Shpëtim Gjika jep recetën se si Flamurtari mund të dalë nga kriza. Gjatë një komenti dhe shpjegimi të gjatë në “Facebook” me disa personazhe publike në qytetin e Vlorës, ish-presidenti më jetëgjatë dhe karizmatik i Flamurtarit thekson se ligji i ri për sportin është qokë për investitorët dhe një sebep për të justifikuar situatën aktuale që po kalon futbolli shqiptar. “Kush mund të më thotë, çfarë favori konkret ka specifikisht për Flamurtarin, ligji i shumëpërfolur për privatizimin e klubeve?

Jam shumë i qartë për lehtësirat fiskale që mund të ofrojë ligji i ri, por sa i përket privatizimit nuk ofron asgjë! E them me bindje ekonomike dhe juridike! Pra, privatizimi sot për sot më shumë më duket si një sebep për të justifikuar situatën, sesa zgjidhje reale e problematikës së klubit. Lehtësirat fiskale për këdo që investon në sport, si dhe ‘amnistia’ për detyrimet tatimore po, këto i shoh si një lloj zgjidhjeje, por edhe këto të dyja më shumë i shoh si ‘qoka’ për investitorët e sponsorët, sesa si shpëtim për klubin”, shprehet ndër të tjera ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.

Ai thekson se e vetmja zgjidhje për Flamurtarin dhe futbollin në përgjithësi është privatizimi, jep edhe disa nga udhëzimet se kush duhet ta privatizojë. Si kusht kryesor, biznesi që do të marrë klubin duhet të kalojë në veting dhe të ngrijë në bankë shumën e parave të deklaruara në kontrata, kjo si pjesë e garancisë. Gjika i cilëson bashkitë si partneret kryesore më serioze të klubeve.
“Mendoj, madje me bindje të thellë, që e vetmja zgjidhje për Flamurtarin dhe futbollin në përgjithësi, sigurisht që është privatizimi. Por, kush duhet ta privatizojë?”, thekson ish-presidenti, ndërsa debaton në rrjetin special me ish-drejtorin e Transportit Rrugor në Vlorë, Eremal Arapi, ish-kryetarin e PD-së, Vlorë, Agron Sharra dhe ish-këshilltarin e PD-së në Këshillin Bashkiak, Hysen Sharra.
DEBATI I PLOTË MES KATËR ISH-ZYRTARËVE
“Panorama Sport” zbardhe të gjithë debatin e bërë në “Facebook” mes katër ish-zyrtarëve të lartë në qytetin e Vlorës për çështjen “Flamurtari”.
Shpëtim Gjika (ish-kryebashkiak)
“Kush mund të më thotë, çfarë favori konkret ka specifikisht për Flamurtarin, ligji i shumë përfolur për privatizimin e klubeve?”.

Eremal Arapi (ish-drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, Vlorë)
“Së pari, bashkia shpëton nga harxhimet e fondeve, por kjo s’ka të bëjë me pyetjen tuaj. Privatizimi do t’i afrojë biznesmenët sportdashës për të blerë aksione dhe të investojnë në klub. Flamurtari duhet të dali në treg, mund edhe të falimentosh, tregu i ka këto rrisqe (s’është ndonjë hata e madhe, kanë falimentuar dhe ekipe të mëdha e me traditë më shumë se ne). Ligji duhet të favorizojë biznesin, që ta afrojë në investim, që të shpëtojmë dhe nga qokat që bën politika me presidentët, besoj s’e harron dot si na e morën kampionatin në 2011-ën, apo qokat që bën Kryeministri sot me Gjicin etj. Prandaj, e vetmja rrugë është privatizimi, pavarësisht që efektet mund t’i japë me vonesë, u takon njerëzve që merren me sportin të merren me teknikalitetet e ligjit”.
Shpëtim Gjika
“Jam shumë i qartë për lehtësirat fiskale që mund të ofrojë ligji i ri, por sa i përket privatizimit nuk ofron asgjë! E them me bindje ekonomike dhe juridike. Pra, privatizimi sot për sot më shumë më duket si një sebep për të justifikuar situatën, sesa zgjidhje reale e problematikës së klubit! Lehtësirat fiskale për këdo që investon në sport, si dhe ‘amnistia’ për detyrimet tatimore po, këto i shoh si një lloj zgjidhjeje, por edhe këto të dyja më shumë i shoh si qoka për investitorët e sponsorët, sesa si shpëtim për klubin”.
ERMAL SIKA
