Shkruan Reldar Deda Ishte një ditë e nxehtë, shumë e nxehtë korriku dhe Edmond Budina dukej se kishte dalë nga një tjetër kohë. Ajo çka, në vend që të na mundonte, na habiste gjithmonë, sa herë që shikonim trupin e tij tek përleshej me efektivët e policisë trup më trup, me një kurajë qytetare sa befasuese edhe aq mahnitëse. Ky njeri, me gjasë, kishte diçka tepër të veçantë përderisa i kishte marrë gjithë nurin asaj dite. Me shumë siguri, ajo çka e përforconte më shumë se asgjë tjetër këtë fakt, nuk ishte pamja e tij prej malësori; me mustaqet dhe flokët e rëna, ballin e madh, e sytë e fryrë, sesa trishtimi kur e shihje ashtu tek lëkundej sa majtas-djathtas, duke i shpjeguar ministres së Kulturës dhe Kryeministrit arsyet se pse nuk duhet shembur Teatri për të ndërtuar kulla.
Silueta e tij, që herë humbte dhe herë shfaqej mes turmës së madhe të njerëzve dhe policëve të shtetit, çuditërisht tregonte se shoqëria shqiptare ende nuk e kishte pësuar një çoroditje të paparë, një fiasko morale, intelektuale, kulturore dhe politike. Regjisori dhe aktori Edmond Budina ishte atdheu tjetër dhe ku njeriu, që gjendej rrugëve, në trotuare, poshtë pemëve, në hyrje të pallateve, nën strehat e dyqaneve, i cili ishte i çarmatosur dhe ndërsa qëndronte në pritje me ato vështrimet e tij opake të tretura në përhimjen e një dite të kapitur, të një prej atyre ditëve të paregjistrueshme, të shprishme, që duken të huaja për kalendarin dhe kujtesën, që nxjerrin mjegull, tym dhe rrebesh, por që shënojnë gjithçka dhe për fat që mbajnë mend shumë gjatë, kishte shpresë e ndoshta më shumë se çdo ditë tjetër të vitit.
Sepse, atdheu i këtij njeriu, që qëndron i strukur diku, është i mbushur plot e përplot me ligësi, zhgënjim dhe vanitet. Në pamjen e këtij njeriu sheh mërzitje, lodhje, mllef dhe inat, urrejtje për gjithçka dhe për gjithkënd. Në sjelljen e tij sheh agresivitet, skërmitje, shtrëngim dhëmbësh, dashaligësi, një dëshirë barbare për t’iu vërsulur tjetrit. Fisnikëria, zotnillëku, që hasen krejt lehtësisht tek atdheu i Budinës dhe, përkundër tij, tek atdheu i këtij njeriut tjetër, që as s’flet dhe as nuk rebelohet, duket se gjithmonë është gjendur me kursim, por që tani e ka braktisur krejt.
Budina është antidoti i njeriut që shfaq një gropë të errët në shpirt, që ka një skëterrë brenda vetes, që as nuk di ta shpjegojë dhe as si ta mbushë me sadopak mirësi. Pasi njeriu që s’flet, që s’ngrihet dhe që s’lufton ka një dhembje dhe që as s’e di se nga i vjen, ka një mllef që e gërryen përbrenda. Është mllefi i pakënaqësisë, i cili është mbjellë që 30 vjet në këtë vend. Është plagë e pashëruar e një shpirti të lënduar rëndë, përjetësisht.
Në pritje të heshtur, dhjetëra të rinj, burra dhe gra vështronin gardhin e madh të policëve të shtetit që kishte rrethuar nga të gjitha anët godinën e Teatrit Kombëtar. Askush nuk lejohej të kalonte dhe askush nuk mund të qëndronte përballë atij sheshi të vogël, që ndan tashmë kryq e tërthor institucionet e gjendura aty, shumë prej tyre, pjesë e trashëgimisë shpirtërore, historike dhe kulturore të vendit. Atje, larg nesh, dallohej Edmond Budina. Askush nuk spikaste më tepër se ai, ishte e kotë çdo lloj protagonizmi i tepërt për t’u dalluar përballë atij njeriu që shfaqte krejt ndryshe nga gjithë të tjerët zemërimin e tij. Kishim bindjen se ai kishte një kohë të veçantë, zemreku i së cilës nuk përkonte aspak me të tyren. Kjo ishte, ndoshta, dhe arsyeja pse ai dallohej dhe shquhej mjaft mirë nga të gjithë, pavarësisht largësisë dhe njohjes. Ishte e vetmja pjesë që ishte kthyer nga koha e vjetër për t’u përleshur pa drojë me gjithë makinacionin e madh të shtetit.
