Categories Lajme

Një vit pa TikTok me vrasje, dhunë dhe mashtrime, për çfarë shërbeu urdhri i Ramës?

Rrjeti social “TikTok” ka përfunduar “dënimin” e vendosur nga kryeministri, Edi Rama pas ngjarjeve tragjike që përfshinë adoleshentë. Ditën e sotme, Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar vendimin,  i cili parashikonte masa të përkohshme për kufizimin e platformës “TikTok”.

TikTok u mbyll dhe u shpall i paligjshëm rreth një vit më parë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, vetëm disa metra larg shkollës. Për të shmangur këto tragjedi, kryeministri vendosi ta “dëbojë” rrjetin social nga vendi ynë. Por edhe pas ndëshkimit të autorit, sherret mes adoleshentëve, që në disa raste kanë pasur pasoja fatale, nuk u ndalën.

Nga TikTok-u te thika: adoleshentët vriten pranë shkollave, institucionet flenë!

TikTok u mbyll, por dhuna nuk u ndal

Dy adoleshentë të tjerë humbën jetën. Erion Boba humbi jetën pasi u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar i tij. Konflikti ndodhi më 25 nëntor të vitit 2025, jashtë shkollës “Dom Nikollë Kaçorri” në Durrës. Gjatë përplasjes, 14-vjeçari e goditi katër herë me thikë bashkëmoshatarin e tij, 15-vjeçarin Erion Boba, duke e plagosur rëndë në gjoks, pranë zemrës.

Fillimisht ai u dërgua në Spitalin e Durrësit dhe më pas në QSUNT, ku qëndroi në kujdes intensiv për disa ditë, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Një tjetër rast është vrasja e 14-vjeçarit Erald Xhejo nga bashkëmoshatari i tij Enedio Guri në fshatin Pirg të Maliqit, më 14 gusht 2025.

Nga rrjetet sociale te dhuna fizike

Gjithashtu, edhe pse TikTok ishte i mbyllur, ai u bë shkak për dhunën ndaj Helidon Markut. Shkak i plagosjes u bënë komentet ofenduese gjatë një transmetimi live në TikTok.

Plagosja dyshohet se u krye me porosi të Gjokë Ndrevatajt dhe Xhemal Ukës, personazh i njohur në TikTok, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia. Po ashtu, edhe personazhi i njohur në TikTok, Suada Muça, u dhunua me porosi të të njëjtit person, për shkak të një debati që nisi në rrjetet sociale.

Shantazhe dhe profile false

Ndërkohë, në kohën kur TikTok duhej të ishte “i dënuar”, emisionet investigative kanë denoncuar disa raste shantazhi të kryera përmes rrjeteve sociale.

Një 22-vjeçare nga Fieri denoncoi se i janë hapur profile false në Instagram dhe TikTok. Vajzës i janë publikuar foto personale dhe numri i telefonit, ndërsa është denigruar figura e saj duke u akuzuar si prostitutë. “Mua më kanë hedhur në TikTok dhe shkruajnë se unë dal me lekë. Më kanë publikuar fotot dhe çmimet. Kanë vendosur edhe numrin tim të telefonit. Pastaj më kanë shkruar shumë persona për takime”, shprehet ajo.

Gjithashtu, TikTok është përdorur edhe për mashtrime shëndetësore. Rreth 200 mijë dollarë të mbledhura në TikTok dhe GoFundMe për kurimin e një shtetasje të cilat dyshohet se nuk janë përdorur për këtë qëllim. Denoncimin e bëri Entela Domi, e cila pasi kontribuoi dhe e ndoqi nga afër rastin, zbuloi se fondet nuk përputheshin me realitetin mjekësor.Pas kërkesës për shpjegime, ajo u përball me sharje, ofendime dhe kërcënime në rrjetet sociale.

VPN dhe rreziku për të dhënat

Siç u pa, ndalimi i TikTok rezultoi joefektiv, pasi përdoruesit shqiptarë gjetën mënyra për ta anashkaluar, kryesisht përmes përdorimit të VPN-ve. Pavarësisht përpjekjeve për bllokim, TikTok mbeti shumë popullor në Shqipëri. Sipas të dhënave të kompanisë ByteDance, në fund të vitit 2024, aplikacioni kishte 1.53 milionë përdorues mbi moshën 18 vjeç në një vend me 2.4 milionë banorë.

Pas ndalimit, përdorimi i VPN-ve në Shqipëri u rrit ndjeshëm. Sipas ProtonVPN, përdorimi i shërbimit të tyre u rrit me 1200% në ditën e parë të bllokimit dhe kjo tendencë vijon. Aktualisht, VPN-të janë aplikacioni i tretë më i shkarkuar në App Store për muajin e fundit, pas ChatGPT dhe Temu. Por sipas ekspertëve, një VPN falas nuk hap vetëm një faqe të bllokuar, por mund të hapë edhe derën për abuzim me të dhënat personale, ndjekje të fshehtë dhe rrezik serioz për sigurinë e përdoruesve.

Një VPN (Virtual Private Network) krijon një lidhje të enkriptuar mes pajisjes dhe një serveri në një vend tjetër, duke maskuar adresën IP dhe aktivitetin online. Përdoret për privatësi dhe akses në përmbajtje të kufizuar. Në përfundim, mbyllja e TikTok-ut rezultoi një masë më shumë simbolike sesa reale. Platforma nuk u zhduk, por u zhvendos në “nëntokë” përmes VPN-ve, duke u kthyer në një hapësirë edhe më të pakontrolluar dhe më të rrezikshme për të rinjtë.

TikTok-u, pasi Rama e “futi në burg”, u shndërrua në një të burgosur të pabindur, i cili vazhdoi të funksionojë jashtë çdo rregulli dhe të shkaktojë edhe më shumë dëme: dhunë mes adoleshentëve, shantazhe, mashtrime financiare dhe rrezik për të dhënat personale. Në vend që ndalimi të ulte problemet, ai krijoi kushte që ato të zhvilloheshin pa asnjë kontroll institucional.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Axhenda/ Mediat greke: Rama viziton Athinën këtë javë! Fjalim në Delphi dhe takim me Mitsotakis?

Mediat helene shkruajnë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të nisë një vizitë disa-ditore…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

E pazakontë/ Vidhen eshtrat e gruas që ndërroi jetë 17 vite më parë në Lushnje, hajdutët hapen tunel nën dhé

Një ngjarje e pazakontë dhe shqetësuese është regjistruar në qytetin e Lushnjes, ku janë vjedhur…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vendimi/ Qeveria shtyn afatet për projektin 1.4 mld euro në Sazan, kostoja e pastrimit piroteknik te shteti

Qeveria shqiptare ka shtyrë afatet për projektin prej 1.4 miliardë eurosh për zhvillimin e një…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Detaje tronditëse nga vrasja-vetëvrasja e trefishtë në Itali! Çfarë shkruante autori, divorci i dhimbshëm dhe letra që la (FOTOT)

Një krim i rëndë i trefishtë tronditi opinionin mbarëshqiptar dhe Italinë në fundjavë. 59-vjeçari shqiptar,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Alarm i rremë në Fier, 68 vjeçari i dehur telefonon policinë: Hajdeni se vrava gruan! 64 vjeçarja gjendet shëndosh e mirë në shtëpi

Shërbimet e policisë u nisën menjëherë në vendngjarje, por me të mbërritur në banesën e…

LEXO ME SHUME