Jack Ma, miliarderi që nisi tregtinë elektronike në Kinë, do tërhiqet zyrtarisht sot nga posti i kryetarit ekzekutiv të Alibaba. Bashkëthemeluesi i perandorisë së ‘Alibaba’ po feston daljen në pension me një festë të madhe të zhvilluar në një stadium me përmasa olimpike në qytetin e tij të lindjes, Hangzhou. Pas dy dekadash, ku ktheu Alibaba-n në një biznes prej 460 miliardë dollarësh, Ma tani do përqendrohet në filantropi.
Ai ngriti fondacionin Jack Ma Foundation në vitin 2014 dhe u shpreh se u frymëzua nga Bill e Melinda Gates për të bërë bamirësi. “Para se të mbush 70 vjeç, unë mund të bëj diçka në fusha të tjera si arsimi,”-tha Ma në një event të Alibaba shtatorin e kaluar.
Ma njoftoi qëllimin e tij për të dhënë dorëheqjen një vit më parë. Edhe pas largimit nga drejtimi dhe bordi i lartë i Alibaba, ai pritet që do vazhdojë të jetë pjesë e së ardhmes së kompanisë gjatë gjithë jetës së tij përmes anëtarësimit të tij në Alibaba Partnership, një grup prej 36 personash që mund të emërojnë shumicën e drejtorëve në bord. Ai gjithashtu mban 6.22% të kompanisë. Si një anëtar i Partisë Komuniste, Ma është sipërmarrësi më i famshëm i Kinës dhe me një pasuri prej afro 40 miliardë dollarë, njeriu më i pasur i vendit.
Por gjithashtu është ish-mësues i gjuhës angleze dhe shpesh ka folur për pasionin e tij për arsimim. Data që Ma zgjodhi të tërhiqej zyrtarisht, 10 shtatori, është Dita e Mësuesve në Kinë. Por edhe 55-vjetori i lindjes së tij.