Kryeministri Edi Rama i ka dalë në “mbrojtje” Valdrin Pjetrit, duke thënë se ai nuk mund të quhet kriminel për një ngjarje që ka ndodhur kur ishte vetëm 19 vjeç, siç opozita e ka etiketuar, por ka theksuar se fshehja e ngjarjes nga ana e tij është e patolerushme.
Në reagimin e tij të parë pas tërheqjes së Pjetrit, Rama ka sqaruar edhe arsyet se përse nuk i është bërë verifikimi i pastërtisë së figurës, para se të kandidonte për kryetar Bashkie në Shkodër. Kreu i qeverisë sqaron se ligji aktual nuk i lejon partitë të verifikojnë të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit, siç ishte rasti i Pjetrit i dënuar në vitin 2003. Për këtë arsye, Rama ka njoftuar se ky rast do të shërbejë për të ndryshuar ligjin, në mënyrë që të përcaktohen afatet e verifikimit shtetëror të kandidatëve.
Por jo vetëm kaq! Sipas Ramës, një ligj i tillë duhet të jetë i zbatueshëm jo vetëm për kandidatët, por edhe për politikanët dhe punonjësve të shtetit.
“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme! Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje! Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë. Jo vetëm kaq,po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”, shkruan Rama.
Pjetri hoqi dorë nga marrja e detyrës ditën e djeshme pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike, e cila publikoi një dokument ku sipas tyre vërtetohej që ai ka qenë i dënuar në Itali në 2003 me burg për drogë. Në përgjigjen e tij, Pjetri tha se ajo ngjarje, kur ia ka qenë vetëm 20 vjeç, është hequr nga konteksti dhe është shfrytëzuar për sulme politike.
Megjithatë, pavarësisht tërheqjes së tij, Këshilli Bashkiak do të konstituohet në datën 19 gusht, jo në 21 gusht siç ishte parashikuar. Kjo do të thotë se Shkodra do të vijojë të drejtohet nga Voltana Ademi, por me një Këshill Bashkiak me shumicë socialiste.
