Anije që transportonin disa qindra migrantë, mbërritën gjatë fundjavës në jug të Italisë, sipas medieve. Rreth 400 persona zbarkuan pranë Palma di Montechiaro në provincën e Agrigentos.
”Disa u përpoqën të ndalonin njerëzit që shëtisnin për t’u kërkuar ujë”, sipas një raporti nga agjencia e lajmeve, ANSA. Rojat bregdetare janë duke kërkuar për një anije të madhe jashtë Siçilisë, me të cilën migrantët kaluan Mesdheun.
Policia dhe ushtria po përpiqen gjithashtu të gjejnë personat që zbarkuan, pasi çdokush që mbërrin në Itali duhet të izolohet për 14 ditë për të respektuar masat për frenimin e koronavirusit. Në ishullin Linosa, midis Afrikës dhe Siçilisë, u arrestruan 50 migrantë. Rojat bregdetare do t’i dërgojnë ata në Lampedusa, ku u raportua se edhe dje zbarkuan dhjetëra migrantë.
