Categories Lajme

BSH: Pensionet, sfidë për buxhetin, të ngrihet shtylla e dytë me sigurim të detyrueshëm te privatët

Banka e Shqipërisë i rekomandon qeverisë të nxisë zhvillimin e shtyllave private të pensioneve. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, shprehu sot në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave opinionet e institucionit për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Sejko tha se qëndrueshmëria financiare e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijon të jetë një sfidë serioze për financat e shtetit, sidomos në kontekstin e trendeve jo të favorshme demografike dhe të lëvizjes së lirë të forcës punëtore.

“Në projektbuxhetin e vitit 2024, këto skema parashikohet të krijojnë një deficit rreth nivelit 3.6% të PBB-së, ose 1.1 pikë përqindjeje më të lartë se deficiti i përgjithshëm buxhetor. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të kuadrit ligjor që rregullon skemën e pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale. Po ashtu, ne inkurajojmë intensifikimin e përpjekjeve për zhvillimin e shtyllës së dytë e të tretë të sistemit privat të pensioneve, atë të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar. Këto shtylla të rëndësishme të sistemeve moderne të pensioneve do të kontribuonin në rritjen e përshtatshmërisë së skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me ndryshimet demografike dhe vendosjen e tyre në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit,” tha ai.

Guvernatori nënvizoi shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në Shqipëri është në nivele të ulëta krahasuar me të vendet e rajonit dhe qeveria duhet të gjejë mënyrat për t’i rritur këto të ardhura. Shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në vend – aktualisht rreth nivelit 28% të PBB-së – mbetet relativisht e ulët në krahasim me atë të vendeve të rajonit, mesatarja e të cilave qëndron rreth nivelit 36% të PBB-së.

Ai tha se konsolidimi në kohë i shëndetit të financave publike duhet të bazohet në rritjen progresive të nivelit të grumbullimit të të ardhurave.

“Kjo përqasje ndihmon qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe ruan hapësirat e nevojshme për shpenzime në mbështetje të prioriteteve strategjike të zhvillimit, e më konkretisht për investime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukture. Rritja e qëndrueshme e të ardhurave publike duhet të kalojë nga një linjë aksioni, e cila duhet të synojë fillimisht reduktimin e informalitetit dhe më tej të shikojë hapësirat për thjeshtimin dhe drejtpeshimin e barrës tatimore, midis kategorive të ndryshme ekonomike dhe shtresave sociale,” tha Sejko. Banka e Shqipërisë sugjeron adoptimin e një plani pune, i cili duhet të synojë rritjen e qëndrueshme të nivelit të të ardhurave publike.

“Drejtimi primar i punës në këtë drejtim duhet të jetë reduktimi i informalitetit dhe rritja e shkallës së grumbullimit të të ardhurave, brenda kuadrit tatimor ekzistues. Ndërkohë, paralelisht me të, Banka e Shqipërisë mbështet përpjekjet për adoptimin – në një kohë sa më të arsyeshme – të një strategjie afatmesme të të ardhurave publike. Kjo strategji duhet shërbejë si ankorë dhe udhërrëfyes i sistemit tonë tatimor, duke rivlerësuar prioritetet dhe instrumentet e këtij sistemi, si dhe duke rritur qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e tij. Duke qëndruar në këtë pikë, Banka e Shqipërisë sugjeron nevojën e rishikimit periodik të eficiencës së përjashtimeve tatimore. Këto lehtësi, të cilat synojnë mbështetjen e kategorive të caktuara shoqërore apo incentivimin e sektorëve prioritarë, kanë një kosto jo të pakët mbi financat publike. Për këtë arsye, zbatimi i tyre duhet të bazohet në analiza më të plota të kostove e përfitimeve që këto përjashtime kanë mbi financat publike dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit,” u shpreh Guvernatori.

Në krahun e shpenzimeve, Banka e Shqipërisë mbështeti ruajtjen e kahut konsolidues të politikës fiskale mundëson një kthim më të shpejtë dhe me kosto më të ulëta të inflacionit në objektiv. Në këtë prizëm, gjej me vend të theksoj se ruajtja e kahut konsolidues të politikës fiskale gjatë vitit të ardhshëm mundëson një normalizim më gradual të qëndrimit të politikës monetare, duke krijuar premisa jo vetëm për një kthim më të shpejtë të inflacionit në objektiv, por edhe për minimizimin e kostove mbi sektorin privat.

ruajtja e kahut konsolidues të politikës fiskale i shërben qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike. Projeksionet e projektbuxhetit sugjerojnë se borxhi bruto i sektorit publik pritet të zbresë poshtë nivelit 60% të PBB-së gjatë vitit 2024, duke shënuar dhe nivelin më të ulët të tij për më shumë se një dekadë. Sikundër e kemi theksuar në vazhdimësi, niveli i lartë i borxhit publik ka qenë dhe mbetet një ndër dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, duke reduktuar aftësinë tonë në përballimin e goditjeve dhe duke diktuar kosto më të larta financimi për sektorin privat. Për këtë arsye, ne kemi kërkuar dhe mbështetur çdo nismë e politikë fiskale që mundëson reduktimin e qëndrueshëm të borxhit publik,” tha ai.

Sejko tërhoqi edhe njëherë vëmendjen në faktin se realizimi i planit të investimeve duhet të ketë një shpërndarje më të njëtrajtshme gjatë vitit. Sipas tij, Përqendrimi kronik i tyre në gjysmën e dytë të vitit shkakton luhatje të panevojshme në treguesit ekonomikë dhe tregjet financiare, duke ulur dhe eficiencën e shpenzimeve publike. Banka e Shqipërisë përsëriti edhe këtë vit sugjerimin për përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Sipas Guvernatorit, ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike. Gjithashtu Banka e Shqipërisë sugjeron përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit./Monitor

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Vrau me çekiç gruan e tij në Greqi, përballja dramatike e shqiptarit me nënën e Albës: Më kthe vajzën time…

Është mbajtur sot seanca e radhës e gjyqit për 39-vjeçarin shqiptar, Kastriot Cenko, i cili…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Nga student ekselent i Mjekësisë te hapja e varrit në Lushnje, historia tronditëse e 36 vjeçarit

Një ngjarje tronditëse u raportua këtë të martë, 21 prill, nga Lushnja, ku një 36…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zbulohet baza e drogës në Shkodër, në pranga dy të rinj, në kërkim bashkëpunëtori!

Dy të rinj janë arrestuar në Shkodër, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pas zbulimit…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zbardhen detaje të reja/ Vrasja e Goxhajt në Memaliaj, dyshohet për atentat të mirëorganizuar. Pistat

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e së martës në Memailaj, ku i…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Humb jetën prej arrestit kardiak i dënuari 69-vjeçar në burgun e Fierit

Një 69-vjeçar, i cili vuante dënimin në burgun e Fierit, ka humbur jetën në mënyrë…

LEXO ME SHUME