Në jubileun e 100-vjetorit të lindjes së etnomuzikologut dhe muziktarit të madh Ramadan Sokoli.
Sokoli, i vetëquajtur “minator i kulturës” shqiptare, padyshim që është një yll nga më të ndritshmit i yllnajës kulturologjiko-atdhetare të Rilindjes sonë kombëtare, (për çka shkencëtarët në botë e shpallën dhe dekoruan si “Oscar Mondiale del Folklore – Oskar Botëror i Folklorit”). Yll që nuk mund të mos përkushtohej për ndriçimin e të gjitha të vërtetave të fshehura enkas, apo nga pluhuri i kohës, për figurën e Skënderbe-yllit më të ndritshëm të qytetërimit shqiptar.
Për studimin mbi pasqyrimin e figurës së Skënderbeut në muzikë Sokoli kish filluar grumbullimin e materialeve qysh në rininë e hershme, i mahnitur nga gjenialiteti i popullit derdhur në tinguj e vargje dhe nga dashuria e madhe për Heroin… Dashuri e pashuar kjo në 500 vjet, ngaqë ishte dashuria më sublime: ajo për lirinë.
Pretendimeve të fqinjëve për përkatësinë e Skënderbeut, kureshtjes së dashamirësve të huaj për të vërtetën e origjinës së tij dhe vlagës së dashurisë së bashkatdhetarëve për Heroin kombëtar, Sokoli iu përgjigj me veprën shkencore “Figura e Skënderbeut në muzikë”.
Në këtë vepër albanologu i madh me të drejtë konkludoi se argumenti më solid për shqiptarësinë e Skënderbeut është shpalosja e fondit kolosal të këngëve të Heroit krijuar dhe kënduar në shekuj nga populli i tij, si dhe pohimet e këtyre të vërtetave nga studiuesit e shquar shqiptarë e të huaj në 5 shekujt e fundit. Me këto referenca Prof. Sokoli orientoi të gjithë të interesuarit që t’i konfirmonin të vërtetat për origjinën etnike dhe figurën e Skënderbeut nëpërmjet këngëve të pafundme të popullit shqiptar.
Skënderbeu në mijëra këngët e popullit të vet shqiptar
Figura e Skënderbeut ka lënë gjurmë të thella në muzikën kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe është pasqyruar vazhdimisht, qysh nga shekulli XV e deri në ditët tona.
Aq të shumta dhe aq të pasura me fakte, informacione dhe ide ishin këngët kushtuar Skënderbeut (qysh në të gjallë të Tij), saqë shumë studiues me të drejtë kanë ngritur hipotezën se autorët e monografive dhe historianët që kanë shkruar për Skënderbeun, duke filluar qysh nga Barleti, padyshim që si burime të besueshme të veprave të tyre kanë përdorur këngët e popullit. Këtij mendimi, pra për këngët si material burimor i përdorur nga Barleti dhe pasuesit për të shkruar veprat e famshme për Skënderbeun, i bashkohet edhe studiuesi rumun Nikolla Jorga në veprën e tij “Histori e shkurtër e Shqipërisë” (Bukuresht, 1914), por edhe Fan Noli në veprën “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, (Nju Jork, 1947).
Këtë argumentim e përforcon edhe historiani venecian Marcus Antonius Coccius Sabellicus, i cili pasi na bën me dije se, pas vdekjes, Heroit Skënderbe i këndoheshin mjaft këngë, në vijim thekson: “Në mesin e zjarrit të luftës, ku çdo gjë shungullon nga armët e barbarëve, grupe vajzash arbëreshe e kishin zakon të mblidheshin çdo tetë ditë në kryqëzimin e rrugëve të atyre qyteteve ku Skënderbeu sundoi, dhe t’i këndonin lavdi udhëheqësit të vdekur…”.
Më 1610, Marin Bici, në një relacion, midis të tjerash shkruan: “Luftimet e Tij të mbivlerta kundër turqve, të qituna në vargje, këndohen prej gjithë shqiptarëve, edhe në praninë e turqve”.
