Categories Kulture

Histori shqiptarësh me famë në historinë mbarë europiane

Nga Ndriçim Kulla

Një komb që të ketë tagër për pavarësi politike, s’mjafton që të jetë i sundueshëm, ose i pajisur me cilësi mendore e praktike që e bëjnë të aftë jo vetëm për dobitë por edhe për barrët e vështirësitë e jetës shoqërore moderne, por lipset që në gji të tij të ketë sundimtarë të zotë që ta drejtojnë anijen e shtetit nëpër trazimet e mëdha të kohës dhe politikës.  Në këtë kuptim, një komb duhet të ketë njerëz të aftë për ketë drejtim të vështirë, njerëz që me cilësinë e tyre e jashtëzakonshme të dijnë të mbajnë rend e qetësi përbrenda, dhe çmim e nderim përjashta.

Përsa i përket Shqipërisë, me të gjitha dyshimet e rezervat e kundërshtarve të vjetër e të rinj, pa droje përgënjeshtrimi mund të pohojmë me siguri se historia e Shqipërisë është një histori personalitetesh, që kanë arritur të shpalosin kudo mentalitetin e saj të spikatur juridik, duke qenë në gjendje t’i dhurojë botës sundimtarë të vlertë e të pashoq! Shqiptarët qenë dhe mbetën të dalluar në shekuj nga fqinjët e tyre, qoftë për kulturën e tyre shpirtërore ashtu dhe atë materiale. Edhe në thellësi të shekujve, studiues të tjerë autoritarë vlerësojnë se “në parahistori ilirët, tashmë të gjithëpranuar si të parët e shqiptarëve, ishin kulmi i kulturës europiane”.

(11) Ndriçimin e rrethanave të zhvillimit të arsimit dhe edukimit në këtë periudhë historike, mund të na e ndihmojë shkenca e arkeologjisë, edhe pse që nga shekulli i parë p.e.s kur ndodhi dhe shkatërimi i shumë qyteteve ilire, ndodhi edhe dëmtimi i shumë gjurmëve të kësaj kulture. Hulumtimet e shumta dokumentojnë se dëshmitë e shkrimit ilir janë zhdukur, sepse materialet që ishin përdorur në atë kohë ishin të paqëndrueshme. Është argumentuar, gjithësesi, se në Nikoja dhe Antigone kishte njerëz të ngarkuar me punën e mësuesit. Duke gjykuar p.sh. “në bazë të një guri varri të mësuesit Mark Lukari nga Apolonia, që ka jetuar në shekullin II dhe I p.e.s., shohim të skalitur pjesët e punës të nxënësit dhe mësuesit…”.

(12)“Asht e pamundun të ringjallim këtu historinë e atyne kohve të lashta, por nji gja qi s’mund të lehet pa e përmendun asht se edhe ajo kohë thjesht ilire s’ka qenë si e përshkruejnë armiqt e Shqipnisë, por e ka pasun edhe ajo nji farë lulzimi e qytetnimi qi dëshmon aftsitë e mundsitë e mëdhaja të racës ilire”.

(13) Kështu do të shkruante Zef Valentini në veprën e tij të vlertë “Shqipërija etnike”(1944), duke saktësuar edhe një fakt mjaft interesant mbi shkallën e ndryshme të përparimit së kulturës së fiseve të shumta ilire në fillim të shek. III para Krishtit . “Kah vitit 300 para Krishtit, shkruan C. Becker, “Ilirët e Shqipërija Veriore kishin nji shkallë kulture më të lartë se Ilirët e Epirit. Kur Pirroja ( rreth vitit 290 p.k.) merr pjesë në dasmën e djalit të madh të Glaukut, Mbretit të Shkodrës, ai mbeti i mahnitur… jo vetëm nga jeta ekonomike e cila ishte në një lulëzim të madh, por edhe nga zhvillimi i shkencave dhe arteve. Madje Pirroja  gjeti në Shkodër disa piktura e trupore t’auktorëve nga më të përmendurit e Greqisë….”

(14) Kjo vizitë në kryeqytetin e Ilirëve qe nji nxitje e madhe për të, ndaj me t’u ngjitur në fron t’Epirit, ai  i dha shkas një lëvizjeje të jashtëzakonshme zhvillimi material dhe kulturor të kësaj zone. “Themeloi”, përsëri sipas C.Becker, “tri soje bujarije: bujarinë e armve, bujarinë e pasurisë e bujarinë e shkencave dhe të arteve. Këta tituj ishin vetjakë dhe u jepeshin vetëm atyre që ishin gjykuar të zotë e të denjë nga tri Akademitë përkatëse. Ndërtoi edhe do treme të posaçme, ku filozofët mundnin të  mësonin shkencat dhe moralin, duke u porositur të përdorin në mësim të tyne gjuhë ende të gjalla, pse, thonte, s’leverdis me mbushë e me lodhë mendjen e nxënësve me gjuhë të vdekura! “Kjo ishte shkalla e lartë e përparimit dhe e kulturës së Epirit në fillim të shek. III para Krishtit, e prej saj mund të kuptojmë edhe gjendjen e lulzueshme të mbretërisë ilire të Shkodrës, mbasi Pirroja e gjeti më të përparuar se Epirin dhe, nga shembulli i Shkodrës, u frymëzua në veprimtarinë e tij rigjallëruese”.

