Zyrtari i DASH, David Konstelancik ka mbërritur në selinë blu, ku do të takohet me kryedemokratin Lulzim Basha. Konstelancik shoqërohet edhe nga e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri Leyla Mose-Ones.
David Konstelancik zyrtari i DASH i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë do të ketë ditën e sotme disa takime me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës joparlamentare.
Diplomati i karrierës Kostelancik gjatë vizitës në Shqipëri dhe takimeve me liderët e partive kryesore opozitare pritet që të kërkojë normalizimin e situatës me qëllim uljen e palëve në dialog për të kapërcyer ngërçin, që mund të ndikojë edhe në vendimin për hapjen e negociatave në mes të Tetorit.
E ndërsa dy vite më parë ishte Hoyt Brian Yee, ish-zyrtar i lartë i DASH-it që arriti që të zgjidhte krizën, tashmë mbetet për t’u parë nëse Kostelancik, që herët ka qenë edhe pjesë e stafit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë do të arrijë që të ketë sukses në përpjekjen e tij.
David Kostelancik ka qenë zëvendës ambasador i SHBA në Hungari, ndërsa ka mbuluar edhe marrëdhëniet me Rusinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, teksa edhe çështja e influencës së Moskës në Ballkan mund të jetë pjesë e diskutimeve.
