Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë edhe këtë të enjte, ku kanë vijuar reshjet e dendura të shiut. Lumi Vjosë ka shkuar në nivelin 9 metra në urën e Mifolit, Novoselë. Situata është rënduar duke shkaktuar rrezik për banorët që jetojnë aty pranë dhe tokat bujqësore. Prurje të shumta ka pasur edhe në Memaliaj, ku niveli ka shkuar 7.5 metra.
Mësohet se nga reshjet e dendura, janë përmbytur 100 hektarë tokë. Ndërkaq, 14 banesa janë përmbytur nga uji. Përmbytje ka në tokat në Bishan dhe Fitore.
Lumi Buna në Shkodër ka pësuar rritje të nivelit të ujit, ndërsa në Drin niveli i ujit ka rënë si pasojë e uljes së shkarkimeve. Zona e Obotit sërish nuk kalohet me mjete të vogla. Pritet përmirësim i situatës, pasi në zonat malore kanë nisur reshjet e borës.
Në lagjen ”Sede”, Përmet për shkak të rreshjeve të dendura dhe inerteve u përmbytën 4 banesa, nga të cilat 3 familje u sistemuan nga Bashkia në një konvikt dhe 1 familje u sistemua te të afërmit.
Ndërkohë në Kukës pas reshjeve të dendura të shiut, mëngjesin e sotëm është zbardhur nga dëbora. Aktualisht nuk raportohen probleme në qarkullim, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të udhëtojnë me goma dimërore dhe të jenë të pajisur me zinxhirë, sidomos në akset malore.
