Zëvendëskryeministri Erion Braçe shprehu entuziazmin për hapjen e ankandit të projektit të parkut fotovoltaik Karavasta, më i madhi i ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.
“I gëzuar pa fund! Dy vite të shkuara, ky ishte një projekt i vdekur me arsye të kota, larg të vërtetës, banale. Ministrja e Energjisë Balluku i hoqi një nga një, ringjalli projektin; bëri edhe më shume se kaq, një paketë për ankandin ku nuk mungon asgjë-çdo info, çdo akt, çdo certifikatë, çdo vendim, çdo marrëveshje paraprake me institucionet publike, çdo leje! Nuk mungon asgjë; Çdo investitor, çdo gjë që i duhet e ka “në pjatë”, përfshirë dhe gjithë gatishmërinë e bashkisë Divjakë për të lehtësuar në maksimum gjithçka”, tha ai.
Në vijim Braçe shton se “I gjithë procesi është e do jetë i hapur, ndërkombëtar, i monitoruar dhe live në ditën më të rëndësishme të tij. Për ne në Divjakë duket si çlirim! Për ekonominë e Shqipërisë është një tjetër akt hapjeje ndaj investimeve të huaja, pas Aeroportit të Vlorës, kërkim zhvillimit ne bllokun nafte e gazmbajtës të Dumresë; Energjia diellore është drejtimi i duhur, i domosdoshëm nga ndryshimi i klimës. Ne kemi nevojë për këtë energji, shumë, tani! Dy vite me parë, një “sherr” i madh-si përherë mbase, thuajse ma fiku shpresën se ky projekt i madh do realizohej në Divjakë”.
“Patjetër, dua të falenderoj Belinda Balluku dhe njerëzit e saj, për gjithçka bënë për këtë projekt! Super punë!Tani ju mirëpresim të gjithëve në Divjakë”, tha ai.
