Categories Kulture

Albert Habazaj: Kujtim Mici i këngës emblematike të Tërbaçit

Këngët popullore shfrytëzojnë përshkrimin metaforik për të dhënë hijeshinë dhe bukurinë e heroit.

Kujtim Mici i “Shqipëri, nuse bregdeti” – këngës emblematike të Tërbaçit

MSc. Albert HABAZAJ, Studiues i Etnologjisë dhe Folkorit

  1. E bukura e madhërishme në një këngë labe. Kënga e Tërbaçit “Shqipëri, nuse bregdeti” është një njësi folklorike, mbledhur në Labëri të Vlorës, ku rapsodi popullor qëndis portretin e Shqipërisë me vargje brilantine si lule shpirti dhe me mendim poetikisht të bukur si rrezet e diellit që shndrit.

E bukura e madhërishme, është një pllakë mermeri në kulmin e monumentit estetik të folklorit, me vargjet, melodinë dhe interpretimin e këngës simbolike “Shqipëri, nuse bregdeti” të Kujtim Micit, Dragoit të Këngës labe dhe grupit të madh të Tërbaçit që e interpreton përsosmërisht, sepse siç shprehen pëlqyesit e labërishtes, “kjo këngë arriti një vizë sipër, se veç tekstit e melodisë këndohej nga këngëtarë të lartë. Ta arrijnë këtë vizë të soçmit”- ky është mesazhi qytetar për bartësit e rinj, autorët dhe interpretuesit.

Përpjekja jonë rrok trajtimin e një kënge për këtë koment të së bukurës së madhërishme e gracioze. Është një vjershë që këndohet sipas një melodie dhe përbën një njësi muzikore – letrare; është këngë popullore polifonike (= shumë zërëshe, A. H), labe, këngë relativisht e re, që çel prej burimit të vjetër të rrënjës, të origjinës e të traditës dhe formon sot një pasuri modeste për trashëgiminë kulturor të popullit shqiptar. Te tingujt e lidhur e të harmonishëm që interpretojnë aq bukur biblibat e këngës, mbështetur në një tekst të mrekullueshëm, të mbushur me shkëlqim e madhështi, artistikisht sipëror, pa asnjë krisje partitiste brenda, gjetëm të bukurën e madhërishme plot dritërim. Ndoshta kemi patur dhe fatin, favorizuar nga hapësira konkrete, (njohja e terrenit folklorik të jep shumë krahë në punën kërkimore – shkencore) dhe koha e jetuar njëkohësisht, me njohjen e drejtpërdrejtë të bashkësisë njerëzore, ku u lind, u pranua, u aplikua dhe u përhap e qarkulloi kjo këngë, që këtë njësi folklorike ta kemi edhe në arkivin tonë vetiak të plotësuar, me karkterin e domosdoshëm sinkretik, me poezinë popullore si tekst, si muzikë, melodi, pa instrumente, me katër zëra, që klasifikohen: marrës, kthyes, hedhës dhe iso/ mbushje, me veshjen popullore karakteristike në  mjedisin, kohën dhe hapësirën e praktikimit. Po citojmë strofën e parë të këngës, si fillim, ndërkohë që e gjithë kënga me njëzet vargje, me varg tetërrokësh trokaik, në pesë strofa, me rimë të puthur, sipas skemës AABB, është ndërtuar thuajse e tëra me një lëndë të fortë, siç është figura letrare e personifikimit. Me cilësime morale e dokesore që s’bërtasin në tekst, personifikimi bëhet më i shëndetshëm kur mbushet e plotësohet me metafora, metonimi, simbole, epitete e figura të tjera stilistike të kuptimit, të shqiptimit poetik, të fjalëve e shprehjeve, të sintaksës poetike dhe të fjalorit poetik (të leksikut) gracioz: “Shqipëri, moj shtatëhollë,/ Alpet e larta kurorë./ Nga lindja malet – ë rrinë/ Gësheta me trëndelinë…”. Dhe më tej del i bukur portreti i Shqipërisë, përmes intensitetit, përplasjeve, kthesave, uljeve e ngritjeve, duke realizuar një harmoni të përsosur mes tyre, me frymën e motivuar romantike në hullinë epiko – lirike. Në këtë “gjurmë të regjistruar në përbërje të vlerës” kemi Urën e Harmonisë me dy kolona të forta: Të Madhërishmen, që e vërej tek cilësia e të ekzistuarit në një përmasë të pamatshme, të pakufishme e të diferencuar të pjesëve që përbëjnë dukurinë, si dhe këmbën tjetër “Gracioze”, të hijshme dhe elegante. A nuk të mbushin me aromën e këndshme, të freskët e mrekullore të harmonisë së poseduar vargje të tilla si: “Shqipëri, nuse bregdeti”, “Shqipëri, deti me valë”,” Shqipëri…/ moj bukuroshja me fat”?…

