Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik rrëzoi sot dekretin e Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 91/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
E pranishme në Komision ishte Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila deklaroi se mazhoranca i qëndron kërkesës për rrëzimin e dekretit të Presidentit.
“I qëndrojmë argumentet tona për pasojat që tregu i parregulluar ka sjellë. I qëndrojmë kërkesës për rrëzim të dekretit të presidentit”, tha ajo.
“Qëllimi i paketës antishpifje është vendosja e rregullave për të parandaluar cenimin e dinjitetit të njeriut si dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përmes një procesi të shpejtë administrativ dhe efikas”, u shpreh ministrja Gjonaj.
Ajo theksoi se, “një sërë vende si Gjermania apo Kroacia, kanë miratuar paketa më të ashpra antishpifje, duke njohur shpifjen si vepër penale”.
Gjonaj u shpreh se, “ligji ka të bëjë me rregullimin e tregut të gazetarëve. Në përgatitjen e paketës kemi punuar me OSBE e Këshillin e Europës”.
