Protestuesit e përcjellin me thirrjet: “Rama ik!”. Deputeti Luçiano Boçi i tha gazetës “Shekulli” se protesta u organizua nga studentë të Elbasanit, në mbështetje të protestës studentore. Në mbledhje flitet për lëvizje drejtorësh dhe punësimin e ekselentëve në administratë
Lindita Bushgjokaj
Studentë dhe banorë të Elbasanit e presin kryeministrin Rama me protestë në Labinot, gjatë mbledhjes informate të qeverisë. Protesta e të rinjve është shoqëruar me tymuese dhe slogane për largimin e kryeministrit, kjo në shenjë pakënaqësie kundrejt qeverisjes së tij. Gjithashtu, ata bënë thirrje për dorëheqjen e kreut të qeverisë nën sloganet ‘Rama ik!’, ‘Qeveri e krimit’, ‘Poshtë komunizmi!’, duke i shoqëruar thirrjet e tyre me tymueset që mbanin në duar. Nuk është hera e parë që Rama pritet me protesta në qytetet e Shqipërisë. Ai në çdo vizitë që zhvillon në zona të ndryshme të vendit pritet nga qytetarët e pakënaqur me qeverisjen e tij. Një grup banorësh nga Njësia Administrative Labinot Fushë me të cilët është bashkuar edhe kreu i degës së PD Elbasan, Eugen Isaj, kanë protestuar në hyrje të Resortit ku po zhvillohej mbledhja e qeverisë. Qytetarët kanë përdorur tymuese gjatë protestës deri në largimin e kryeministrit nga qyteti.
Protesta
I pranishëm në protestën e të rinjve dje, në Elbasan ishte edhe deputeti demokrat Luçiano Boçi. Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, Boçi tregon arsyet e këtij tubimi kundër kreut të qeverisë. Ai tha se protestuesit mbështetën protestën e studentëve, por të shumtë ishin edhe ata që janë të lodhur nga varfëria dhe arroganca e kryeministrit. “Protesta ishte e organizuar nga banorët e zonës. Unë isha i thirrur nga ata. Protesta ishte simbolike e mbështetjes së protestës studentore dhe artikulim i kontestimit të qeverise së korruptuar Rama. Kllounada e Ramës që zbret nga studiot në restorantet e shumta, shkakton ndonjë buzëqeshje ironike. Njerëzit janë të lodhur nga shfaqjet dhe kërkojnë të ardhme, dinjitet e punë. Largimi i Ramës është sot refreni i çdo pakënaqësie dhe revolte qytetare si kjo e sotmja. Asnjë nuk gënjehet më me zëvendësimet e një hajduti të vjetër me një të ri e një të korruptuari të vjetër me një të ri. Koka e së keqes është Rama”, shpreh Boçi.
Mbledhja e qeverisë
Ky ishte takimi i parë i qeverisë për vitin 2019-të edhe pse informal. Ai zhvillohej në Labinot të Elbasanit, aty ku është shpallur krijimi i Ushtrisë NÇ në 1943. Simbolika e zgjedhur kërkon të mobilizojë socialistët në një luftë për të mbajtur pushtetin, nën zjarrin e revoltave. Mësojmë se në këtë takim ishin të pranishëm ministrat e shkarkuar nga Rama dhe ministrat e sapoemëruar pas Asamblesë Kombëtare socialiste të 28 dhjetorit 2018. Në fokus të këtij diskutimi ishin sfidat dhe objektivat e këtij viti për qeverinë “Rama”, ku jo vetëm është një vit zgjedhor, pasi në 30 qershor do të zhvillohen zgjedhjet vendore, por njëherazi edhe sa i takon procesit të integrimit europian, ku objektivi ka qenë çelja e negociatave pas 6 muajsh. Në takim edhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Mbledhja e qeverisë vjen një javë pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Kryeministri Rama vendosi të ndryshojë 7 ministra dhe të kalojë në postin e zv.kryeministrit, deputetin socialist, Erion Braçe si dhe riktheu Ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin ku u emërua ministre Elisa Spiropali.
Ripërtëritja e drejtorëve
Gjatë mbledhjes së djeshme, kryeministri Rama paralajmëroi, se pas ndryshimit në kabinetin e tij qeveritar, në janar do të ketë ndryshime edhe në nivele të larta të administratës. Kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së kryesisë paraditen e së shtunës, foli lidhur me ndryshimet qeveritare dhe nevojën që kishte për rifreskim qeveria pas protestave të studentëve. “Përtëritja e qeverisë do të pasqyrohet edhe në nivele të larta të administratës, ku përfshihen drejtorë të mëdhenj dhe drejtues rajonalë në qarqe”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen e kryesisë së PS-së. Sipas burimeve, përmes një vendimmarrjeje të Kryeministrit Rama, është kërkuar që kryesia të mblidhet në mënyrë periodike çdo muaj deri në Kongresin PS-së të 23 marsit, ndërkohë që, sipas statutit, kryesia mblidhet një herë në dy muaj. Drejtuesve politikë në qarqe u është kërkuar të rrisin kontaktet me bazën dhe të respektojnë afatet organizative dhe ato zgjedhore sipas vendimeve të Asamblesë Kombëtare. Përgatitja për zgjedhjet vendore në PS do të nisë që në ditët e para të muajit janar. Sipas një vendimi të kryesisë së PS-së mësohet që në 4 janar do të nisë mbledhja e këshillave të koordinimit në territor.
“Do punësojmë ekselentët”
Pas mbledhjes informale të kabinetit qeveritar në zonën e Elbasanit, kryeministri Edi Rama publikoi disa nga prioritetet kryesore për këtë vit, duke veçuar edhe rekrutimin në administratë të studentëve me mesatare të lartë. Kreu i qeverisë, shkruan ndër të tjera, se në fokus do të jenë punësimi dhe përmirësimi i shërbimeve në çdo sektor. “Ditë diskutimi për sfidat e 2019 sektor për sektor. Në fokus rritja e punësimit dhe sipërmarrjes vendase; përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës së shërbimeve publike; masat e reja Antikorrupsion dhe rekrutimi në administratë i të rinjve me 9-10”, tha Rama.
