Categories Politike

Shqiptarët s’kanë më besim tek qeveria dhe parlamenti

Për shumë institucione të vlerësuara, duke përfshirë qeverinë qendrore, parlamentin dhe institucionet ndërkombëtare, trendi ndër vite tregon se niveli i besimit të qytetarëve është rritur midis viteve 2015 dhe 2017 dhe është ulur midis viteve 2017 dhe 2019. U prezantuan sot në Tiranë nga PNUD gjetjent e sondazhit “Besimi në Qeverisje 2019”, i cili mblodhi dhe analizoi perceptimin publik në çështje si: besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, korrupsioni, niveli i përfshirjes qytetare në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi.

Sondazhi “Besimi në Qeverisje 2019” u krye gjatë muajve nëntor-dhjetor 2019, duke përdorur një kampion përfaqësues kombëtar prej 2500 të anketuarish. Ky është viti i shtatë i realizimit të tij duke përdorur një metodologji, pyetësor dhe mbulim kombëtar të ngjashëm. Ndërsa niveli i besimit në gjyqësor (prokuroria dhe gjykatat) është rritur përgjatë viteve të fundit, edhe pse këto institucione perceptohen si më pak të besuara. Gjetjet e sondazhit të vitit 2019 tregojnë se institucionet që gëzojnë besimin më të madh janë institucionet fetare (65.6%), ndjekur nga forcat e armatosura (59.4%), Policia e Shtetit (54.6%), institucionet arsimore (57.3%) dhe sistemi shëndetësor (51.4%). Institucionet/organizatat ndërkombëtare si NATO, OKB dhe BE renditen si institucionet më të besuara nga pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë.

Sondazhi tregon një rënie të perceptimit qytetar ndaj praktikave të transparencës dhe llogaridhënies në nivel qendror ashtu edhe vendor. Konkretisht, përgjatë viteve 2016 dhe 2019, rënia e perceptimit mbi transparencën është me 6 pikë përqindje për qeverisjen qendrore (33% në 2019) dhe me 7 pikë përqindje për qeverisjen vendore (36% në 2019) . Që prej vitit 2017, përqindja e qytetarëve shqiptarë që perceptojnë e qeverinë si llogaridhënëse ka rënë me 11 pikë përqindje për qeverisjen vendore dhe me 8 pikë përqindje për qeverisjen qendrore (31% në 2019 për të dyja) .

Të dhënat për vitin 2019 tregojnë se qytetarët shqiptarë besojnë se organizatat ndërkombëtare (78.9%) janë më efikase për llogaridhënien nga qeveria në krahasim me institucionet në vend, ndër të cilat renditet i pari Kontrolli i Lartë i Shtetit (63.7%) i ndjekur nga Parlamenti (53.4%). Përgjatë viteve 2016 – 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka mbetur institucioni me vlerësimin më të lartë lidhur me efikasitetin e kërkesës së llogarisë ndaj qeverisë. Posaçërisht në dy vitet e fundit, ky vlerësim ka qëndruar afërsisht i njëjtë për Median, Parlamentin dhe Organizatat e Shoqërisë Civile, të ndjekura nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, sindikatat dhe bizneset.

Ndërsa roli në kërkesën e llogarisë ndaj qeverisë nga Avokati i Popullit dhe partitë e opozitës ka pësuar rënie përgjatë viteve 2016 – 2019. Për Avokatin e Popullit perceptimi qytetar ndër vite ka pësuar këto ndryshime: 54% (2016), 65% (2017), 59% (2018) dhe 44% (2019). Për partitë e opozitës luhatjet ndër vite janë: 51% (2016), 54% (2017), 43% (2018) dhe 42% (2019). Gjithashtu, për vitin 2019, të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët (87.5%) dhe korrupsionin e nivelit të lartë (85.2%) si fenomene të përhapura ose shumë të përhapura në shoqërinë shqiptare. Të pyetur mbi përvojat personale, në vitin 2019, 15% e shqiptarëve kanë qenë dëshmitarë të korrupsionit në nivel qendror dhe 25.2% në nivel vendor.

Në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike në përgjithësi, si të shërbimeve parësore (si shëndetësia, arsimimi, furnizimi me ujë, pastrimi, etj.) dhe të atyre administrative (në fushën e pronës, sigurimit shoqëror, për biznesin, etj.), mesatarisht, më pak se gjysma e konsiderojnë situatën si të kënaqshme. Megjithatë, kur qytetarët kanë kërkuar e marrë një shërbim administrativ në 2019-n, ata janë përgjithësisht më të kënaqur sesa mesatarja me një diferencë prej pothuaj 10 për qind. Ndërkohë 70% e qytetarëve që kanë vizituar një sportel shërbimi ADISA-Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara- janë shprehur “të kënaqur” ose “shumë të kënaqur” me shërbimin e ofruar aty.  Në aspektin e përfshirjes gjinore, shumica e qytetarëve (76.5%) thonë se gratë janë po aq ta afta sa edhe burrat për të mbajtur poste publike. Të dhënat tregojnë se 6 nga 10 shqiptarë mendojnë se rritja e numrit të grave në këshillat bashkiakë ka një ndikim pozitiv në qeverisjen vendore.

Znj. Limya Eltayeb, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri tha se: “Besimi në qeverisje” është një instrument që identifikon tendencën në vite të besimit dhe perceptimit të qytetarëve mbi qeverisjen në Shqipëri. Ai ofron të dhëna të rëndësishme për orientimin e politikave, planifikimin dhe zbatimin e masave praktike, si dhe për vlerësimin e impaktit të tyre në terren. Për vitin 2020, duke marrë në konsideratë situatën e emergjencës së krijuar nga COVID-19 dhe adresimin e pasojave të tërmetit të nëntorit 2019, ky sondazh i opinionit publik bëhet dhe më i rëndësishëm për të ndihmuar në kuptimin më të mirë të sfidave dhe nxitjen e ndryshimeve të nevojshme nga këndvështrimi i qytetarëve”. Sondazhi, i iniciuar fillimisht në kuadrin e Partneritetit për Qeverisje të Hapur / Open Government Partnership, realizohet çdo vit nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) që prej 2013-s, me mbështetje nga UNDP. Duke filluar nga viti 2016, sondazhi në fjalë është realizuar në kuadrin e projektit “Mbështetje për inovacionin kundër korrupsionit: Ngritja e një modeli shërbimesh me në qendër qytetarin në Shqipëri” (ISDA Support Project), të financuar nga Qeveria italiane, Qeveria austriake dhe UNDP, si dhe i zbatuar nga Qeveria shqiptare në partneritet me UNDP-në./monitor

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme Politike

Asambleja e Shpresës: Kur “Sfidat” zgjidhen me dolli, ndërsa domatja bëhet “Luks”

VLORË – Ndërsa te tregu i fruta-perimeve qytetarët numërojnë qindarkat për të blerë dy banane,…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

“Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”/ Cilësohej si kontakt i Epstein, KiE i heq imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm

Këshilli i Evropës i ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, pas një kërkese…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Protesta e PD, Rama nxjerr foton e molotovëve: Bomba artizanale, drejtësia të veprojë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e mbajtur një natë më parë nga…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Partia Demokratike Vlorë thirrje qytetarëve për protestën e 10 shkurtit

Partia Demokratike e Vlorës u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Pse Rama nuk e pranoi dorëheqjen e Ballukut

Belinda Balluku sot në mëngjes i ka ofruar dorëheqjen Kryeministrit. Edi Rama nuk ka dashur…

LEXO ME SHUME