Më 1635, krenar për kombësinë e tij, Frang Bardhi, në fjalorin latinisht-shqip, shkruan: “Që nga koha e Skënderbeut dhe gjer tani, bashkëkombësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gostitë”.
Në një relacion tjetër të qershorit 1637, kushtuar malësorëve të Pukës, Frang Bardhi sërish pohon: “Sipas zakonit të të moçmëve, në rrugë e në punë, malësorët e Pukës këndojnë me za të naltë trimnitë e të pathyeshmit Zot – Gjergj Kastriotit, Skanderbegut”.
Vazhdimësinë e këngëve shqiptare për Skënderbeun na e dëshmon edhe Fransua Pukëvil në një vepër të botuar në Paris në vitin 1805, në të cilën shkruan rreth udhëtimit të tij nëpër More dhe mbarë Shqipërinë (1798-1801). Ai në këtë vepër, ndër të tjera shprehet: “Djemtë e Çikës i përdorin këngët e tyre për Skënderbeun e lavdishëm, për të sharë dobësitë e osmanëve”.
Në vitin 1807, në veprën e tij “Udhëtim në Greqi”, udhëtari frëng J.L.S. Bartoldi, midis të tjerash shkruan për këngët e shqiptarëve, ndër të cilat veçon ato kushtuar Skënderbeut, të cilat, sipas tij,“ishin më të bukurat e më të ndjerat”, dhe se “pikërisht ato këngë këndoheshin më shpesh dhe më me krenari prej tyre”.
Oficeri britanik I. Hatry, gjatë një udhëtimi nëpër Shqipëri, më 1 shkurt 1808 shkruan për lezhjanët se “flisnin me nderim të thellë për Skënderbeun”, dhe se “Këta këndojnë edhe sot për nder të Tij një romancë të vjetër, e cila ka një bukuri të rrallë…, dhe unë u përpoqa të siguroj një përkthim të saj”.
Në vitin 1819 autori grek Athanas Stagjiriti, në një libër që botoi në Vjenë për Epirin dhe me plot të dhëna për historinë e popullit tonë dhe të Skënderbeut, shkruan gjithashtu se “Shqiptarët akoma edhe sot i këndojnë me krenari trimëritë e Tij”.
Këtë vazhdimësi të këngëve popullore për Skënderbeun na e dëshmon gjithashtu edhe dijetari francez Ami Bue, i cili në veprën e tij “Turqia e Evropës”, botuar në Paris më 1840, na pohon se “Shqiptarët asokohe i këndonin shpesh këngët për Skënderbeun dhe Arianit Topinë”.
Edhe filologu serb Dimitrije Tucoviq, në veprën e tij “Serbia dhe Shqipëria”, në faqen 52 shkruan: “… gjatë ditëve të qëndrimit tim në Elbasan kam mësuar një këngë karakteristike për Skënderbeun”.
Dora d’Istria, në mars 1866, në studimin me titull “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, botuar në revistën “Revue des-deux Mondes”, midis të tjerash shkruan: “Nëse pushtuesi i huaj nuk lejon që t’i ngrihet Kastriotit të Madh një përmendore në vendlindjen e Tij, prapëseprapë emri i Heroit Kombëtar do të jetë gjithmonë i bekuar dhe kujtimi i Tij do të nderohet edhe me këngë të tjera të vjetra, e të reja, deri sa të rrahë zemra e çdo shqiptari”.
