Koncert i veçantë me orkestrën e harqeve në Teatrin “Petro Marko”. Profesor Liu, siç e thërrisnin të gjithë shkurt me respekt, për kohën që jetoi dhe punoi, i dha emrin e tij muzikës qytetare vlonjatë
Theodhori Proko Këto ditë, në sallën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, Qendra e kulturës dhe artit, në vazhdimësi të veprimtarive të here pas hershme, që mbajnë ndezur atmosferën artistike dhe gjallërinë e jetës kulturore të artdashësve, organizoi një koncert të veçantë me orkestrën e harqeve që la mbresa te spektatorët. Jo vetëm për repertorin e zgjedhur me shije artistike dhe interpretimin virtuoz të instrumentistëve nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Oleg Arapi, por edhe për faktin se ishte një koncert homazh në nderim të një personaliteti të shquar të muzikës vlonjate në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, të paharruarit,Themistokli Mone. Profesor Liu, siç e thërrisnin të gjithë shkurt me respekt, për kohën që jetoi dhe punoi, i dha emrin e tij muzikës qytetare vlonjatë. Kontaktet e para me muzikën i mori që në fëmijërinë e hershme, kur i ati, Gaqi, hapi kinemanë e pare në qytet dhe ai shkonte pothuajse çdo ditë dhe “harrohej” pas kolonës zanore.
Në vitet e para të pas çlirimit, duke u bazuar në traditën e klubit patriotik “Labëria”, mes vështirësive të shumta, me përkushtim e këmbëngulje, ngriti pranë shtëpisë së kulturës formacionin e vet orkestral, të përbërë tërësisht nga instrumentistë amatorë. Fatkeqësisht, shumë prej tyre veç pasionit dhe talentit, nuk kishin as shkollimin më minimal muzikor, nuk njihnin notat dhe luanin siç thotë populli “me vesh”. Kështu që, profesorit ju desh ta fillonte punën nga “hiçi” duke harxhuar orë të tëra gjatë provave për t’iu mësuar teorinë e solfezhit. Prej atij fillimi dhe për më shumë se tridhjetë vjet, vështirë se mund të gjesh veprimtari muzikore të organizuara në Vlorë, që të mos kenë gjurmët e punës krijuese të profesorit. Edhe tani, pas kaq kohësh, ata, fëmijët e dikurshëm që rrugë timin artistik e nisën nga “Shtëpia e Pionierit” e nën udhëheqjen e profesorit u formuan si instrumentistë e këngëtarë që sot interpretojnë me suksese dhe në skenat Europiane, e kujtojnë me mirënjohje.
E nderojnë me respekt, të gjithë ata që në vite kanë qenë pjesë e bandës frymore të qytetit, kur ai e drejtonte këtë formacion muzikor. E kujtojnë të gjithë ata instrumentistë, këngëtarë e valltarë, që kanë përfaqësuar Vlorën në festivalet folklorike të Gjirokastrës, si udhëheqësin artistik të grupit që punonte me muaj të tërë për t’i përgatitur si ansambël dinjitoz për konkurrim. Themistokli Mone, është ideatori dhe “ustai” që formoi trion e famshme vlonjate, me këngëtarët Reshat Osmani, Kostandin Thana e Meliha Doda, këngët e të cilëve fishkëllehen edhe sot nga adhuruesit e muzikës popullore.
Ansambli Drejtuesi i pare i ansamblit “Labëria”, drejtuesi më jetëgjatë ishte pjesë e kulturës, udhëheqësi artistik i shumë festivaleve për fëmijë dhe të rritur, i kudondodhur, i papërtuar, i palodhur, profesor Liu, gjente kohën për të hedhur në pentagrame dhe krijimet e tij. E ato kanë arritur deri në ditët tona, ashtu të freskëta, siç buruan nga zemra e tij. Shumë prej tyre kanë marrë autorësinë “popullore”, sepse ai ishte njeri modest, që e urrente famën e gjithçka ja kushtoi zhvillimit të muzikës në qytetin e tij e për njerëzit e tij që e donin dhe e respektonin, duke e shpërblyer me duartrokitjet e tyre.
Të gjitha këto, që në tërësinë e vet përbëjnë tiparet njerëzore dhe muzikore të Themistokli Mones, u sollën në kujtesën e spektatorëve para fillimit të koncertit si një homazh nderimi dhe vlerësimi, nga drejtori i Qendrës së kulturës dhe artit, zoti Dhimitraq Furxhi. Dhe ashtu siç do të donte profesori nëse do të ishte si dikur mes violinave në këtë skenë ku erdhi djalë i ri dhe u largua i mbuluar nga thinjat, jehonën e fjalëve e përcollën tingujt e orkestrës së harqeve, nën dirigjimin e njërit prej atyre që formimin e vet muzikor e ka nisur në Vlorë, në “kohën” e profesor Liut, sot, me titullin doktor, Oleg Arapit.
Në ato vite kur profesor Liu punonte me talentet e reja, duke i inkurajuar dhe drejtuar në rrugën e vështirë të artit, ai djaloshi i ri, që kishte filluar të luante në fizarmonikë në skenat e “vogla” të qytetit të lindjes, as në ëndrrat më të bukura nuk mund ta mendonte se një ditë do të dirigjonte formacione të ndryshme orkestrale në skenat e mëdha të Europës. Në Qendrën ndërkombëtare të muzikës në Moskë, në Kapelën Perandorake në Shën Petërburg, në Poloni, Ukrainë, Çeki, Itali e deri në Ekuador dhe Argjentinën e largët, duke u bërë ambasador i kulturës së vendit të tij. Por, kurdoherë mbeti i thjeshtë dhe modest, duke u rikthyer herë pas here në skenën nga nisi udhëtimin e tij artistik, në ndihmë të talenteve të reja. Ndaj dhe publiku e duartrokiti gjatë, kur me shumë ngrohtësi, me buzëqeshje inkurajuese në fytyrë drejtonte në interpretimin e saj solo, violinisten e vogël dhjetë-vjeçare, Klea Bardhoshi.
Në atë mbrëmje të bukur, kërkesave të maestro Arapit, ju përgjigjën me lojën e tyre interpretative, instrumentistët Mimoza Muço, Enea Fetahu, Beatriçe Loli, Eduard Bardhoshi, Dorina Laro, sopranoja Nina Muho, këngëtarja Eliona Liçaj dhe së bashku me gjithë të tjerët, si një ansambël harmonik, përcollën te spektatorët e shumtë tingujt – homazh, në 100-vjetorin e lindjes së atij personaliteti muzikor, që me të drejtë është quajtur “babai” i muzikës së kultivuar qytetare vlonjate, “Artistit të Merituar”, Themistokli Mone