Rruga e lagjes “Zinxhira” në Gjirokastër, e cila për vite me radhë ishte në errësisrë, tashmë ka ndriçim publik me teknologjinë LED. Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, tha se “ky segment shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj lagje dhe për bizneset, sot e tutje s’ka për të qenë më një makth për ata që e përshkojnë natën, por një lehtësi e jashtëzakonshme që e realizuam në një kohë rekord falë mbështetjes së miqve tanë të “CESVI””.
Sipas tij, ndriçimi LED është një formë eficiente që do ta aplikojmë edhe në rrugë të tjera të qytetit e fshatrave. Kryebashkiaku Golemi tha se “do të vazhdojmë me investime të tjera edhe pse jemi në një vit të vështirë për shkak të pandemisë. Gjirokastra që duam bëhet realitet me punë dhe përkushtim”, – tha Golemi. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Qyteti i gurtë po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
