Kampionati anglez i futbollit ka rifillyar që sot me ndeshjet e Premier Ligës, të cilat në sfidat e para menjëherë dhuruan rezultate shumë interesante. I tillë është barazimi 1-1 i Çelsit në fushën e Brajton, me skuadrën e Lampard që u jep mundësinë ndjekësve që ta afrojnë në luftën për vendin e katërt që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.
Londinezët shënuan të parët me anë të Azpilikueta që në minutën e 10 të ndeshjes në këtë transfertë por nuk arritën të mbyllnin sfidën duke i dhënë mundësinë vendasve që të rrezikonin portën e tyre dhe në fund të gjenin barazimim me anë të Jahanbakhsh, i cili shënoi për të dytën ndeshje radhazi pas dy sezoneve thatësi para portës, këtë herë me roveshatë. Kështu Çelsi humbi mundësinë të ruante distancen ndaj grupit të ndjekësve që synojnë t’i rrëmbejnë pozicionin në renditje.
Sakaq, në ndeshjen tjetër, Aston Vila mundi 2-1 Bërnlin dhe rriti shanset për mbijetesë duke dalë nga zona e ftohtë e klasifikimit.

