Në vigjilje të sfidës së nesërme ndaj Kastriotit, në orën 13:45, në stadiumin e qytetit të Kamzës, në konferencën për shtyp përpara këtij takimi, trajneri Ilir Daja ka folur përpara mediave duke deklaruar se me drejtuesit e të kuqve ka marrëdhënie të mira dhe se nuk e ka menduar dorëheqjen sepse ka pasur raporte të qendrueshme me ta dhe me lojtarët:
Treni i fundit i Partizanit – “Ne kthesën e kemi pritur javë pas jave, natyrshëm që çdo javë dhe java më e rëndësishme është kjo me Kastriotin sepse do të mundohemi që të shkojmë drejt fitores. Vetë fitorja duhet të jetë në bazë të një logjike, për ta thënë më popullorshe, ‘mendja duhet të jetë akull dhe zemra duhet të jetë flakë’.
Marrëdhënia me drejtuesit – “Të paktën sipas gazetës tuaj unë nuk i kam marrëdhëniet e mira me drejtuesit, sepse ka 2-3 muaj që përmendet se Daja ka probleme me drejtorin.
Ne jemi në kontakt çdo ditë , kemi një marrëdhënie shumë të mirë, pavarësisht se kemi mendime të ndryshme se në fund fare gjërat shkojnë përpara kur ka një debat konstruktiv, por marrëdhënia është e shkëlqyer. Secili bën punën e vet dhe ka hapësirën e vet në atë që bën. Kam kontaktuar me drejtuesit , për të parë mundësinë e zgjidhjes sa më emergjente të situatës.”
Dorëheqja – “Jam nga ato trajnerë që nuk i shmangen përgjegjësisë edhe e vetmja gjë nuk e kam bërë publike deri në këto momente një dorëheqje të parevokueshme ka qenë fakti se përveç marrëdhënieve shumë të mira që kam me drejtuesit gjithashtu edhe me lojtarët ka qenë dhe fakti që nuk doja të shmangesha përgjegjësive, por që kemi analizuar çdo gjë me detaje se cila është më e mira e Partizanit. Ne do të bëjmë çdo kohë, çdo moment atë që është më e mira për Partizanin dhe Ilir Dajën apo për ndonjë futbollist.”
Pankina – Është e vështirë të drejtosh skuadrën nga tribuna pasi jam mësuar gjithmonë në stol. Nga pankina nuk e përcjell si duhet mesazhin te lojtarët dhe për këtë arsye vendi i trajnerit është stoli. Kemi një krizë rezultatesh sepse Partizani nuk është mësuar të mos fitojë në kaq ndeshje.
Kemi patur shumë raste për të fituar, por kemi gabuar duke e filluar lojën në disavantazh dhe kjo e bën të vështirë. Kemi lojtarë me eksperiencë, por edhe lojtarë të rinj në formacionin bazë dhe duke parë presionin rritet doza emocionale e tyre.
Kastrioti – “Kastrioti vjen me një moral pozitiv sepse ka barazuar me kampionët në fuqi. Ata janë një grup që luajnë futboll dhe janë skuadër simpatike që luajnë në të dy fazat e lojës. Kanë dyluftime brenda rregullores së futbollit, gjë që e vështirëson transfertën tonë në Kamzë. Ne presim nga java në javë momentin e kthesës dhe duhet që të japim ende më shumë që të shkojmë te fitorja e parë në kampionat.
Ne jemi një ekip që agresivitetin e kërkojnë me ritmin e lojës. Lojtarët kanë një bagazh të mirë teknik dhe me sistemin e VAR janë minimizuar ndërhyrjet e rënda. Një lojtar që ka dyluftime të forta e ka sipas instiktit të vetë. Në futboll është më mirë t’i mëshosh gjërave që ke sesa të riparosh gabimet. Duhet të shtojmë lëvizjen tonë në fushë pasi Kastrioti e ka prioritet dyluftimet, ndërsa ne duhet të kemi një ritëm tjetër për të shkuar drejt fitores.”
