Sopranoja Ermonela Jaho rrëfehen lidhjen e saj me operën, që nga mosha 14-vjeçare, kur pa për herë të parë “Traviatën” në Shqipëri, deri në ditët e sotme, që është një ndër artistet më të kërkuara në skenat botërore. Sezoni për të nisë në 14 janar në Shtëpinë Mbretërore të Operës në Londër.
Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, e krahasuar me Marie Callas është ekuilibri i përsosur mes vullnetit dhe ndjeshmërisë. Aftësia e saj t’u mishëruar plotësisht në personazhet që interpreton e ka lejuar sopranon të interpretojë role “emocionalisht shpartalluese” të heroinave më dramatike. “Finalnotemagazine” e ka intervistuar Jahon në Londër për të diskutuar për shfaqjen “La Traviata” në Royal Opera House dhe për të folur se si fakti që është rritur në një vend komunist e ka ndihmuar atë të gjejë “kafshën e brendshme skenike”. “Nuk kam ditur asgjë rreth operas, por ta shikoja atë për herë të parë ishte si të bije në dashuri, nuk di si ta përshkruaj me fjalë. Një derë m’u hap në atë moment dhe unë e kisha marrë vendimin”.
Cili është kujtimi më i hershëm muzikor që ju vjen ndërmend?
Isha 5 vjeçe dhe këndoja me fëmijët e tjerë në një festival në Tiranë – kjo ishte hera ime e parë në skenë. Ndërsa, kur isha 14 vjeçe unë shkova për të ndjekur atë që do të ishte opera ime e parë “La Traviata”. Nuk dija asgjë rreth operës, por ta shikoje atë për herë të parë ishte si të bije në dashuri, nuk di si ta përshkruaj me fjalë. Një derë m’u hap në atë moment dhe unë e kisha marrë vendimin.
U duk sikur jeta juaj nisi aty…? Po më pas?
Absolutisht, unë u ktheva tek im vëlla dhe në një mënyrë tipike mesdhetare unë i thashë: “Unë do të vdes, nëse nuk do të këndoj ‘Traviatën’. Sot që po flas kam mundur ta realizoj atë rreth 250 herë, por mund t’ju pohoj se për mua vijon të jetë një ëndërr. Unë u ndjeva asokohe plotësisht e lirë kur këndoja, madje ndihesha më komode se në jetën reale.
A ndryshojnë në kohë performancat tuaja për shkak të përvojës suaj?
Tërësisht. Emocionet e mia zhvillohen së bashku me personazhet që interpretoj. Gjatë “Traviatës” sime të parë unë jam ndier si në filmin “Rocky”. Unë asokohe dhashë në skenë 100% të aftësive të mia dhe në fund të shfaqjes kam qenë e rraskapitur, madje edhe sot nëse e rishikoj atë performancë, do të ndihem po njësoj. Kur je e re, kërkon të provosh gjithçka. Sa herë që unë interpretoj atë rol, gjej gjithmonë diçka të re. Pra je në skenë duke kënduar jetën e dikujt tjetër, por përsëri bëhet fjalë për ndjenja njerëzore kështu që duhet të përpiqesh t’i gjesh ato brenda vetes.
Ju keni një aftësi për të dhënë kaq shumë skenës, si e shmangni ezaurimin emotiv?
Të duhet të lidhesh me njerëzit dhe një lidhje e tillë është e thellë në shpirtin tënd dhe muzika është gjuha e shpirtit. Ndonjëherë ne kemi frikë të jemi të ndjeshëm, por në skenë duhet të jemi. Për mua, ndoshta kjo është shprehia e lirisë. Ndjehem e lirë kur këndoj dhe prej këtu rrjedh energjia. Kur ndihem kështu nuk është e nevojshme të justifikoj asgjë. Sigurisht që nuk dua të ndihem e justifikuar, por kjo është e pashmangshme përballë mijëra njerëzve. Ju do të gjykoheni gjithmonë për mënyrën se si këndoni, për atë pasazh, ose për çfarëdolloj gjëje, por emocionalisht ju duhet të gërmoni brenda vetes ose nuk do të arrini kurrë të lidheni me njerëzit. Dhe arti është pikërisht ky. Nëse ju kontrolloni gjithçka, sepse keni frikë se do të ezauroheni emocionalisht, cili është qëllimi atëherë? Shpirti juaj duhet të jetë ‘lakuriq’ në skenë, ju duhet të jepni gjithçka.
Çfarë ju nxit ta lini veten të lirë në skenë?
Unë nuk shqetësohem për të interpretuar notën perfekte për askënd. Të kënduarit më ka shpënë gjithmonë në një dimension tjetër dhe sa herë që jam në skenë unë përshkoj atë hapësirë – është e dhimbshme, por e nevojshme. Performancat e mia nuk janë asnjëherë perfekte, sepse unë nuk i jap prioritet perfeksionit. Emocioni dhe gëzimi nuk njohin intonim. Sigurisht kompozitorët ju japin juve notat dhe një strukturë të posaçme për të kënduar, por vija finale është të komunikosh ndjenjat. Nëse unë nuk shkoj në këtë vend të thellë, nuk do të lidhem asnjëherë me njerëzit dhe publiku do të mund të dallojë shtirjen. Edhe pse mund të kesh një zë të bukur me një teknikë mahnitëse, pas 10-15 minutash juve do t’ju nevojitet diçka tjetër. Ndjeshmëria lidh njerëzit dhe mund t’ju bëjë të ndiheni të dobët, por kjo dobësi do të shënjojë pikën tuaj të fortë kur ta lini veten të lirë. Është kjo arsyeja për të cilën ne shkojmë në teatër, për katarsin. Mendja ime nuk i ka respektuar kurrë barrierat. Unë i besoj ëndrrës sime, zërit tim dhe qëllimeve të mia. Çdo gjë tjetër është sipërfaqësore.
A besoni se ndjeshmëria është çelësi i suksesit në çdo fushë?
Ne jetojmë në një shoqëri shumë gjykuese dhe sigurisht që ju duhet të njihni mirë zanatin që bëni dhe të jeni të përgatitur. Ju nevojitet një teknikë e mirë për të shprehur diçka përtej sipërfaqes. Ne nuk kemi pse të kemi frikë nga ndjeshmëria. Është pikërisht lidhja me njerëzit për të cilën përpiqemi. Asgjë në jetë nuk është e pamundur, por ne duhet të pranojmë veten për atë që jemi. Ne jemi njerëz. Njerëzimi ekziston edhe për shkak të papërsosmërisë.
Për ironi është aftësia juaj për t’u përshtatur me një ndjeshmëri të tillë që ju mbron nga “zhurma” e kritikës…
Kur kam qenë e re kam vuajtur shumë për shkak të fjalëve të njerëzve që më thonin se unë nuk mund të bëja këtë apo atë, mirëpo kur je e re aprovimi i çdokujt është shumë i rëndësishëm për ju. Megjithatë me kalimin e kohës dhe fitim të eksperiencës ju do të të kuptoni se jo të gjithë do të na pëlqejnë. Unë mësova se duhet të gjeja drejtimin tim dhe të dëgjoja zërin tim të brendshëm. Nëse ju bëni këtë, ju do të arrini në një pikë ku ajo që po bëni do të ketë kuptim edhe për të tjerët. Nëse ju e dini se ku po shkoni, ju mund të përballoni çdo kritikë, sepse ju i dini qëllimet tuaja.
Më thoni diçka më shumë rreth Shqipërisë dhe asaj që ky vend ju jep juve si një performuese?
Shqipëria ka qenë nën sistemin komunist për 50 vjet dhe ne ndiheshim sikur të ishim jashtë botës. Ka pasur shumë mbyllje. Të mendoje asokohe për t’u bërë një këngëtare opere dukej një ide qesharake. Unë e kam parë komunizmin si diçka që duhej thyer. Të bën të ndihesh kaq shumë e izoluar dhe vazhdimisht kam pasur ndjesinë sikur do të më duhej të shpërtheja në këto barriera dhe kufizime. Ndjenjat tuaja shtypen dhe grumbullohen brenda, dhe ju keni nevojë për t’i kanalizuar ato, dhe ishte pikërisht kjo të kënduarit. Në Shqipëri, çdo gjë jetohet në ekstrem. Nuk ka terren të mesëm – ju jeni ose të lulëzuar ose duke luftuar. Kam mbajtur një ditar përgjatë gjithë jetës sime dhe kur e lexoj tani më duket i mrekullueshëm. Kam shkruar se doja të këndoja një opera të caktuar në një shtëpi speciale, dhe kur kthej kokën pas kuptoj se ia kam dalë! Ishte oksigjeni im dhe unë kisha nevojë për të, që të jetoja. Kur vendosni kokën në atë hapësirë ju ndiheni sikur universi të jetë pas jush, duke shtyrë çdo pjesë tuajën që ajo të ndodhë. Askush tjetër nuk beson se kjo është e mundur, sepse çdokush ka rrugëtimin e tij. Vetëm ju mund ta çoni veten tuaj atje.
