Categories Kulture

Studimi i munguar, 25 vjet kërkime për mendimin shqiptar që nga tradita e largët ilire

I nisur afro 25 vite më parë, rrugëtimi im kërshërimtar në fletoret e viteve 30-të, duket se arriti një përfundim të rëndësishëm me “Antologjinë e mendimit shqiptar” të botuar për herë të parë në vitin 2003. Ishte një libër i vëllimshëm që përzgjidhte rreth 25 autorë dhe që shtrihej në një hapësirë kohore prej 70 vitesh. Qasja e parë me një  mendim të mohuar prej dekadash ishte sa ngazëllenjëse aq edhe traumatike. Lexohej mrekullisht shpirti dhe psikika shqiptare e ngritur në një vertikalizëm të paparë ndonjëherë më parë dhe kuptohej se sa shumë kishte humbur mendimi i sotëm nga mos-njohja apo mos-pasja për traditë të më parshme këtë shkëlqesë intelektualiteti dhe fisnikërie. Dalngadalë kërshëria u kthye në mision, kurse njohja në një përgjegjshmëri për ta ndërfutur këtë mendim në shkollën dhe universitetin shqip. Para 10 vitesh puna e një brezi të tërë admiruesish dhe përkrahësish të këtij mendimi solli organizimin e një konference shkencore mbarëkombëtare dhe hartimin e nje promemorie. Vetëm se kjo ishte një arritje institucionale.

Mendimi shqiptar i viteve 30-të donte të bashkohej “me vëllezërit e vet” në rradhën e mendimit shqiptar historik. Lexoja artikujt e lëvizjes më të dëgjuar mendore që ky mendim prodhoi, neoshqiptarizmën,  dhe shikoja se ata kishin arritur të ndërtonin një marrëdhënie të brendshme dhe një vijimësi logjike të lëvizjes së tyre me Rilindjen, ndaj që ta vendosje dhe pozicionoje denjësisht në hartën e kulturës dhe historisë shqiptare këtë mendim, duhet t’i bashkëngjitje edhe mendimtarët e Rilindjes a të parapavarësisë. Mirëpo, këta të fundit, nisur nga studimet dhe vlerësimet e dhjetëvjeçarit të fundit, duket të kenë pasur pararendës dy rilindjet e vogla arbëreshe të viteve ‘800. Atëherë për të kuptuar dhe dizenjuar më vërtetësisht  së brendshmi këtë mendim, u pa kështu e arsyeshme që periudha kohore e “kampionit studimor” të rritej deri në 150 vjet dhe të prekte sinorët e shekullit XVIII, kur dhe qe botuar diçka e rëndësishme e një mendimtari arbëresh si Engjëll Mashi, që në vitin 1807. Lindi kështu “Enciklopedia e mendimit shqiptar” në tre vëllime dhe afro 80 autorë, që pa dritën e botimit para afro 5 vitesh. Meqenëse interesi ish rritur edhe nga bota e shkollës dhe ajo akademike,  “sonda”  e kërkimit të hallkave lidhëse të mendimit të viteve 30-të me mendimin e Rilindjes, filloi të nxjerrë xhevahirë që zbulonin se kjo Rilindje kishte pasur një lidhje të sajën edhe me humanizmin e katolikëve të famshëm të “5B” të veriut (Barleti, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani). Ishte kodi i burimit etnik ai që vepronte si fill lidhës i të dyja këtyre lëvizjeve mendore. Natyrshëm bëhej fjalë për të tjerë horizonte e për të tjera realitete që shkriheshin dhe trashëgonin veçori te njëri-tjetri, ndaj për të kuptuar njësinë e këtij mendimi dhe rrugëtimin e brendësisë së tij më të qëndrueshme dhe më të qenësishme nevojitej të bëhej lidhja midis lëvizjes së humanizmit të klerikëve të veriut me humanizmit latino-arbëror të shekullit XV-XVI. E nisur nga ideja për të studiuar këtë “brez të argjendtë” mendimtarësh të viteve 30-të, kërkimi i vijimësisë dhe marëdhënies së tyre të brendshme me pjesët e tjera të mendimit, më solli kështu në idenë e krijimit të një historie të mendimit shqiptar, që kulmon si një njësi e tërë dhe organike në atë “shekull të madh” që përbën për gjithë mendimin shqiptar, mendimi i para dy luftrave.

Kërkimi i njëmendtë, pavarësisht se pjesët e kësaj njësie mendimi lëvizin në sinorë të ndryshëm kulture dhe nëpër një truall të veçantë realiteti historik, prirej të gjente përbërësit bashkues të njëra-tjetrës, që të gjitha së bashku u derdhën në lumin e madh të shpirtit dhe psikikës së kombit që vërshoi vrullshëm me gjithë erudicionin dhe fuqinë e vet mendore, pikërisht në ato vite të mëdha të historisë sonë. Kjo më bëri të synoja jo vetëm një histori të ngjarjeve, por edhe një histori të kulturës dhe mendimi, të qytetërimit shqiptar. Mund të duket sikur shpesh herë horizonti i kulturës dhe i mendimit zëvendësojnë njër-tjetrin, por e gjitha kjo ka qenë e qëllimtë. Çabej pat shkruar se çdo lëvizje mendore që të konkretizohet, më parë krijon frymën dhe artmosferën e vet. Duke dashur të jemi sa më të vëmendshëm në shpalosjen e kësaj frymë dhe atmosfere kulturore që kristalizoi në kohë të ndryshme mendimin shqiptar, herë pas here në libër do të ketë ndërkallje të këtyre horizonteve, por gjithmonë nën funksion të nxjerjes në pah të realitetit krijues të vetë mendimit. Një tjetër përkujdesje i është kushtuar edhe mos- rënies në kurthin e “kulturës për kulturë” dhe “mendimit për mendim”. Qëllimi përfundimtar ishte të gjeheshin vlerat e trashëguara dhe të nevojshme deri më sot të traditës së mendimit tonë, për ta hallkëzuar atë me nevojat dhe problematikat e mendimit të sotëm, një mendimi që të ndikojë dhe udhëheqë jetën shoqërore të gjithë sistemi-vend shqiptar. Është një detyrë e vështirë, kryqi dhe kalvari i gjithë intelektualitetit tonë, formimi i Elitës dhe opinionit publik, ndaj një libër- i historisë së një tradite siç është edhe historia e  mendimit shqiptar është gjithmonë një ndihmë e çmuar që s’duhet lënë kurrë pa u përdorur si një instrument i dobishëm. Madje, nisur nga vlerat sipërore të mendimit të Rilindjes dhe atij të viteve 30-të që tashmë janë bërë të disponueshme, shfaqej si imperative (urdhëruese) nevoja që ato të  hallkëzoheshin në një njësi me mendimin e shkuar dhe atë të  sotshëm. Këtë qëllim synoj të kem arritur me këtë libër. Tashmë lexuesi ka në duar jo vetëm “tekstin (“Antologjinë”, “Enciklopedinë”, vepër-përmbledhjet e secilit prej autorëve) e mendimit shqiptar të njohur dhe të ndaluar nga regjimi komunist, të para dhe pas  shpalljes së pavarsisë, bashkë me atë të viteve 30-të të shekullit të kaluar , por edhe një “interpret” të këtij teksti, në një shkrirje rrafshesh e horizontesh të të dy mendimeve, sipas metodës më të mirë të hermeneutikës, që do t’i shërbejë si një udhërrëfyes në “problematicitetin” (për ta thënë sipas Merxhanit) e përditshmërisë së shoqërisë shqiptare. Është kjo një vepër e munguar, që plotëson një boshllëk të madh që duhej të ishte mbushur me kohë nga institucionet tona akademike. Aq më tepër është një histori mendimi, që përmbledh në një prurje nga fusha të ndryshme, ndaj si shtrojë e parë e një rrugëtimi, paraqitej e vështirë dhe sfiduese. Megjithatë, sjellja në duart e lexuesit e një vepre kaq të domosdoshme për studimin e mendimit të prodhuar ndër vite nga elita shqiptare, tashmë ka përmbyllur edhe qarkun e rrugëtimit tim gjatë këtyre tri dekadave në qëmtimin dhe dëshmimin e këtij mendimi, sidomos në pjesën e tij të viteve 30-të.

Ndriçim Kulla, studiues, botues dhe publicist i dhjetëra veprave

“Antologjia e mendimit shqiptar 1840-1945”

“Dritëhije shqiptaro-greke”

“Neoshqiptarizmi një model i braktisur”

“A jemi shqiptar apo do të bëhemi”

“Etika dhe Iluminimi”

“Për rishkimin e historisë shqiptare”

“Çelësa për të hapur thesarin fishtjan”

“Poetë të mëdhenj në letërsinë shqiptare”

“Mendimi filozofik, sociologjik dhe psikologjik shqiptar”

“Mendimi kritik letrar shqiptar”

“Rikthimi tek etërit tanë themelues”

“A ka jetë përtej së majtës dhe së djathtës”

“At Giuseppe Valentini albanologu më i madh i shekullit të

XX-të”

“Binjaku i Nënë Terezës”

“Ylli i shkrimtarit – Një biografi e shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare nga koha e tiranisë deri në ditët e sotme”

“Enciklopedia antologjike e mendimit shqiptar vëllimi i I”

“Enciklopedia antologjike e mendimit shqiptar vëllimi i II”

“Enciklopedia antologjike e mendimit shqiptar vëllimi i III”

“Koha për zgjim”

“Atlasi i shkruar i Kadaresë”

“Cilët jemi ne shqiptarët”

“Shtegshënjimet e mendimit shqiptar”

“Marrëdhëniet Shqiptaro – Amerikane”

“Historia e mendimit shqiptar”

“100 vjet pavarësi kombëtare –Album”

“Shqipëria dhe Bota në veprën e Kadaresë – Album”

“Shqipria e bukur – Album”

“Berati një qytet i prjetshm – Album”

“Vlora qyteti që lindi nga bukuria – Album”, etj

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Takimi  i pa harruar  me Kadarene, Nga Arben  Meksi

Takimi  i pa harruar  me Kadarene Botuesi  i vepres se  Ismail Kadarese ,Bujar Hudhri,here pas…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Fest Folk 2024 “Sofra Konispolate”, nata e dytë me dhjetra grupe artistike nga Konispoli, Saranda, Delvina, si dhe nga mbarë Shqipëria dhe Kosova

Për dy netë radhazi, me nismën e bashkisë së Konispolit dhe mbështetjen e Këshillit të…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Në Pallatin e Kulturës “Labëria”, u zhvillua faza finale e festivalit “Gurra Folk Fest”, edicioni i VI

Për të gjashtin vit radhazi, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në koordinim me Drejtorinë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME