Ola Mitre , Rreth 10.1 mld lekë u tenderuan nga njësitë e qeverisjes vendore gjatë periudhës 31 mars deri 25 qershor 2020, ndonëse Agjencia e Prokurimit Publik përmes një urdhri pezulloi të gjitha procedurat e prokurimit publik, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, për ato objekte prokurimi, të cilat nuk lidheshin ngushtësisht me situatën e pandemisë dhe për ato objekte që nuk janë te domosdoshme.
Në funksion të këtij udhëzimi, APP dhe Ministria e Shëndetësisë publikuan edhe një udhëzues të përbashkët, ku orientonin autoritetet kontraktore mbi materialet që mund të prokuroheshin, ku përfshihen: maskat, dezinfektantët, alkooli apo produkte të ngjashme. Por, në kundërshtim me këtë rregull bashkitë në të gjithë vendin hapën gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore 980 procedura tenderuese, ndërkohë që objekti i tyre ka të bëjë me punë, mallra apo shërbime të ndryshme, por jo të gjitha lidhen me situatën e krijuar nga COVID-19.
Në grafikë: Tenderët e shpallur nga 61 bashkitë gjatë kohës së pandemisë
Shërbim me roje private, ndriçim me llamba led, blerje kancelarie, punime ujësjellësish apo blerje pjesë këmbimi për mjetet e bashkisë janë disa prej objekteve të tenderëve të zhvilluar gjatë periudhës së pezullimit. “Mua nuk më rezulton të ketë pasur pezullim të shpalljeve të reja. Tenderët janë për prokurime të ndryshme, janë shërbime, investime, etj. pra të fushave të ndryshme. Shikojmë që janë kryer lloj-lloj procedurash, ndaj se kuptoj çfarë kuptimi ka pezullimi i procedurave nga ana e APP-së”, thotë ekspertja e prokurimeve publike, Aranita Brahaj. Sipas të dhënave nga openprocurement.al, Bashkia e Tiranës ka realizuar numrin më të lartë të procedurave tenderuese gjatë kësaj periudhe me 160 tenderë të shpallur, ndërsa pas saj vjen Bashkia e Durrësit me 46 tenderë.
Sipas të njëjtave të dhëna rezulton se Bashkia Pogradec shpalli 35 procedura, ajo e Elbasanit 34 procedura, ndërsa Vlora e Saranda nga 28 procedura tenderuese. Sipas ekspertes Brahaj procedurat e zhvilluara duhet të analizohen në detaje për të kuptuar nëse lidheshin me nevoja emergjente, por për të edhe vetë urdhri i nxjerrë nga Agjencia e Prokurimit Publik ishte problematik.
“Mendoj që marsi ishte një muaj i vështirë në vendimmarrje dhe mesa duket institucionet kanë rezultuar në vendimmarrje jo shumë të duhura sepse nëse i kthehemi periudhës së bllokimit u krijua një paralizë ekonomike që nuk ka dhënë ndonjë element të favorshëm. Pra, mendoj që vetë urdhri ka qenë për t’u rishikuar shumë shpejt”, thotë Brahaj. Megjithatë, urdhri i APP-së u pezullua vetëm me përfundimin e periudhës së fatkeqësisë natyrore, që zyrtarisht u mbyll në datën 25 qershor, por sipas Brahajt, “fakti që udhëzimi mund të jetë marrë në nxitim e sipër, e klasifikon si një rast për të mos i parë efektet e tij”.
TENDERË “ NË TAVOLINË”
Paralelisht, të dhënat e analizuara tregojnë se shumë procedura tenderuese janë realizuar me prokurim të drejtpërdrejtë, ndonëse një pjesë e mirë e tyre nuk lidhen aspak me nevoja emergjente. Sipas legjislacionit në fuqi, procedura me negocim, pa shpallje paraprake parashikon që autoriteti kontraktor i përzgjedh vetë operatorët ekonomikë dhe negocion kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre.
Por, kjo lloj procedure përveçse sipas ekspertëve kufizon konkurrencën, mund të përdoret vetëm në disa raste specifike e më konkretisht, kur në përgjigje të dy procedurave të njëpasnjëshme nuk është siguruar konkurrenca minimale, kur për arsye që lidhen me të drejtat ekskluzive ose të drejtat e autorit, kontrata nuk mund të ekzekutohet përveçse nga një operator i vetëm ekonomik ose kur për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor, afati kohor për procedura normale nuk mund të respektohet. Sipas ekspertit të ekonomisë, Pano Soko, kjo klauzolë mund të gjejë shpjegim për tenderët e zhvilluar për higjienizimin e ambienteve, si një nevojë e paparashikueshme në fillim të vitit pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, kur edhe institucionet bëjnë parashikimet për tenderët. “Përveç këtyre, të gjithë tenderët e tjerë janë minimalisht të kontestueshëm në Agjencinë e Prokurimit Publik,” shpjegon Soko.
Edhe Selami Xhepa, profesor në Universitetin Europian të Tiranës, shprehet se COVID-19 nuk mund të përbëjë argument për të shkelur procedurat e konkurrencës për shërbimet publike të tenderuar gjatë pandemisë. “Për më tepër, pjesa më e madhe e procedurave kryhen në forma elektronike, online ndaj nuk e shoh të arsyeshme këtë lloj sjellje të administratës në raport me përdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë”, shpjegoi Xhepa. Sipas të dhënave zyrtare, autoritetet kontraktore zhvilluan tenderë “në tavolinë” edhe për ato procedura, që ishin parashikuar qysh në nisje në vitit. Për shembull, Bashkia Vlorë prokuroi në këtë formë shërbimin e ruajtjes me roje private, Bashkia Librazhd tenderoi “Drenazhimin e rrëshqitjes Rrapun, Dorez”, Bashkia Roskovec blerjen e karburantit, vajit dhe grasos për Ndërmarrjen e Shërbimeve, Bashkia Shkodër, shërbimin e pastrimit të qytetit, ndërsa Bashkia Lezhë “Shërbimin e mirëmbajtjes së programit të Menaxhimit të Taksave dhe Tarifave Vendore”. Ndërkaq, të dhënat e analizuara tregojnë se kufizim pati edhe në drejtim të numrit të operatorëve ofertues që morën pjesë në procedurat pa shpallja gjatë periudhës së epidemisë.
Sipas Selami Xhepës, çdo masë që kufizon konkurrencën në treg paraqet efekte negative, pra në fund të procesit çmimi për produktin apo për të mirën e ofruar rezulton të jetë i lartë. “Kjo është arsyeja që procedurat konkurruese janë të pazëvendësueshme dhe janë instrumenti kryesor që promovon edhe legjislacioni i vendit,” tha ai. Edhe sipas Sokos arsyeja e zhvillimit të tenderëve
është pikërisht kursimi i parave publike. “Shteti duhet të bëjë tenderë të hapur, duke vendosur në garë kompanitë me njëra-tjetrën për shërbimet që do të blejë dhe operatori ekonomik të ulë çmimin për publikun,” shpjegoi Soko. “Nëse i heqim këto mekanizma ne nuk po mirëpërdorim paratë publike, por thjesht po blejmë aty ku duam”, shtoi ai. Sipas ligjit “Për prokurimin publik” shkelja e rregullave për zhvillimin e tenderëve me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit dënohet me gjobë nga 20 mijë lekë deri në 1 milion lekë.
Por, deri më tani nuk është njoftuar ndonjë masë e tillë administrative. Publikisht, në datën 24 prill, Agjencia e Prokurimit Publik i rekomandoi autoriteteve kontraktore të shmangin procedurën me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit. Po ashtu, APP kërkoi nga institucionet edhe planifikimin e nevojave të reja që do të kenë për mallra, punë apo shërbime për përballimin e situatës në periudhë afatgjatë. Pavarësisht rekomandimit, institucionet vazhduan procedurat e drejtpërdrejta të tenderimit dhe jo vetëm për mallra e shërbime që lidhen me COVID-19, por edhe për nevoja të tjera, një pjesë e të cilave të planifikuara që në fillim të vitit.
TENDERËT SEKRETË
Sipas ekspertes Brahaj, “ky është vit i dështimeve, në drejtim të prokurimeve, ku ndër të tjera Këshilli i Ministrave i imponoi sistemit, i imponoi APP-së dhe autoriteteve kontraktore rregulla të vendosur me VKM, duke anashkaluar ligjin”. Kështu teksa, vendi ynë nuk kishte regjistruar asnjë rast me COVID-19, në datën 26 shkurt 2020, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit”. Ndër të tjera, ky vendim parashikonte një pikë të veçantë për “procedurat që kërkojnë edhe masa të veçanta sigurie”.
Më konkretisht në këtë pikë thuhej se “në rastet kur autoriteti kontraktor do të realizojë një kontratë, e cila shoqërohet me elemente që kërkojnë masa sigurie të veçanta, për hartimin e dokumentacionit, administrimin, publikimin e tij do të aplikohen rregullat e parashikuara në legjislacionin për sigurimin e informacionit të klasifikuar në fushën industriale”. Ishte kjo pikë që sipas Partisë Demokratike u përdor nga Ministria e Shëndetësisë për të realizuar minimalisht 4 procedura për të cilat nuk u bë publike asnjë e dhënë. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, gjatë një deklarate për mediat më 6 prill e akuzoi qeverinë shqiptare se përdori situatën e epidemisë për të fshehur paratë që ka shpenzuar për të blerë disa pajisje mjekësore.