(15) Mbështetur në gjetjet epigrafike, arkeologjike dhe veprat e autorëve antikë, studiuesit shqiptarë kanë arritur të strukturojnë edhe sistemin edukativ dhe arsimor të ilirëve. Besohet se ky sistem kishte ngjashmëri të mëdha me Athinën antike, ku  vëmendje e veçantë i kushtohej edukimit ushtarak, intelektual dhe atij të punës. “Dëshmi të shumta historike flasin se në epokën e tyre më të përparuar, ilirët  kishin edhe universitete antike, si në Apoloni, Butrint e Durrës. P.sh. në Skolinë Eleniste të Apollonisë në vitin 44 p.er.s. ishte student nipi i perandorit Jul Cezar, Kajo Otaviano, “ngase në këtë shkollë jepnin mësim dijetarët më të zotë të kohës”.

(16) Ciceroni Durrësin e cilësonte si “qytet i madh hijerëndë”, e besohet se ne të kishte edhe një shkollë të filozofisë dhe oratorisë.

Edhe pas pushtimit, falë trashëgimnisë së tyre kulturore, romanizimi i ilirëve ishte i ngdalshëm, por i shoqëruar me një ndikim të fuqishëm të kulturës dhe shkrimit latin, çka do të ndikojë shumë edhe në formësimin e tyre përgjatë këtyre shekujve. Dy trajektore të rëndësishme historiko-kulturore, ose ndryshe, dy periudha të gjata historike të njëkulture të caktuar, do të spikasin në forcimin e komponentëve të epërm shpirtërorë dhe administrativo-juridikë, brenda mentalitetit të tyre të pasuruar nga “kodi burimor etnik”.  “Ajo çfarë kanë qenë për nji kohë të gjatë Shqiptarët për Perandorinë Otomane”, shkruan i përmenduri historjan german Theodor Mommsen, “kanë qenë të Parët e tyre për Perandorinë Romake, kur kjo e fundit pat mbritur  në nji pikë shkatërimi dhe barbarie të pazakontë”.

(17) Rindërtimi ilirik i Perandorisë Romake nuk ishte tjetër veçse mbajtja në këmbë ushtarakisht e një Perandorije plotësisht të përdhosur prej qeverimit të keq të krerëve të dalë prej fiseve bujare”. “Pas krizës së madhe të shekullit III” , shkruen F. Zeiller, “erdhi dita në të cilën burrat e dalë nga këto krahina të luajnë njërol kryesor në Perandori e kërcënuar romake; me zotësinë e tyre ata dijtën t’a shtyjnë rrënimin e saj”.

(18) Perandorija do të zhdukej, e në qoftë se ndejti në këmbë për gati një shekull, i detyrohet rimëkëmbjes ilirjane të qeverisë perandorake. “Perandorët Ilirë”, shkruanUeber, “ishin burra plot energji, bijtë e Ballkanit, të malevet të tij të egra (të Ballkanit) … të cilët prunë me vehte gjakun e ri, parimet e reja e veprat e reja…. Ata nuk qenë njerëz klasikë; ata shikonin  gjithçka nga pikpamja luftarake… pse vetëm me shtrëngesë e rreptësi mund të mbaheshin të bashkuara ato që lirija dhe qytetnimi kishin shkëputë prej njëra-tjetrës…E në qoftë se nuk donin t’ia dinin  për hollimet e bisedimet e përparshme të Senatit dhe vetëm rrallë interesoheshin për bukurinë e kulturës së moçme, arsyja ishe se ata nuk patën kohën e nevojshme e se ai lulzim asokohe ishte vyshkë”.

(19) Më i njohuri prej tyre, përgjatë gjithë kësaj periudhe, ishte Konstandini i madh.  Shartimi i Krishtërimit me shtetin romak dhe themelimi i Konstantinopojës kishin për të mjaftuar t’a shënjonin si të madhërishme fytyrën e ndritur të Konstantinit. Por ai ka dhe shumë meritime të tjera. “Plotësoji  veprën e Dioklecjanit duke realizuar  atë organizim qytetar e ushtarak, që do të qëndronte për shekuj të tërë në pjesën lindore të Perandorisë”.

(20)  Ai pat lindur ndër krahina tona, në Nish (Naissus), në vitin  280, e prandej qe ilir, ashtu siç qenë ilirë një plejadë e tërë Perandorësh Romakë përpara tij, si Deci (249-251), Klaudi II (268-270), Aureljani (260-275), Probi (276-282), Maksimjani, Dioklecjani (284-305) e Konstanc Klori, babai i Konstantinit. Mirëpo ky varg i gjatë, nuk përfundoi këtu. As vepra themel-hedhëse e Konstandinit nuk mbeti pa vijim. Nëse Perandorija Romake e Perëndimit u zhduk prej sulmeve të barbarëve, në fron të Konstantinopojës që ai ndërtoi me shpejtësi dhe përuroi me bujë të madhe që në vitin 330, do të  shkëlqente Justinjani I (527-565), kënduar edhe nga Dante Alighieri në kryeveprëne tij “Komedia Hyjnore”.

