Categories Kulture, Opinion

Fshati Vajzë i Vlorës që s’ka të dytë! Ai që të pret me një poezi në vend të mirëseardhjes

Nga Rudina Xhunga

Kur hyn në rrugën e re të Lumit të Vlorës, sapo lë pas fshatin Kotë, merr rrugën e Sevasterit dhe ndërsa makina lundron mes një hapësire gjithë vreshta dhe stane, të del para një tabelë ku shkruan Vajzë. Ke hyrë në fshatin që të pret me një poezi në vend të mirëseardhjes: “Fshat o fshati im i bukur, fshati im hane, hane, fshati që s’paska një të dytë, në këtë mavri jallane.” Është Ali Asllani, djali i fshatit Vajzë që i ka shkruar vendlindjes, poezi dashurie dhe fshati ia ka vënë portretin dhe poezinë në balle të vendit. Diku më tutje një shtëpi, afër bustit të Perlat Rexhepit, gjithë lule e fiq, ku më ftojnë të hy

Është Jaho që më tregon gjithë historinë e Vajzës, ndërsa na qeras me domate e speca bahçeje. “Kur po ndaheshin kufijtë e fshatrave, shumë kohë të shkuara, atëherë kur një fshat kishte vetëm një shtëpi, u vendos që çdo shtëpi të çonte një djalë. Djemtë do të ecnin derisa të lodheshin. Aty ku do të ndalonin, do qe kufiri i fshatit. Fshati ynë kishte një shtëpi pa djem. Dërguan një vajzë. Vajza eci si gjithë djemtë. Fshati mori emrin e saj, ishte fshati i asaj vajzës. Fshati Vajzë.” Jaho më tregon, ndërsa vajza e tij dëgjon. Ajo është në shkollë në Tiranë. Më thotë se më ndjek në Instagram. Ndërsa vëllai i Jahos që ka ardhur nga Vlora të mbledhë shkopinj që i duhen për ullinjtë, më thotë se tani vjen shpesh nga Vlora. “Rruga më dha jetë të dytë. Vija një herë në vit. Tani mund të vij përditë. Nuk e di dot ç’është një rrugë, kur nuk të mungon.”

Vëllai i Jahos flet më shumë për Perlat Rexhepin, Ali Asllanin dhe gjithë historitë e fshatit, sa mendova se kishte qenë mësues letërsie. “Jo, jo, -kam qenë marangoz thotë. Po jam nga Labëria. Si thotë Rexhep Qosja për Labërinë; është zemra e shqiptarisë.” Duan patjetër të më mbajnë për drekë, po u them që drekë do të ha në shtëpi, me perimet e bahçes së tyre. Marr me vete gjithë perimet e drekës dhe nisem për në Amantia, 5 kilometra më tej.

Pak më tutje, një djalë me motor na ndalon dhe na lut të shkojmë te Shpella e Vajzës, para se të vazhdojmë për Amantia. Se nuk keni parë kafe si ajo, mburret ai me kafen e fshatit, e gjitha e improvizuar brenda një shpelle të vjetër, rrethuar nga një liqen artificial, përbri të cilit është baxhoja me djathë deleje dhe fuçitë me rrush që presin të bëhen raki. Unë kërkova kuleçë me djathë dhe erdhën për pak. I keni nga shtëpia na thanë, se është dhe shtëpia juaj. Rruga për në Amantia është një panoramë më vete. Ka nisur vjeshta në ato male plot stane që një ditë, në mos që vitin tjetër do të jenë sofrat më të kërkuara të turistëve që lahen në Qeparo e Dhërmi.

Në Amantia gjejmë Arbrin që na shoqëron te stadiumi i qytetit që dikur  kishte 40 mijë banorë. Sipër është kalaja ku shkohet me makinë, ndërsa përballë një vend i mirë, ku shkohet me kuaj. Alana luante nëpër gurë mijëvjeçarë, sikur kishte lindur aty. Energjia e mirë e të kaluarës tonë, tërheq fëmijët, më parë. Kur e lamë Arbrin për t’u kthyer sërish në Vajzë dhe mbushur ujë burimi, pastaj në Kotë, Drashovicë te një nga monumentet më të bukura të luftës dhe ura e famshme e Drashovicës derisa pa u ndjerë arritëm në Vlorë. Ishin vetëm 34 kilometra nga Amantia në Vlorë dhe po nuk ke ndonjë plan fundjavën tjetër të ftoj ta bësh këtë rrugë. Se vitin që vjen, nuk do e gjesh më si këtë vit, me këngë gjelash dhe muzikë burimesh, dele që pushojnë poshtë ftonjve dhe rrush që varet në tokë. Shko, se mot nuk do e gjesh më këtë idil! Mot do të jetë plot me kampera, me autobusë me turistë, me stane ku do të ketë më shumë njerëz se qengja, me festa përditë tek Amantia.

Kur u ndanë kufijtë ishte fshati i asaj vajzës, do të dëgjosh Jahon t’ia tregojë historinë pa u lodhur çdo turisti që do të fotografojë dhe pyesë prapë e përsëri. U ktheva në Vlorë pasi hëngra mëngjes në Vajzë dhe bëra drekën me perimet e bahçes së Jahos. Dhe jo sikur hëngra domate, po sikur kisha lexuar poezi gjithë ditën, nuk reshta dot së i kënduari  vargjet e Ali Asllanit: “Fshat o fshat hane, hane, fshat që s’paska të dytë në këtë mavri jallane.” Poeti e dinte, po nuk e tregove, nuk është. Tregimi për Vajzën do e bëjë zemrën e festës, vitin që vjen. Ndaj shko, pa nisur festa!(dritare.net)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Takimi  i pa harruar  me Kadarene, Nga Arben  Meksi

Takimi  i pa harruar  me Kadarene Botuesi  i vepres se  Ismail Kadarese ,Bujar Hudhri,here pas…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Shoqëria “sugar daddy”!

Nga Xhensil Shkëmbi Këtë term e kisha dëgjuar, e dija çfarë ishte por deri dje…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Fest Folk 2024 “Sofra Konispolate”, nata e dytë me dhjetra grupe artistike nga Konispoli, Saranda, Delvina, si dhe nga mbarë Shqipëria dhe Kosova

Për dy netë radhazi, me nismën e bashkisë së Konispolit dhe mbështetjen e Këshillit të…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Në Pallatin e Kulturës “Labëria”, u zhvillua faza finale e festivalit “Gurra Folk Fest”, edicioni i VI

Për të gjashtin vit radhazi, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në koordinim me Drejtorinë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME