Sulmi masiv kibernetik mbërrin në Greqi, tentojnë të çojnë frigoriferët në 150°C, alarm në supermarketet e Athinës
Pas disa vendeve të Europës, edhe Greqia është përfshirë nga një valë sulmesh kibernetike, të cilat kanë prekur sistemet e frigoriferëve në supermarkete dhe biznese ushqimore.
Sipas mediave greke, denoncimi i parë është bërë nga një kasap në Athinë, i cili ka njoftuar autoritetet pasi ka konstatuar ndërhyrje të dyshimta në sistemin e frigoriferëve.
Pronari ka deklaruar se persona të panjohur kanë tentuar të ndryshojnë temperaturën e frigoriferëve deri në 150 gradë Celsius. Probleme të ngjashme janë konstatuar edhe në një supermarket dhe një tjetër biznes ushqimor në të njëjtën zonë.
Incidente të tilla janë raportuar më 2 nëntor edhe në Belgjikë, Holandë, Suedi, Luksemburg, Irlandë, Estoni dhe Finlandë.
Në total, mbi 100 dyqane europiane kanë raportuar probleme me frigoriferët dhe ngrirësit pas incidenteve kibernetike.
Në disa raste, dëmet kanë qenë të konsiderueshme, duke detyruar kompanitë të largojnë nga shitja produktet e freskëta dhe të ngrira, për të garantuar sigurinë e konsumatorëve.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur origjinën e sulmeve, identifikimin e autorëve dhe qëllimin e ndërhyrjeve në sistemet e ftohjes.