Është në kënaqësinë tonë dhe dëshira e mirë t’i reklamojmë gazetës “Telegraf”, tekstin e plotë të këngës, të cilin dhe poetët me emër do ta kishin zili dhe do t’i faleshin me adhurim:

Shqipёri, moj shtatёhollё,/ Alpet e larta kurorё./Nga lindja malet – ё rrinё/ Gёrsheta me trёndelinё…/Shqipёri, moj shtatёgjatё,/Moj bukuroshja me fat – ё,/U skuqe pёllёmbё e gjak – ё,/Shkrove histori tё artё./Shqipёri, Nёn’ shekullore,/Ç’trimёri nga gjaku nxorre!/Ç’kokrra tё lindi kalliri,/Lumthi ç’tё ushqeu gjiri!/Shqipёri, nuse bregdeti,/Sa bukur tё shkon shёndeti,/Sa larg tё shikojnё sytё,/S’pёrdore kurrё gjyslykё…/Shqipe, nuse qё flet rrallё-/Fjala jote peshon mal-ё,/Shqipёri, deti me valё/Tё ligёn e nxjerr’ nё anё!

Kënga karakterizohet nga gjuha personifikuese dhe metaforike, që transmenton ndjenjën e dashurisë për Atdheun dhe krenarinë për Shqipërinë me etnosin qytetërimformues, që i rezistoi furtunave, u tund por u drejtua, u ul por s’u përkul, u lëndua por s’u rrëzua dhe sot ecën përpara drejt zhvillimit me orientim nga fryn era e demokratizimit të jetës njerëzore.

Shqipëri, nuse bregdeti” është një këngë bukolike, në shfaqje emfatike, por në thelb s’ngjan fare luksoze e pompoze në vargje. Ajo paraqitet si një bukuroshe mesdhetare, si një zonjë hijerëndë, që lëshon shtatë drita që përtej, se është vetë E BUKURA E DHEUT për ne.

Ç’metonimi e ç’eufemizma i japin lezet këngës e i rrinë si gjerdan për gushe! Nuk thotë vjershëtori popullor:” Shqipëria ka djem e vajza të mira, trima e trimëresha, për dije dhe ekonomi” por tepër lakonik këndon: “Lumsi ç’të ushqeu gjiri!”. Nuk thotë ai që u plak Shqipëria e s’di nga të ecë, por me një varg të zgjedhur krenar këndon: “s’përdore kurrë gjyslykë”, sepse një nuse bregdeti e ka të qartë tashmë orientimin e begatisë së jetës drejt perëndimit që i përket, si zonjë mes zonjave europiane, sepse jemi mesdhetarë, jo aziatikë apo afrikanë, (pa fyer aspak popujt dhe qytetërimet e tyre, përkundrazi i respektojmë, por nuk u përkasim atyre shtresëzimeve etnokulturore)

Ç’eufoni ka kjo këngë gjatë ligjërimit folklorik! Si një poezi përgjithësuese, me vargje sintetike, e latuar mjeshtërisht me mjete shprehëse nga ustai. Ajo është vlerёsim estetik që merr formёn e bukurisё sublime, duke e paraqitur hartёn e Shqipёrisё saktёsisht dhe me njё pёrsosmёri fizike, gjeografike, morale e shpirtёrore, sa qё dhe njё i panjohur mund tё krijojё njё imazh tё qartё nga ky vizatim i pёrsosur folklorik dhe njё pёrfytyrim bukurisht fantastik pёr Atdheun tonё tё dashur, Shqipёrinё. Kёnga nuk ёshtё vetёm epike, as dhe vetёm lirike, ajo ёshtё njё buqetё me lule dashurie pёr Atdheun, ёshtё njё kёngё liriko – epike  e veçantё nё llojin e vet si mё e mira, mё e bukura, sepse portret kaq tё bukur Shqipёrisё edhe poetёt mё tё shquar vёshtirё se i realizojnё.

