Në kalanë e Prezës kanë nisur punimet restauruese në kullën e saj, ku janë zëvendësuar shkallët e dëmtuara e janë përforcuar muret e brendshme. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përuroi punimet, së bashku me kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.
“Çdo ditë e më tepër ndjejmë nevojën që monumentet tona të kulturës të marrin jetë. Një ndër to është edhe kalaja Prezës, ku shkuam sot për të përuruar punimet restauruese në kullën e saj”, theksoi Margariti.
Sipas saj, janë zëvendësuar shkallët e dëmtuara nga koha, janë bërë përforcime të mureve të brendshme e të tjera ndërhyrje, që bëjnë të mundur vizitueshmërinë e saj.
“Bashkë me kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku dhe komunitetin vendas shpresojmë, që shumë shpejt ta kthejmë atë në një nga destinacionet më të kërkuara turistike”, tha Margariti.
Kalaja e Prezës është një vend ideal për aktivitete artistike e panaire.