Epidemiologu Ilir Alimehmeti, në një lidhje me skype për Fax news është shprehur se lloji i ri i koronavirusit që është shfaqur në Britani nuk përbën asnjë rrezik shtesë për situatën globale të pandemisë. Alimehmeti tha se janë rreth 4 mijë mutacione që janë në qarkullim, dhe ai që është bërë dominant në disa zona të Britanisë nuk është provuar që të jetë më i rrezikshëm nga pikëpamja klinike.
“Janë rreth 4 mijë mutacione, dhe ky është i vetmi që ka bërë xhiron e botës me lajme, sepse u përmend nga Ministri i Shëndetësisë. Nuk ka asnjë informacion që ky është më i rrezikshëm, rreth 20% e viruseve janë të këtij natyre. Virusi ndryshon përherë formë sapo njëra prej tyre të jetë më dominante se të tjerët, bëhet mbizotëruese në popullatë. Nga pikëpamja e klinikës nuk ka të dhëna që të jetë më i egër”, u shpreh Alimehmeti.
Sa i takon një karantine të dytë që po vendoset ndaj Britanisë së Madhe, Alimehmeti u shpreh se kjo është provuar që nuk jep zgjidhje, sa kohë që bota ka shkëmbime të jashtëzakonshme nga një vend në një vend tjetër. “Është një mutacion ndër 4 mijë që qarkullojnë, unë mendoj se nuk ka vend për një karantinë të re. Sa kohë që nuk kemi të dhëna për rrezikshmërinë e tij nuk ka arsye për marrjen e masave të tilla. Sot që flasim në një zonë të vogël të Britanisë, ka arritur që ky lloj virusi të jetë në 1 ndër 5 persona, por kjo nuk do të thotë se ka rrezikshmëri më të lartë. Është një frikë e pabazuar në të dhëna, se nëse ky virus do të ishte kaq i transmetueshëm, është vetëm çështje kohe që fluturimet të rihapen përsëri. Të gjitha shtetet po përpiqen që të ruajnë sa më shumë të munden ditët e festave. Nuk e bllokon dot ndalimi i fluturimeve daljen e virusit nga Britania e Madhe”, tha epidemiologu.