Veprat e këtij Perandori janë përnjimend të mëdha e të pamorte. Më e para prej tyre është kodifikimi i tagrit romak. Kjo punë kërkoi shqyrtimin e mëse 2000 librave dhe 3.000.000 teksteve, për të arritur në përpilimin e Corpus Juris,  që është themeli i jurisprudencës moderne. Në ketë vepër vigane Justinjani, nën ndikimin e Krishtërimit, zbuti shumë pika të tagrit të moçëm, si atë të pushteti atëror, përmirësoi gjëndjen e gruas dhe shpalli barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit. EdheJustinjani qe gjak ilir. Ndokush e pretendon të jetë sllav, por pa kurrfarë baze, pasi Jeta e Justinjanit prej kah nxirret ky fakt, është nji vepër e vonshme, botuar në vitet e para të shek. XVII, e pa kurrfarë vlere historike, siç e ka dëshmue J. Brice dhe siç është  pranuar tashmë nga të gjithë studiuesit e sotshëm.

Një shpjegim shkencor për origjinën e Justinianit, ka dhënë edhe Zef Valentini, kur thotë: “Vetë historiani i madh  modern rus A. A. Vasiliev (nji sllav pra, e prandej pa sympati të shtyeme për Shqiptarë), në veprën monumentale me titull L’Histoire de l’Empire Byzantin, i pshtetun ndër burime të moçme e të sigurta, thotë me siguri se  tre Perandorët Byzantinë Justini I, Justinjani e Justini II, që mbretëruan ndër vjet 518-568, kanë qenë ilirë a shqiptarë…këta Perandorë kanë lemun nga nji familje bujqish në nji katund afër Shkupit, qi atëherë shkonte me Maqedoni, e ato vende, si kemi pa ma nalt, ishin banue nga popullsi ilire. Prokopi na tregon se Justinjani tue dashtë t’a shndrrojë në nji qytet të lumnueshëm vendlindjen e tij Tauresium, ndër rrethe të Skupit në Dardanje, i a ngjiti emnin Justinjana Prima, dhe e bani qënder të Prefekturës dhe seli metropolitane për dioçezat e Illyrikut lindor. Po të kishin lindun këta Perandorë në ndonji vend popullsije të përzime, a t’ishin qenë bir të ndonji zyrtari a oficeri, ndoshta mund të dyshohej për xanafillen ilire të tyne, por tue qenë bir katundarësh, çdo dyshim asht i pa arsyeshëm dhe i pa temel. Justinjani, pra si edhe ungji e nipi i tij Justini I e Justini II janë sigurisht gjak ilir e me veprimtari të tyne provojnë mundësitë politike të rracës arbnore ».

Referencat

11-Kauziho Yamamoto »The Ethical Struktur Oh Homeric Society »,2002

12-Lufti Alia »Kodi i se drejtes zakonore shqiptare(3) Albsprit

13-Gjergj Fishta « A jane te zot shqiptaret me mbajt shtet per vedi,Hylli Drites,1913

14 – Bumci,Shqiptaret dhe te drejtat e tyre,fq 14

15-Rose Wilder Lame Majat e Shales ,1922

16-Lufti Alia  Kodi i se drejtes zakonore shqiptare(3) Albsprit

17- Kauziho Yamamoto »The Ethical Struktur Oh Homeric Society »,2002

18- Lufti Alia  Kodi i se drejtes zakonore shqiptare(3) Albsprit

19-Kauziho Yamamoto »The Ethical Struktur Oh Homeric Society »,2002

20- Po aty

21-G.Valentini,Studime dhe tekste juridike ll,fq 140

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Befason Ema Andrea, aktorja nderohet me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”

Aktorja shqiptare, Ema Andrea është shpërblyer me çmimin prestigjioz italian, “Premio Adelaide Ristori 2025”, për…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Takimi  i pa harruar  me Kadarene, Nga Arben  Meksi

Takimi  i pa harruar  me Kadarene Botuesi  i vepres se  Ismail Kadarese ,Bujar Hudhri,here pas…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Fest Folk 2024 “Sofra Konispolate”, nata e dytë me dhjetra grupe artistike nga Konispoli, Saranda, Delvina, si dhe nga mbarë Shqipëria dhe Kosova

Për dy netë radhazi, me nismën e bashkisë së Konispolit dhe mbështetjen e Këshillit të…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Në Pallatin e Kulturës “Labëria”, u zhvillua faza finale e festivalit “Gurra Folk Fest”, edicioni i VI

Për të gjashtin vit radhazi, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në koordinim me Drejtorinë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME