40-vjetori i sulmit të ambasadës së SHBA’ve në Teheran dhe kriza mbi një vjeçare me pengjet amerikane në Iran, kujtohet sot edhe nga lideri i studentëve Ebrahim Asgharzadeh thotë se është penduar për këtë dhe mohon se sulmi ishte ideuar e udhëhequr nga Garda Revolucionare e Iranit, transmeton Gazeta Metro. Njëri prej liderëve të studentëve iranianë që e udhëhoqi sulmin ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara, thotë se është penduar për pushtimin e kompleksit diplomatik dhe krizën 444 ditore me pengje.
Duke folur për agjencinë Associated Press, përpara 40 vjetorit të “sulmit të së hënës”, Ebrahim Asgharzadeh pranoi se pasojat e krizës janë ende të dukshme, pasi tensionet mbesin të larta midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Asgharzadeh i paralajmëroi të tjerët të mos ndjekin gjurmët e tij, megjithëse pranoi se me veprat që kreu është bërë pjesë e mitologjisë.
Ai gjithashtu kundërshton historinë revizioniste, që tani ofrohet nga përkrahësit e Gardës Revolucionare të Iranit, se ata e drejtuan sulmin, duke këmbëngulur se e gjithë faji mbetet te studentët islamikë që e lëshuan krizën të dilte jashtë kontrollit.

Në atë kohë, për amerikanët ishte e panjohur se çfarë ndikoi në sulmin ndaj ambasadës, ndërsa me muaj vetëm mund të shikonin të tmerruar në televizion protestat para ambasadës. Zemërimi popullor kundër Shteteve të Bashkuara, ishte rrënjosur me grushtin e shtetit të iniciuar nga CIA në vitin 1953, që e rrëzoi kryeministrin e zgjedhur të Iranit dhe çimentoi fuqinë e Shah Mohammad Reza Pahlavi. Shahu i sëmurë nga kanceri, u largua nga Irani në shkurt të vitit 1979, duke i hapur rrugën Revolucionit Islamik. Për muaj të tërë, Irani u përball me trazira të gjera, duke filluar nga sulmet separatiste, revoltat e punëtorëve dhe luftërat e brendshme të pushtetit. Në këtë boshllëk qeverisës, Presidenti i atëhershëm Jimmy Carter i lejoi shahut të kërkonte trajtim mjekësor në New York.
Kjo bëri që të nxiten protestat dhe më katër nëntor të vitit 1979, të fillojë edhe “pushtimi” ambasadave, megjithëse në fillim nuk dihej se cila ambasadë të sulmohej më parë, duke sugjeruar që të sulmohej ajo sovjetike. “Shoqëria ishte e gatshme që kjo të ndodhte. Gjithçka ndodhi aq shpejt”, tha Asgharzadeh. “Ne kemi prerë zinxhirët në portën e ambasadës. Disa nga ne, u ngjitën në mure dhe e “pushtuam” shumë shpejt kompleksin e ambasadës. ” Sikur ish-studentët tjerë edhe ai kishte menduar, se ambasada do të “pushtohej” përkohësisht dhe të ndalohej puna në të, mirëpo situata doli jashtë kontrollit.
Ai thotë se ka vuajtur edhe burgim për ndryshimin e qëndrimit të tij në Iran. Ayatollah Ruhollah Khomeini, kleriku shiit i mërguar gjatë, kthimi i të cilit në Iran nxiti revolucionin, i dha mbështetje të madhe “pushtimit” të ambasadës.
“Ne, studentët, marrim përgjegjësinë për 48 orët e para të “pushtimit” të ambasadës”, ka thënë Asgharzadeh. “Më vonë, situata nuk ishte në duar tona, pasi Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ruhollah Khomeini dhe institucioni që e udhëhiqte e mbështesnin bllokadën.” Sipas tij, plani për sulme ishte jo profesionist dhe i përkohshëm, ndërsa pendohet që kjo ndryshoi përgjithmonë gjendjen në Iran.
