Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “kemi bërë një rritje të konsiderueshme pagash për mjekët specialistë që punojnë jashtë qytetit të tyre. Është një pagë që me bonusin dhe 40% plus është në atë nivel që ata do të merrnin nëse niseshin sot në Gjermani dhe do hynin në sistem jo si profesor, por në nivelin bazë”. I pyetur nga një mjeke e re nga Tirana e cila ishte transferuar në Gjirokastër me punë, nëse do t’ju mundësohet një bonus qiraje, kryeministri Rama tha se “sot ju merrni vetëm pagën, si mjekët që janë këtu vendas. Pasi 3 vite do të punoni atje ku ka nevojë atdheu. Kjo është ideja, pasi është investim i rëndësishëm i bërë nga ju vetë dhe familja edhe nga shteti e shoqëria për formimin tuaj. Përveç kësaj dhe një fuqizim moral i figurës së mjekut në momentin kur del në front. Nuk di të të jap një përgjigje tani për këtë. Pasi me siguri programi i Partisë Demokratike mund ta akomodojë këtë edhe kërkesa të tjera për bonus për të shkuar në masazh, në fizioterapi private, pishina, SPA, pishina që do të ndërtohen sipas programit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se “ne kemi bërë një rritje të konsiderueshme pagash që për specialistët që punojnë jashtë qytetit të tyre. Është një pagë që me bonusin dhe 40% plus është në atë nivel që ata do të merrnin nëse niseshin sot në Gjermani dhe do hynin në sistem jo si profesor, por në nivelin bazë, por me më shumë më pak detyrime në formën e qirave atje”. “Ky ka qenë qëllimi që mjekëve pa i ndaluar, sepse nuk hyj tek ata që predikojnë katastrofën për shkak se njerëzit synojnë të provojnë veten jashtë shtetit, pasi kjo është një periudhë historike e pashmangshme dhe nuk ka fuqi e qeveri që e ndalon këtë trend. Janë periudha historike që të gjitha vendet i kanë kaluar dhe shumë vende po i kalojnë sot dhe në fund të fundit është liria e secilit”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “për ata që duan të rrijnë këtu dhe ne bëjmë çmos t’u jepet një mundësi e barabartë të rrinë me një pagë që të mos jetë qesharake, siç ishte paga 6-7 vite më para. Nuk është një pagë që të thoni sa të lumtur jemi për qeverinë që kemi, por është një pagë që është e konsiderueshme në raport nga u nisëm. Në këtë rrugë do të mund të rritet akoma. Që pagat të rriten duhet të kemi parasysh nga vijnë paratë. Paratë vijën nga krijimi i mundësive të reja”.
Sipas Ramës, rritja e pagave vjen si rezultat i rritjes së mundësive, dhe mundësitë rriten duke rritur investimet, punësimin të ardhurat nga puna qoftë për njerëzit edhe për shtetin e duke luftuar evazionin, informalitetin, duke zgjeruar bazën fiskale. “Ne jemi futur në një fazë që do kemi një rritje të mëtejshme jo thjesht nga rritja natyrale, por edhe si rezultat i një sistemi të ri të fiskalizimit. Në një raport të fundit për Shqipërinë parashikohej që do të sillte impakt në rreth 30%, pra ne e kemi nisur me një bazë të ardhurash në raport me prodhimin që ishte 21-22%, ndërkohë që vende të tjera të rajonit e kanë 27-29-30 %. Ne tani jemi 27%, por me këtë mund të shkojmë tek 30% , pra do kemi më shumë të ardhura nga prodhimi i përgjithshëm që mund edhe të shpërndajmë më shumë e kjo do të sjellë rritjen e pagave”.