Cili qe momenti që ju bëri të largoheni?
Katia Riçiarelli mbajti një masterclass që ishte i hapur për të gjitha vendet në Mantova në Itali dhe kështu unë shkova. Kisha ëndrra të mëdha dhe xhepat bosh. Ishte shumë e vështirë, por ëndrrat e mia ishin shumë të rëndësishme dhe të mëdha saqë do të ishte më e vështirë të mos e bëja këtë sesa të vuaja për ta arritur. Unë punova si ‘babysitter’, bëra gjithçka duhej bërë për të vazhduar përpara. Të merrja dokumentet ishte një makth, por fatmirësisht u regjistrova në “Santa Cecilia” në Romë.
“Madam Butterfly”, “La Traviata” dhe “Suor Angelica” çfarë ju ka tërhequr vazhdimisht tek këto gra?
Të gjitha gratë kanë një fuqi të cilën unë e admiroj, por unë që fëmijë jam rritur me modelin e gruas shqiptare. Mënyra sesi ato sakrifikonin dhe mbronin çdo gjë që donin me jetët e tyre është diku brenda meje. Në këto personazhe unë arrij të shikoj atë model të gruas që sakrifikon çdo gjë në mënyrë të pakushtëzueshme. Ne jemi një arkiv ndjenjash përsa i përket momenteve të caktuara në jetën tonë dhe është pikërisht kështu që unë lidhem me këto role – gjithçka ka ndodhur në mënyrë shumë të natyrshme.
I riktheheni gjithmonë “bel canto-s”, përse?
Linja të gjata, melodi e bukur, teknika dhe orkestrimi janë gjithashtu kaq të qeta. Të lejon që të pikturosh me zë. Si një soprano ‘lycris’ është si një balsam për akordet e mia vokale. Më pëlqen shumë. Sapo gjej heroinat e mia dramatike, ndihem e lumtur. ‘Bel canton’ e gjen kudo tek Puçini, Verdi madje edhe tek Ëagner. Unë këndoj shumë stile, por kjo më ka ndihmuar shumë duke më dhënë shumë informacione dhe direktiva. Pas kësaj periudhe muzika u bë më e fuqishme dhe dramatika, u zhvillua. ‘Bel canto’ është fillimi dhe të mëson si të këndosh pa gabime, është më shumë natyrale për zërin, si një palestër vokale. Mund të përmirësoni gjithçka përmes ‘bel cantos’.
Gjatë ditëve që ju duhet të performoni, cila është rutina juaj?
Nëse do të më duhej të jap shfaqje ose jo, unë zgjohem në mëngjes dhe bëj ushtrimet e mia të frymëmarrjes. Nuk ka rëndësi nëse jam e sëmurë ose nëse nuk kam fjetur është kjo rutina ime pasi ka të bëjë me muskujt dhe qëndrueshmërinë. Së dyti, hap sytë për të kontrolluar nëse zëri është po aty. Në një ditë shfaqjeje unë shkoj atje dy orë më herët për të përvetësuar energjinë. Kam nevojë ta lë jashtë realitetin e përditshëm dhe të ndiej energjinë e skenës. Unë hyj në një botë tjetër dhe kam nevojë të punoj fort për ta arritur këtë. Ndihem ndryshe çdo ditë, kështu që bëj nxehmjen për të kuptuar se ku është zëri im në atë moment. Mandej shkoj për të përgatitur make up-in dhe kostumografin, por nuk flas. Do të ndihem aq e emocionuar, deri në pikën saqë kur jam duke shkuar drejt skenës kam frikë se mund të harroj fjalët. Kjo është çmenduri!
