Nga VOA/ Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të shtunën se ushtria e vendit të tij do të “pastrojë terroristët” nga kufiri i saj në veri të Sirisë nëse milicia kurde e YPG-së nuk largohen deri në afatin e rënë dakord nga Turqia dhe Rusia në fillim të kësaj jave.
Afati i orës 1500 GMT të martën u përcaktua në një marrëveshje të rënë dakord nga Presidenti Erdogan dhe Presidenti Rus Vladimir Putin në rezortin e Soçit të Detit të Zi. Rusia tha se policia e saj ushtarake dhe rojet kufitare siriane do të “lehtësonin heqjen” e kurdëve brenda 30 kilometrave nga kufiri.
Ankaraja pretendon se YPG është një grup terrorist dhe ka qenë shumë kritike ndaj mbështetjes amerikane të grupit, i cili ishte instrumental nën komandën e Forcave Demokratike Siriane, në luftën kundër Shtetit Islamik. Presidenti Erdogan gjithashtu paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar të mbështesë nismën e Turqisë për krijimin e një “zone të sigurt” për më shumë se 3.5 milion refugjatë sirianë që tani banojnë në Turqi.
Udhëheqësi turk kërcënoi se “nëse nuk ka mbështetje për projektet që ne po zhvillojmë për të kthyer mes 1 deri në 2 milion refugjatësh në fazën e parë, nuk do të kemi mundësi tjetër veçse të hapim dyert tona, dhe t’i lëmë ata të shkojnë në Evropë”.
Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, do të shtojnë forcat e tyre që mbrojnë aktualisht fushat e naftës dhe objektet në lindje të Sirisë nga grupi terrorist i Shtetit Islamik, edhe pse shumica e trupave amerikane po tërhiqen nga vendi.
“Ne po ndërmarrim disa veprime; për të forcuar pozicionin tonë në Deir el-Zour, për të siguruar që mund të mohojmë hyrjen e ISIS në fushat e naftës, “u tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper gazetarëve të premten. Ai foli pas një seri takimesh me aleatët e NATO-s në Bruksel.
Në pjesët verilindore të Sirisë, me poligonet ushtarake apo bazat amerikane të boshatisura ose shkatërruara pas tërheqjes nga rajoni, ka filluar dislokimi i trupave ruse.
Sipas medias ruse, përforcimet mbërriten atje të premten, me 300 policë ushtarakë shtesë dhe 20 automjete të blinduara që përgatiteshin të dislokohen përgjatë kufirit mes Sirisë dhe Turqisë. Kjo është pjesë e marrëveshjes që Moska negocioi me Ankaranë për dhënien fund të luftimeve me forcat kurde, të cilat mbështeteshin nga Shtetet e Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara kanë qënë aleati më i ngushtë i kurdëve vitet e fundit. Por trupat kurde u braktisën, dhe në thelb u tradhëtuan”, citon media ruse të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Në Bruksel, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper u duk skeptik, ndërsa hodhi dyshime mbi lëvizjet e Moskës.
“Pas gjashtë muajsh do të shohim se si po vepron Rusia në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë. Do të shohim çfarë ndikimesh ka mbi Rusinë, mbi interesat e saj”, tha zoti Eseper të enjten në Bruksel, para një takimi me homologët nga vendet e NATO-s.
Ndërkohë këtu në kryeqytetin amerikan, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se veprimet e Kremlinit nuk do të kalojnë pa u vënë re.