Presidenca do të bëjë ditën e nesërme publik qëndrimin për draft-opinionin e Komisionit të Venecias, lidhur me kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e Ilir Metës, me argumentin se ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta tha në “Opinion” se shqetësimi i tij është ruajtja e integritetit të Komisionit të Venecias. Ashtu sikur u shpreh Monika Kryemadhi sot në Repolitix, edhe bashkëshorti i saj deklaroi se Komisioni i Venecias ka tejkaluar kompetencat me draftin që publikoi ku thotë se Ilir Meta shkeli kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve.
Nuk kam asnjë shqetësim dhe asnjë frikë për Institucionin e Presidentit sepse jam shumë i qartë në të gjitha veprimet publike që kam bërë lidhur me çështjen në fjalë. Ato janë bërë përballë qytetarëve shqiptarë pikërisht këtu ku ne po flasim së bashku. I vetmi shqetësim i imi është të ruajmë integritetin e Komisionit të Venecias, pasi mendoj që kjo do të ishte e dobishme për vetë Komisionin. Komisioni i Venecias tejkaloi kompetencat. Në kushtetutën e Shqipërisë nuk ekziston termi tejkalim kompetencash” tha Meta.