Por nëse ju ndieni një frikë të tillë, a nuk ju bën kjo edhe më shumë nervoze?
Absolutisht, do të ndihem sikur nuk po jap asgjë. Frika para shfaqjes vjen si një ngushëllim dhe ju duhet ta ndieni diçka të tillë – është si një qiri, ju keni nevojë për flakën e tij. Do të bëheni më mirë duke e kontrolluar, mirëpo do të keni gjithmonë nevojë për të. Nëse nuk e ndjeni atëherë jeni në telashe të mëdha.
Ju keni punuar kohët e fundit me ‘Opera Rara’, çfarë pëlqeni më shumë rreth kësaj kompanie?
Industria është një vend i vështirë dhe në ‘Opera Rara’ është sikur të jem në një familje. Ndihem e mbrojtur. Të performoj vepra të panjohura është një privilegj. Puçini është i njohur për “Madam Butterfly, “Suor Angelica” e me radhë, por operën e tij të parë “Le Ëillis” ju kuptoni se ku ai filloi. Është një operë e shkruar nga nja kompozitor i ri dhe ju mund të shikoni lëkundje të vogla të asaj që do të vinte tek “Tosca” dhe hitet e tij të tjera të mëdha. Nëse ju e injoroni historinë ju nuk do të kuptoni asnjëherë dhe nuk do të mund t’ia dhuroni ato ndjesi që keni perceptuar publikut. Nuk i krijohet asnjë stres, duke punuar me ‘Opera Rara’ arti vjen i pari, dhe kështu supozohet të jetë. Kompania i dhuron vepra të mrekullueshme botës – të bëjnë një muzikant më të mirë dhe një qenie më të mirë njerëzore.
Ju do të riktheheni në “Royal Opera House” për Traviatën në janar, çfarë kërkoni të arrini përmes këtij produksioni?
Traviatën, gjithmonë. Ëndrra filloi me këtë vepër. Debutimi im në 2008-ën në Londër ishte “La Traviata” në Royal Opera House dhe bëra një kërcim, kështu që do të ishte e këndshme të kishim më shumë njoftime kësaj here (qesh). Lidhja me audiencën e Londrës është shumë e rëndësishme për mua dhe që kur debutova u ndjeva sikur të jem rritur kaq shumë me një gamë tërësisht të re emocionesh. Mezi e pres!
Ju admironi Maria Callas, përse?
Mund të jetë për shkak të mënyrës ballkanike apo mesdhetare, por gjithçka është më e fortë. Kur ju dashuroni dhe urreni çdo gjë është më e fortë – vrasja apo dhënia. Ajo shkoi përtej zërit dhe notave. Ajo i dhuroi ngjyrat e shpirtit zërit të saj dhe ishte si një “kafshë” në skenë. Mendoj se duhet të jeni pak e vuajtur për të arritur thellësinë e nevojshme për këtë punë dhe sfida është të mësoni se si ta kanalizoni këtë. Ajo e bëri dhe unë kam qenë mjaftueshëm me fat të mësoj se si të bëj të njëjtën gjë.
Çfarë ka tek i kënduari që ju mban kaq të lidhur?
Mendoj se jam e prirur për të dhënë emocionalisht. Kur ju jepni krijoni një shkëmbim energjie dhe unë jetoj për këtë.
Ju keni një energji që është shumë e dukshme duke bërë që çdokush të nxjerrë më të mirën nga vetja…
(Qesh) Kur ju jeni duke krijuar një operë është puna e një skuadre të tërë që bën të mundur rrëfimin e një historie. Ke vetëm pak orë për të komunikuar këtë histori dhe ne duhet të jemi të gjithë të lidhur për ta bërë atë një eksperiencë të çmuar. Nëse ne mendojmë në mënyrë individuale, dhe nuk i kushtojmë rëndësi asaj që kolegu këndon, arti vdes. Është një punë në skuadër! Ne marrim dhe japim energji njëri-tjetrit. Kjo është e mrekullueshme! Ju mund të ndieni energji negative dhe pozitive unë e ndiej diçka të tillë, si të isha një mace. Përshtati në shqip:Anila Dedaj