Categories Lajme

Rama përkujton regjisorin Gjergj Xhuvani: Njeri i rrallë, mik i mirë

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot ndarjen nga jeta të regjisorit Gjergj Xhuvani. “Sot viti dëgjova lajmin e pabesueshëm të ikjes nga kjo botë të Gjergjit, Xhuvanit. Gjergji ishte superçun, qysh gjithnjë, një ndër ata çunat e rrallë, të mençur e me norma, që lindin si pleq dhe jetojnë si fëmijë. E mbaj gjithmonë mend të dashuruar pas Lizës, kur ishim në të njëjtat vite paralele në Akademinë e Arteve dhe ndanim një holl të përbashkët, mes atelieve të “Figurativit” djathtas e studiove të “Dramës” majtas. Në të gjitha zboret na bashkonte një kapanon dhe një togë, në repartin legjendar të Mamurrasit, po mbi të gjitha një pagure me raki dhe copat e kaçkavallit të mëngjesit, mbledhur nëpër xhepa për bashkëbisedimet fluturake pas shkurreve të luftës imagjinare me imperializmin amerikan”, u shpreh Rama në rubrikën e tij në Facebook “Homazh”.

“Gjergji u martua me Lizën dhe njëri flirtoi për vite të tëra me filmin, tjetra me teatrin, megjithëse në fakt Liza ishte një yll që shkëlqente qoftë në skenë, qoftë në ekran. Ishin një çift i bukur, që i dha shumë kinemasë e teatrit shqiptar dhe dreqi vetëm mund ta dijë, pse ata dy njerëz të mrekullueshëm e prindër të përkushtuar, duhet të vuanin ca goditje nga ato më të tmerrshmet, të cilat fati nganjëherë zgjedh të mos ia kursejë robit të shkretë! Po kjo është një histori tjetër”, theksoi Rama.

“Ndërsa historia krijuese e Gjergjit, edhe pse e prerë në mes brutalisht nga një sëmundje dërrmuese, që pasi i mori njërën këmbë, i mori edhe jetën, është një kapitull i pambaruar, shkruar me pasion e me inteligjencë të spikatur artistike, brenda librit të historisë së kinematografisë shqiptare. Filmat e tij e çuan emrin e Shqipërisë në plot festivale ndërkombëtare, madje njëri syresh arriti deri në seleksionimin e parë të filmave të huaj, që u gjykuan për nominimet e kandidatëve për Oscar në vitin 2010”, u shpreh Rama.

“Gjergji i mbylli përgjithnjë sytë në një dhomë hoteli në Itali, ku shkoi të flejë natën vonë në fund të një dite të gjatë pune, pasi mbaroi montazhin e filmit të tij të fundit. Nuk u zgjua më. Më duket habi akoma sot që nuk do ta takoj më dot në këtë jetë shokun e mirë, me të cilin shiheshim rrallë, por gjithnjë me shumë kënaqësi, e flisnim për sfidat tona krejt të ndryshme të radhës, ai me filmin që do të vinte e unë me këto të miat, po biseda prekte kinemanë, letërsinë, artin, mediat, shoqërinë shqiptare dhe sigurisht kohën e studimeve tona, ku komedia jetësore e zborit nuk mund të mungonte asnjëherë në bisedë, bashkë me paguren e rakisë që ishte arma armiqësore e disiplinës ushtarake në brezin e Gjergjit”, tha Rama.

“Gjergji ishte vërtetë njeri i rrallë, mik i mirë, artist që fliste me vepra e që fjalët i kursente bukur. Bukur kursehej edhe kur shijonte verën, i pëlqente të pinte dhe ishte kënaqësi e veçantë tavolina me të, sepse për ta mbaruar një gotë merrte kohë, teksa i merrte aromën, i komentonte përbërjen, i kërkonte ndihmën për të ngritur shëndetet”, shkruan Rama. “E ngrita këtë tekst për ty Gjergj – sot një vit më parë nuk lidha dot as pesë fjalë bashkë! – me pikëllimin që s’mblidhemi dot më, për të folur e për të qeshur si dikur, po edhe me buzëqeshjen e përlotur që më jep kujtimi yt. Prehu në paqe shoku im!”, përfundoi Rama.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Plagosi me thikë një person në Poliklinikën e Shkodrës/ Në pranga 18-vjeçari edhe i ati i tij

Shkodër/Vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale, për dokumentimin e autorësisë dhe përgjegjësive në lidhje me ngjarjen…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Gjendet e mbytur një 45-vjeçare në Liqenin e Thatë, nisin hetimet

Një 45-vjeçare është gjetur e pajetë në ujërat e Liqenit të Thatë në Tiranë, pasi…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

IKMT ndërhyn në Dhërmi/ Pezullohen aktivitetet dhe gjobiten subjektet për ndotje mjedisore

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka pezulluar aktivitetin dhe ka vendosur gjoba ndaj…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Po transportonte 4 pistoleta, arrestohet 31-vjeçari!

Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia në Sarandë pasi u kap duke transportuar katër pistoleta.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi nga Jorgo Pulla, çfarë parashikojnë yjet për 12 shenjat

Astrologu Jorgo Pulla parashikon një ditë me zhvillime pozitive në punë, ekonomi dhe dashuri. Ja…

LEXO ME SHUME