  1. Metoda e kërkimit, mbledhjes, verifikimit e krahasimit dhe e regjistrimit në terren

Kёtё kёngё e kemi mbledhur dhe regjistruar nё trevёn e Labёrisё sё Vlorёs. Edhe sot ёshtё njё kёngё ecёse, qё lёviz e qarkullon, ёshtё njё kёngё e pёrhapur si ajo familja e shtrirё, e gjerё, sepse harta etnografike e saj nuk pёrfshin vetёm Lumin e Vlorёs, apo mё pak Tёrbaçin ku ajo ёshtё lindur si njёsi folklorike, mё 1978, por atё e pёlqejnё nё Himarё, Dukat, Kurvelesh, Delvinё, Mallakastёr, Trebeshinë, Pёrmet, Sarandё, Tepelenё apo dhe nё Ladorisht, matanё Ohrit. Dhe e kёndojnё me kёnaqёsi e bukur, në stilin e tyre, sikurse ata tё burimit.

Krijuesi i kёngёs ёshtё rapsodi popullor Kujtim Mici, me arsim tё lartё, i vitlindjes 1937, mёsues nё profesion, artist nё shpirt, sot i pensionuar, tё cilin e kemi njohur dhe e njohim shumё mirё qysh prej vitit 1967, kur filluam shkollёn fillore bashkё me kёngёn, dashurinё pёr tё cilёn na e dha pikёrisht ky artist popullor vigan, tё cilin duam ta quajmë dragoi i kёngёs, sepse e meriton, ngaqë ka lёnё gjurmё me vlera pёr kulturёn popullore. Pёr popullaritetin qё ka kёnga “Shqipёri, nuse bregdeti”, pikёsёpari pёr tekstin shumё tё bukur dhe patjetёr pёr interpretimin virtuoz, ajo quhet kёngё popullore e tё gjithё artistёve, e tё gjithё njerёzve qё e vlerёsojnё, e duan dhe e nderojnё krijimtarinё folklorike, kur ajo i plotёson kёrkesat e tyre artistike, shpirtёrore, kulturore e kombёtare  nё nivelin mё tё lartё. Kjo kёngё ka njё autor, pra ka njё ‘pronar’, ka njё individualitet krijues, gati si letёrsia artistike, por fatmirёsisht ajo bёhet pronё popullore, sepse rron, pёlqehet, lёviz bashkё me mbartёsit, dashamirёsit e adhuruesit e saj.

Studiuesi B. Gaçe vlerëson temperamentin artistik të rapsodit, që me dufet e shpirtit gdhend portretin e dashur të atdheut dhe i jep plasticitet poezisë popullore. “Mendimi i tij poetik (i rapsodit Kujtim Mici, A. H) rrjedh natyrshëm, vargu mbart një figuracion të pasur e të fuqishëm, ai është i harmonishëm e plot muzikalitet”.

Ndërsa I. Kadare shkruan për këta gdhendës të shpirtit kombëtar “…unë kuptova thjesht dhe natyrshëm se ç’fuqi kolosale kishte poezia popullore. Ajo ishte më tepër se art”.

Pse pёlqehet kjo kёngё? – Sepse ёshtё shumё e bukur, sepse tё kёnaq, sepse tё lartёson, tё fisnikёron krenarisht pёr tё patur njё dashuri tё zjarrtё, vёrtet prindёrore ndaj Nёnёmadhes Shqipёri dhe pёr ta pёrcjellё brezash si stafetё tё bukur kёtё adhurim qё sikur buron nga gurra rilindase.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Vehbi Miftari, Ambasador i Kosovës pranë Selisë së Shenjtë dhe shkrimtar, rrëfen librin e tij të ri mbi rrënjët kulturore të kombeve dhe trashëgiminë e Ibrahim Rugovës

“Letërsia është universale, por lind gjithmonë nga një popull” Vehbi Miftari, Ambasador i Kosovës pranë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

“GEO Magazine” artikull për turizmin në Shqipëri, Rama: Rritje me 80% e vizitorëve të huaj

Shqipëria turistike vjen sërish në vëmendjen e medias ndërkombëtare, këtë herë përmes artikullit të publikuar…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Franca fiton Junior Eurovision 2025, Shqipëria renditet në vendin e 6-të

Sipari i “Junior Eurovision Song Contest 2025” ka rënë pas një mbrëmjeje elektrizuese, ku Franca…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Befason Ema Andrea, aktorja nderohet me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”

Aktorja shqiptare, Ema Andrea është shpërblyer me çmimin prestigjioz italian, “Premio Adelaide Ristori 2025”, për…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Takimi  i pa harruar  me Kadarene, Nga Arben  Meksi

Takimi  i pa harruar  me Kadarene Botuesi  i vepres se  Ismail Kadarese ,Bujar Hudhri,here pas…

LEXO ME SHUME