Pas ndarjes së Norës dhe Robertit, rradhën e ka Tuna dhe Patrisi.
Vetëm një javë pasi Robert Berisha deklaroi divorcin nga partnerja e tij prej 14 vitesh, Nora Istrefi, nisi të qarkullojë lajmi se edhe çifti tjetër brenda familjes janë ndarë.
Sipas burimeve, Tuna Sejdiu i ka dhënë fund martesës nga Patris Berisha, po ashtu prindër të një djali, siç edhe Nora e Roberti janë prindër të një vajze. Dyshimet lindën pasi Tuna u pa të pushonte pa Patrisin në ishullin afrikan “Mauritius” në Oqeanin Indian, nga ku po poston foto e video të aventurave atje. Nga ana tjetër, edhe Patrisi duket se është për pushime në një tjetër destinacion pa Tunën.
Duke u nisur nga lajmet që nisën të qarkullonin në portale, Tuna bëri statusin se “në 2019-ën, robi mund të pushojë edhe vetëm”, por e la me dyshim çështjen e Patrisit. Sipas miqve të çiftit, është pak e çuditshme që Tuna dhe Patrisi të pushojnë të ndarë, që do të thotë se ata tashmë kanë marrë një vendim për mbylljen e marrëdhënies së tyre. 34-vjeçarja u nis për pushime së bashku me miken e saj dhe jo me bashkëshortin dhe kjo është shenja e qartë se ajo sapo e ka mbyllur kapitullin e martesës.
Në fakt, nuk është hera e parë që 34-vjeçarja nga Shkupi të përflitet për ndarje nga instrumentisti i muzikës klasike nga Prishtina, Patrisi. Ata patën një krisje të fortë në 2017-ën dhe një tjetër vjeshtën e vitit të kaluar. Në atë kohë, mediat e komentuan Tunën si “nusja që futi në sherr vëllezërit Berisha, nga konflikti për fëmijën jashtë martese deri te zënia me forcë e banesës”.
Kujtojmë që konflikti në familjen e vëllezërve muzikantë Berisha, Robert dhe Patris, ishte kryetema e mediave për javë të tëra. Pas deklaratës në ekran të bashkëshortit të Tuna Sejdiut se “Vëllau është si shkjau”, i cili mbante anën e gruas në këtë konflikt të brendshëm familjar, pati shumë komentues, të cilët e konsideruan këtë një deklaratë nga më të fortat që vëllai mund të bëjë për vëllain.