Hulumtuesit e kompanisë amerikane “Google” thonë se e kanë arritur të ashtuquajturën “supremaci kuantike”, e cila do të ishte një zbulim i madh që do ta ndryshonte historinë e teknologjisë së sistemeve kompjuterike. Shkencëtarët thanë se kanë arritur ta kryejnë një operacion kompjuterik me kompjuterin “quantum”, i cili nuk do të mund të kryhej duke i përdorur kompjuterët e zakonshëm.
Kompjuterët kuantikë në teori mund të kryejnë punë shumë më shpejt sesa kompjuterët që i përdorim sot dhe madje do të mund ta ndryshonin mënyrën se si e kuptojnë kapacitetin e makinave teknologjike. Megjithatë, inxhinierët e kompanisë “IBM” e kanë kritikuar kompaninë “Google” lidhur me deklaratat për zbulimin e ri, duke thënë se ai nuk është ashtu siç është premtuar. Megjithatë, kjo gjetje është publikuar në revistën prestigjioze “Nature”.
Përmes një deklarate, kompania “Google” tha se kompjuteri i njohur si “Sycamore” mund ta kryejë një detyrë për 200 sekonda, e cila përmes sistemit të vjetër do të kryhej për 10 mijë vjet. Në deklaratë thuhet: “Kjo rritje dramatike e shpejtësisë në krahasim me algoritmat klasikë është një realizim eksperimental i supremacisë kuantike për këtë operacion specifik kompjuterik”, shkruan “Independent”