Përfaqësuesi i PD-së në tryezën e OSBE-së, Ivi Kaso kërkoi ngritjen e një strukture të posaçme ekstraparlamentare për të realizuar reformën zgjedhore. “Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime” tha ai.
“Opozita e Bashkuar angazhohet për të diskutuar një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike, si dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Në qendrimin e saj, opozita vë në dukje se reforma zgjedhore përmirëson aspektet teknike të organizimit të zgjedhjeve, por është e pamjaftueshme për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Asnjë Reformë nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk ekziston vullneti politik dhe institucional për të zbatuar ligjet në fuqi. Reformat Zgjedhore marrin kuptim vetëm atëherë kur krimet elektorale të së shkuarës të jenë hetuar në mënyrë profesionale dhe të pavarur dhe autorët e krimeve të jenë përballur me ligjin. Duhet vullnet politik dhe një mekanizëm konkret të zbatueshëm për të realizuar ndarjen e plotë të politikës nga krimi.
Qendrimi i opozitës për reformën zgjedhore përfshin edhe dhënien e garancive për vendimmarrje të drejtëpërdrejtë nga qytetarët, përmes bërjes efektive të Referendumeve. Kodi Zgjedhor aktual, i pandryshuar për këtë çështje që nga viti 2000, pamundëson zhvillimin efektiv të Referendumeve. Referendumet janë e vetmja formë që përveç mundësisë për vendimmarrje të drejtëpërdrejtë nga qytetarët për një çështje, garantojnë edhe të drejtën e qytetarëve për të ndikuar drejtëpërdrejtë në politikbërje, nga Qeveria, Parlamenti dhe partitë politike” përfundoi Kaso.
