Zv.kryeministrja Senida Mesi i ka dorëzuar detyrën mbrëmjen e sotme Erjon Braçes, pasi ky i fundit u betua ditën e sotme tek Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
“Erjon më lejo që të të uroj shumë suksese, pasi besoj fort, se me eksperiencën tënde në politikë, me përkushtimin tënd personal, sikurse dhe me integritetin tënd personal, këto reforma por edhe sfida të tjera që Kryeministri i Shqipërisë mund të ketë kaluar besoj fort që do të jenë suksesi i radhës, për hir të pritshmërisë së qytetarëve”, – tha ndër të tjera Mesi, ndërsa bëri pasqyrimin e punës së saj dhe qeverisë.
Nga ana e tij zv.Kryeministri Erion Braçe e hapi fjalën e tij gjatë marrjes së detyrës nga paraardhësja Senida Mesi se e ka pak të vështirë të flasë nga kjo anë e bulevardit sepse ka 23 vjet që sipas tij flet nga ana tjetër.
“Jam i lumtur të them se ndryshe nga qeveria e shkuar, të theksoj se nuk gjej borxhe të larta, nuk gjej një buxhet të shkatërruar apo një marrëdhënie të vrarë midis qytetarëve dhe qeverisë, përkundrazi,” – tha Braçe gjatë fjalës së tij.
Sipas zv.Kryeministrit, askush në pushtetin vendorë nuk mund të zhbëjë për arsye politike, korruptive apo të paaftësisë së ndonjërit prej tyre, vendimet e qevrisë.
Ai shtoi se janë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që qeveria qëndrore dhe ajo vendore të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të mirën e përgjithshme të qytetarëve.
“Çdo drejtor drejtorie duhet të ketë komunikim të vazhdueshëm dhe të drejtëpërdrejtë me qytetarët. Kemi detyrimin të justifikojmë çdo qindarkë të kontributit të qytetarëve. Secili prej nesh duhet të deklarojë atë që bën pa qenë nevoja që qytetarët të interesohen vetë për mënyrën se si shpenzohen taksat e tyre. Është shumë e rëndësishme për ne që njerëzit të ndjehen të barabartë në këtë vend,” – tha Erion Braçe ndër të tjera.
Ai komentoi edhe situatën e krijuar nga preotesta e studentëve duke thënë: “E kuptoj dhe e ndjej përgjegjësinë që lidhet me arsimin en lartë por mbi të gjitha me situatën me studentët. Mbledhja e karrigeve për të mbyllur dyert e universiteteve nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë në AND-në e studentëve. Nuk ka qenë kurrë në AND-në e studentëve mbyllja dhe ngujimi, por hapja dhe dialogu si dhe marrja e çdo gjëje të mundur nga universiteti”.
Sipas Braçes, një pakicë po bllokon mijëra studentë të tjerë për të vijuar mësimin.
