Ministria amerikane e Mbrojtjes njoftoi sot se i kishte akorduar Microsoft një kontratë gjigante për ruajtjen e të dhënave në internet, me vlerë deri në 10 miliardë dollarë, në të cilën Amazon ishte gjithashtu i përfshirë. Kontrata JEDI (Joint Enterprise Defense Infrastructure), që shtrihet në një afat kohor prej 10 vitesh, parashikon të modernizojë sistemet informatike ushtarake.
Për lehtësimin e vendosjes së një arkitekture të re për ruajtjen e informacioneve, Pentagoni ka vendosur t’ia akordojë këtë kontratë vetëm një kompanie.
Google u tërhoq nga gara në tetor 2018 duke shpjeguar se nuk kishte marrë siguri që kjo kontratë do të ishte konform parimeve të tij përsa i përket inteligjencës artificiale. Pavarësisht kritikave që ekzistonin rreth “Silicon Valley” përsa i përket bashkëpunimeve me ushtrinë dhe policinë, Microsoft dhe Amazon, pas tërheqjes së Google, mbrojtën pjesëmarrjen e tyre në tenderin e zhvilluar.