Valbona Sako është betuar sot si kryetare e bashkisë së Durrësit, gjatë ceremonisë që u zhvillua në sallën e Këshillit të Qarkut Durrës. Në ceremoni mori pjesë dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, autoritetet vendore dhe deputetët socialistë.
Në këtë mbledhje u krye kostituimi i këshillit të ri bashkiak si dhe u procedua me zgjedhjen e kryetarit të këshillit bashkiak. Në votim morën pjesë 45 anëtarë të këshillit bashkiak të pranishëm nga 51 gjithsej ku me shumicë votash u zgjodh kryetar i këshillit bashkiak Ani Dyrmishi dhe nënkryetare e këtij këshilli Zamira Mustafaraj që të dy përfaqësues të Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako pasi bëri betimin në fjalën e saj përshëndetëse deklaroi se koha shënon sfida të reja dhe ne do t’i përgjigjemi këtyre sfidave, si vazhdim i zhvillimit të qytetit tonë të bukur.
“Tashmë emocioni nuk është vetëm për mua, por për skuadrën tonë, që do të drejtojmë qytetin tonë të mirë, Durrësin. Realisht shoh që pjesa më e madhe janë të rinj, energjitë e të cilëve do të bëjnë ndryshimin. Koha shënon sfida të reja dhe ne do t’i përgjigjemi këtyre sfidave, si vazhdim i zhvillimit të qytetit tonë të bukur, dhe ta bëjmë atë një qytet që të konkurrojë denjësisht qytetet turistike që kemi në rajon. Të gjithë bashkë do ta bëjmë me ide, me disponibilitet por edhe me dëshirën e mirë për të qenë aktivë në vendimet që do marrim. Ndaj dëshiroj dhe uroj sot që të jemi sa më të dobishëm për qytetin tonë. Shumë faleminderit që jeni pjesë e imja, pjesë e qytetit dhe në fakt duhet të ndjehemi të gjithë të nderuar që do të drejtojmë qytetin e dytë më të rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë”, tha Sako.