Maksimilian Lamberc, në botimin e titulluar “Të folmet shqiptare në Itali”, botuar në vitin 1915, shkruan: “Tek arbëreshët e Italisë vendin kryesor në epikën heroiko-historike e zë figura e Skënderbeut. Këngët që tregojnë trimëritë e Skënderbeut janë këngët më të çmueshme të tyre. Ato këndojnë luftën heroike kundër pushtuesit dhe dertet e mërgimit. Janë këngë shumë të vjetra, kanë vlerë të lartë historike, janë prodhimi më i mirë i letërsisë popullore shqiptare dhe janë dëshmi të vërteta të asaj periudhe epike, që filloi me luftën heroike kundër hordhive otomane, nën udhëheqjen e Skënderbeut, dhe mbaroi me mërgimin e dhimbshëm të tyre”.Në gjysmën e dytë të shek. IXX arbëreshi Dhimitër Kamarda shpreh keqardhjen që albanologët Hahn dhe Reinhold “… nuk mundën të qëmtonin asnjë nga ato këngë të lashta dhe historike, sidomos ato kushtuar Skënderbeut, të cilat këndohen edhe sot nga shqiptarët e Greqisë e të atdheut. Këngët që këndohen sot në kolonitë italo-shqiptare, janë padyshim ato që këndoheshin para mërgimit tonë, pra janë këngë të mesit të shek. XV, të cilat ne i morëm me vete. Shumë nga këto këngë që madhërojnë kujtimin e Skënderbeut dhe të kohës së Tij, ruhen edhe sot të freskëta midis kolonive shqiptare të Kalabrisë”.
Këto fakte i dëshmon edhe studiuesi i madh Gaetano Petrotta, si dhe autorët Vinçenco Dorza, C.P. Beri, A. Stratico, E. P. Pavolini, e sidomos Mikele Markiano.
Nga njoftimet e Pukëvilit, Bartoldit e Stragjiritit, mësojmë se këngët popullore për Skënderbeun ishin tejet të përhapura në të gjitha trevat etnike shqiptare, por më mirë janë ruajtur në trevën malore të të ashtuquajturës “Krahinë e Skënderbeut” (Midis Drinit dhe Fanit, nga njëra anë e Adriatikut, dhe Shkumbinit, nga ana tjetër).
Përtej krahinës së mirëfilltë të Skënderbeut, këto këngë arrijnë deri në Lin (Gramsh), poshtë Shkumbinit, pra në zonën polifonike.
Variantet më të shumta i kemi për këngën e rrethimit të Krujës, të vitit 1450.
Me dhjetëra këngë për Skënderbeun, tejet të vjetra e të kohëve më të vona, janë regjistruar dhe ruhen ende në fonotekën e Radio Tiranës.
Gaetano Petrotta mendonte se “këngët tradicionale arbëreshe që përmendin periudhën e Skënderbeut, padyshim që duhet të jenë krijuar dhe kënduar në kohën kur ndodhën ngjarjet e përmbajtjes së tyre”.
Kaq shumë vlerësoheshin Skënderbeu dhe luftërat e tij antiosmane, saqë ai u bë heroi i gjithë popujve të Ballkanit e më gjerë, për çka edhe u krijuan këngë të shumta, që këndonin trimëritë e tij.
Në vitin 1924, në studimin me titull “Tregime mbi Shqipërinë Veriore”, Milan Shuflai na bën me dije se këngë për Skënderbeun këndonin edhe maqedonët, dhe se këto këngë, bashkë me të tjera, ishin përmbledhur në një vepër të botuar në Shën Petersburg të Rusisë në vitin 1894.
Madje Shuflai sjell edhe dëshminë e princit bullgar Zhan Polen Foreziut, i cili kaloi nëpër Bullgari në vitin 1582 (pra 115 vjet pas vdekjes së Skënderbeut), dhe përshkruan se “në Plovdiv banorët ende rrojnë me kujtimet e madhështisë së Skënderbeut dhe gjejnë ngushëllim duke kënduar në kor një këngë të gjatë e të trishtuar, që i thur lavdi Skënderbeut dhe Mihal Komnenit, për luftërat e gjata dhe heroike të tyre kundër turqve otomanë”.
Ndërsa etnografi serb T. Gjogjeriq njofton në revistën “Jeta e popullit tonë”, botuar në Beograd në vitin 1934, se “Në rrethinat e Ohrit këndohen këngë për heroizmat e Skënderbeut”.
/Ora News.tv/