Edhe pse qeveria nuk e ka lejuar ende frekuentimin e plazheve për këtë vit, për shkak të pandemisë nga koronavirusi që kërkon distancim social e shumë kujdes në higjienë, VIP-at shqiptarë duket se nuk pyesin shumë për rregullat e vendosura. Tundimi për të shijuar rrezet e diellit buzë detit duket se i ka gjetur më të dobët disa nga emrat e njohur të ekranit, sidomos ata të muzikës. Nga Rovena Dilon tek Sinan Hoxha, Mariza Ikonomi, Orgesa Zaimi, gazetari Eraldo Rexho e atletja Klodiana Shala i janë drejtuar këtë fundjavë Jugut të Shqipërisë.
Në pamjet që ka postuar në Instagram këngëtarja Rovena Dilo, ata duken duke e shijuar shoqërinë e njëri tjetrit, me bikini në bregdetin e Borshit e gjatë darkave në ngrohtësinë e zjarrit. Orgesa Zaimi e cila i është bashkuar grupit të “të pabindurve”, pak javë më parë zbuloi në një intervistë për mediat se mund të ketë qenë mbartëse e virusit COVID-19, në shkurt, para fillimit të epidemisë në vend.
Orgesa ka deklaruar se gjatë muajit shkurt, të gjithë familjarisht përjetuan simptomat e virusit, pasi sipas saj simptomat kanë qenë të njëjta me ato që deklarohen nga autoritetet shëndetësore.Teksa qeveria ende nuk e ka vendosur se si do të bëjmë plazh këtë vit, duket se VIP-at e kanë gjetur zgjidhjen si t’i shpëtojnë policisë, për të shkuar në Borsh.