Përfundon procesi i restaurimit të çative dhe fasadave për 210 shtëpi në fshatrat Dhërmi dhe Vuno.
Godinat e klasifikuara si pjesë e trashëgimisë kulturore si banesa e Pirro Gjikopullit dhe Llukë Petro Zhupës u janë nënshtruar edhe restaurimit të tavaneve dhe elementëve të tjerë dekorativë të brendshëm.
Projekti “Rikualifikimi urban dhe restaurimi i objekteve në Qendrën Historike dhe Zonën e Mbrojtur në fshatrat Dhërmi dhe Vuno”, po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Institutin e monumenteve të Kulturës.
Projekti u financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës (CEB).
Në Vuno dhe Dhërmi Krahas restaurimit të godinave, po punohet edhe për ndërtimin e rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionin e kalldrëmeve.
Restaurimi i godinave ka nxitur banorët të bëjnë investime private në ambientet e brendshme të shtëpive të tyre për t’i përshtatur si bujtina apo restorante.
Punët në Komunitet IV- Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe Zonës Bregdetare” është një program investimesh në bregdetin e jugut, rajonin e Alpeve, qarqet Vlorë, Gjirokastër, Dibër, Shkodër dhe bashkitë Himarë, Vlorë, Gjirokastër, Mat, Pukë.
Objektivi i përgjithshëm i programit është nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm social-ekonomik në komunitetet me potencial të lartë turistik, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës së integruar publike duke respektuar mjedisin dhe ruajtur trashëgiminë kulturore dhe historike.
Në bashkinë e Himarës, programi parashikon disa paketa investimi të integruara për të cilat puna ka filluar vitin e kaluar.
Që nga infrastruktura rrugore, vendet parkimit, ndërtimi i infrastrukturës turistike në plazhet e Jalit dhe Dhërmiut, deri te rikonstruksioni i rrugëve, kalldrëmeve, ujësjellës – kanalizime, fasadave, çative, shesheve si sheshi Petro Marko dhe sheshi Strungli në fshatrat e Vunoit dhe Dhërmiut. Pjesë e këtyre ndërhyrjeve ishte edhe ndërtimi i shëtitoreve në plazhin e Jalit dhe Dhërmiut që tashmë kanë përfunduar. Ndërkohë, në Dhërmi po punohet intensivisht për ndërtimin e hapësirave urbane si vende pushimi përgjatë shëtitores, ndërtimi ujvarës së shkronjave dhe riparime të tjera.
Të gjitha investimet kanë për qëllim krijimin e mundësive për pasurimin e ofertës turistike me element kulturorë dhe historikë dhe nxitjen e sipërmarrjes private edhe në ato zona të bregdetit të jugut.