Qëndronte ashtu siç ishte, me këmishën e bardhë të hapur në gjoks, në pikun e vapës, në këmbë dhe përballë një shteti policor që ishte i gatshëm për të larë lesh, po të ishte nevoja, në emër të mllefit dhe interesave të shefave. Kjo makinë, në dukje hijerëndë, e dhunës ishte e betonuar me skalione në gjithë perimetrin e sheshit të vogël para teatrit, ndërsa, nga ana tjetër, qëndronin dhjetëra qytetarë e artistë, të cilët për të miliontën herë vazhdonin përsëri t’i bënin thirrje qeverisë për të anuluar prishjen e Teatrit Kombëtar.
Turbull ose qartë, Edmond Budina e ndiente se kjo nuk ishte hera e parë e tij që kërkohej pushtimi i një sheshi të zaptuar cep më cep nga shteti policor, se në lojë nuk ishte thjesht kokëfortësia e atyre që kishin ngritur skenarin si fillim për të vjedhur pronën publike dhe as sedra e atyre që do të donin të pastronin paranë e pistë; ai së bashku me dhjetëra kolegë e qytetarë të vendit ishin para provës së madhe për ta themeluar në vetvete shoqërinë e lirive dhe të të drejtave dhe për t’i bërë të parin shërbim së ardhmes, me qëllim që askush, asnjë klikë të mos guxonte të vidhte pronën publike dhe pasurinë kombëtare.
Zot i madh, sa trishtuese ishte të dëgjoje artistët e njohur duke u shpjeguar institucioneve të shtetit arsyet e mosprishjes së Teatrit Kombëtar për të ndërtuar kulla, teksa secili prej nesh ka dëgjuar arkitektë të njohur që flasin për vlerat arkitekturore të godinës së projektuar nga arkitekti i njohur italian, po ashtu sa ligjërata janë mbajtur për nevojën e teatrove të tjerë dhe jo për shembjen e atyre që kemi, teksa kemi dëgjuar ata pak mbrojtës të interesave publike që na kanë ngelur të japin argumente për mostjetërsimin e pronës publike.
Trishtim i madh, pikëllim i madh, zemërim edhe më i madh, ndërsa dëgjoje një kakofoni thirrjesh, lutjesh, kërcënimesh, një kuturisje zërash që synonin t’i sillnin në rrugën e arsyes Ramën, Veliajn dhe ministren e Kulturës, në një përpjekje të vazhdueshme dhe sfilitëse për të mos e shembur Teatrin Kombëtar. I pajisur me përvojën e duhur, Edmond Budina ishte tepër koshient se kur vjen puna në marrëzi kësodore nuk është nevoja me dhënë shumë arsye apo për të demonstruar tentativa sfilitëse për të shpjeguar mosprishjen. Ai me siguri nuk mendonte se Kryeministri Rama nuk e di se nuk duhet të shembet Teatri Kombëtar për të ndërtuar kulla, pasi e di se Edi Rama ka kaluar jo pak nga godina e Teatrit të Komedisë në Paris, një godinë edhe më modeste për nga pamja se ajo e Teatrit Kombëtar, e cila është e rrethuar nga pallate madhështore mbretërore dhe prapë qëndron aty, si për inat të kullave, të ndërtuesve, të gjithë batakçinjve që do të donin ta zëvendësonin me ndonjë supermarket.
Nga e gjithë ajo masë e madhe njerëzore që kishte dalë aty për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, me shumë gjasa askush më mirë se Edmond Budina nuk mund ta dinte se me qëndresën e tij personale, miqve dhe qytetarëve që i janë bashkuar thirrjes së tyre, po shndërroheshin dalëngadalë në gjenerues të një revolte kombëtare, edhe pse teatri nuk jep bukë, nuk jep punë dhe nuk jep as begati për qytetarët. Mes atdheut të Edi Ramës dhe të gjithë asaj mase të madhe njerëzore që rri e heshtur dhe vështron hijeve të kryeqytetit dramën që po ndodh në qendër të Tiranës, ndodhet atdheu i tij. Edhe pse ndodh që hera-herës të hepohet sa majtas dhe djathtas, ai përsëri qëndron. Qëndron në këmbë dhe plot guxim. Kaq mjafton. Asgjë më shumë./Gazeta Liberale