“Ministria e Shëndetësisë ka klasifikuar si sekret shtetëror 4 tenderë të kryer me urgjencë për blerjen e këtyre pajisjeve. Në datën 21 mars dhe 3 prill, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që me tender sekret 24 orësh të furnizohet me mjete mbrojtëse për stafet shëndetësore; të blejë kite për laboratorin e QSUT-së; të trajtojë mbetjet spitalore të pacientëve me COVID-19 dhe të blejë respiratorë për të rritur dhe fëmijë”, deklaroi atëherë Alibeaj. Gjithashtu, PD akuzoi ministrinë se dogji dokumentet e tenderëve duke bërë publik edhe një e-mail zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, ku sipas të cilit pretendonte se vërtetoheshin akuzat, se më 15 prill u dogjën nga zyra e prokurimeve, dokumente që lidhen me tenderët për blerjen e pajisjeve mjekësore në situatën e pandemisë. Ministria e Shëndetësisë ka mohuar akuzat, duke deklaruar se e-mail-i është pjesë e protokolleve të sigurisë. “Zbulimi i bërë sot nga PD-ja i referohet një e-mail-i “tërheqje vëmendje” të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj së cilës më pas është marrë masë administrative”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Megjithatë, sipas Brahajt forma e prokurimit e zgjedhur nga Ministria e Shëndetësisë ishte tërësisht e gabuar. “Përveç se kontrata me karakter të klasifikuar, procedurat u zhvilluan me një numër të kufizuar prokuruesish, por ka qenë pikërisht momenti për të bërë të kundërtën”, thotë Brahaj. “Ishte momenti për të bërë blerje me njoftime sa më të gjera dhe nga blerës të ndryshëm
sepse duke mos pasur në qarkullim mallra të rëndësishme shëndetësore që kanë të bëjnë me pandeminë, duke pasur regjime kufizuese për shkak të mbylljes së eksporteve nga shumë vende, qeveria nuk duhet të synonte të bënte blerje përmes tregtarëve që ajo i njihte, por duhet të rriste mundësinë për të njohur, për të aksesuar sa më shumë tregtarë”, shton më tej ekspertja. Ajo sjell në vëmendje praktikat e ndjekura nga vendet e tjerë që u bënë pjesë e sistemeve apo aleancave, ku blerjet synoheshin në një treg më të gjerë, qoftë edhe blerjet më të thjeshta të maskave.
“Qeveria shqiptare nuk nxori ndonjë udhëzim për atashetë ekonomikë, nuk nxori një udhëzim për ambasadat, as nuk kërkoi të lobonte me dhoma tregtie për të parë se ku mund të prokuroheshin materiale, të cilat për shembull ishin të ndaluar që një vend i Bashkimit Evropian t’ia shiste Shqipërisë”, thotë Brahaj. Përveç mungesës së transparencës, përzgjedhja e kësaj forme tenderimi duket se ka sjellë defektin më të madh në drejtim të prokurimeve publike, që lidhet pikërisht me mos sigurimin e mallit që kërkon të blesh.
“Qëllimi i një tenderi është ta sigurosh dhe ta sigurosh me një çmim efecient dhe realist në treg, të cilin ta sjell edhe konkurrenca e hapur. Në rastin e Shqipërisë jam e sigurt, megjithëse nuk ka shumë transparencë që nuk ia ka dalë të sigurojë me blerje dhe në kohën e duhur aq shumë pajisje mjekësore sa do t’i duheshin një vendi për të qenë pak më i qetë”, shprehet ekspertja. “Për shembull thuhej që Shqipëria kishte 170 shtretër të terapisë intensive në sistemin shëndetësor para pandemisë dhe aktualisht thuhet se ka 260 shtretër.
Por, nëse shikojmë shifrat e respiratorëve që kanë ardhur si dhurata nga vend të ndryshme, qoftë nga SHBA apo BE rezulton që sasia të cilat ka arritur të prokurojë ministria në 2 prej proceduarve (njëra ka qenë e klasifikuar) është minimaliste e thuajse nuk ekziston”, shton ajo. Aktualisht, tenderët e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e të klasifikuar si “sekret” po hetohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK, njoftoi më 30 prill se janë duke kryer hetime intensive për procedimin penal që ka për objekt prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë së COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes dhe se po verifikohen denoncimet publike për prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë me procedurë të klasifikuar “secret.

