Pas 3 dorëheqjesh në më pak se tre muaj, hipoteka e Vlorës do të drejtohet nga Bilbil Aliaj, i cili do të jetë drejtori i 10-të që merr përsipër të rregullojë çështjet e pronave në Vlorë që prej vitit 2013.
Dorëheqjet e vazhdueshme të titullarëve të hipotekës në Vlorë kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik pasi kanë nxjerrë në pah problemet me pronat.
Më 11 shtator policia tha se kishte vënë në hetim 23 punonjës të hipotekës për shpërdorim detyre, ndërsa më parë qe raportuar se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte nisur auditimin e punës së 4 viteve të fundit në hipotekë.
Probleme si në Kadastrën e Vlorës do të dëgjoni edhe në qytete të tjera. I vetmi ndryshim në Vlorë është se nuk gjen një njeri me emrin ‘Durim’. Në Vlorë njerëzit janë më të padurueshëm se të tjerët.
Në 6 vitet e fundit hipoteka e Vlorës është drejtuar nga:
Elona Hodaj, shtator 2019-tetor 2019 (më pak se 1 muaj)
Alteo Nazëraj, shtator 2019-shtator 2019 (10 ditë)
Florian Almadhi, maj 2019-shtator 2019 (5 muaj)
Klodian Troci, korrik 2018–shtator 2019 (në maj qe kaluar nëndrejtor, 1 vit e 2 muaj)
Sokol Banaj, janar 2018–korrik 2018 (6 muaj)
Rezart Elmazi, tetor 2015-korrik 2017 (1 vit e 10 muaj)
Loreta Alushi Tozaj, dhjetor 2014-tetor 2015 (10 muaj)
Ina Luçi, tetor 2013-dhjetor 2014 (14 muaj)
Taulant Cenameti
Shpesh disa prej drejtuesve të hipotekës janë përballur me kërcënime. Në nëntor 2018, vëllait të ish-drejtoreshës Loreta Alushi Tozaj, iu bë atentat me tritol. Ndërsa në tetor 2014, persona të paidentifikuar dogjën makinën e ish-drejtoreshès Ina Luçit. Ngjarja ndodhi pasi Luçi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kishte paditur 8 persona për përvetësim me falsifikim dokumentash të 77 hektarëve tokë.
Dorëheqjet e fundit të muajit shtator-tetor, mediat i kanë lidhur me çështjen e pronësisë së një zone në plazhin e Jalit, atje ku qeveria i ka dhënë kompanisë Soleil & Sea leje për ndërtimin e 3 komplekseve hotelerie si investim strategjik.

