Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka bërë thirrje për turizëm patriotik, ndërsa është shprehur optimist për hapjen e sektorit të turizmit dhe ringritjen e tij të shpejtë. Gjatë një interviste televizive, Klosi, nënvizon se muajt e parë të vitit ishin shumë optimistë sa i takon turizmit, por pandemia e frenoi entuziazmin.
“Shpresoj shumë që situata të jetë nën kontroll sa i takon pandemisë. Në rast se gjërat do të jenë kështu, do kemi një hapje të sektorit të turizmit, jo vetëm për kënaqësinë e të bërit turizëm, por dhe si nocion biznesi dhe njerëz të punësuar në të. Në 18 maj është vendosur hapja e bareve, restoranteve që ofrojnë shërbimet në ambientet të hapura dhe më pas do shohim mundësinë për të hapur fluturimet charter për të sjell turistë të huaj në vendin tonë. Dhe brenda disa rregullave për të jetuar së bashku me pandemisë do kemi hapje sektorit të turizmit dhe plazhit. Shpresojmë shumë të mos kemi kthim në masave shtrënguese dhe të hapjes me pikatore të çdo aspekti të jetës së vendit”, – tha Klosi.
“Për sa i përket inspektimit të masave, jo vetëm në plazhe, por të të gjithë rregullave të pandemisë është ngritur një taskforcë me përfaqësues nga të gjitha institucionet, që do të monitorojë këto rregulla. Është e pamundur që të realizohet kjo me monitorim, ka një aspekt shumë të rëndësishëm për ndërgjegjësimin e qytetarëve. Ka një ndërgjegjësim të shtuar dhe shpresojë që rregullat e vendosura të zbatohen. Zbatimi i këtyre rregullave na ndihmon në mosshpërndarjen e pandemisë dhe mospërhapjen e COVID-19”, – vijoi Klosi.
“Vitit 2020 nuk është një vit për t’u mbajtur mend për sa i takon biznesit. Është një vit që do të kërkojë sakrifica nga shoqëria. Do të ketë dhe problematika që lidhen me biznesin. Një pjesë e këtyre janë dhe masat për të dhënë garanci për ata që duan të bëjnë turizëm, që duan të shkojnë në lokal dhe që kanë një certifikatë cilësie e sigurie në përmbushje të masave. E gjithë biseda është e disa palëve, me disa medalje, ku ana kryesore është jeta e njerëzve. Ne kemi shpërndarë me mijëra adresa e-mail-i, që kemi nga strukturat akomoduese, hoteli, shoqatave që menaxhojnë interesa të komunitetit. E gjithë situata dhe përpjekja është të sigurojmë dhe garantojmë jetën e njerëzve”, – shtoi Klosi.
“Ne akoma jemi në një nga fazat e menaxhimit të pandemisë dhe tragjedisë natyrore që ka ndodhur në vendin tonë dhe të gjithë botës. Pritet që e gjithë bota turistike të goditet 20-30% në shkallë botërore dhe të kthehemi disa vite më parë në krahasim me 2019. Kam bindjen se në Shqipëri mund të kemi një rigjenerim më pozitiv se në vendet e tjera”, – tha Klosi.
“Krahasuar me vendet e rajonit, kjo është përpjekja dhe hapja e parë që do të ndodhë dhe kjo është një nga favoret që ka turizmi shqiptar, pasi te ne, krahasuar me vitin 2019, mbi 80% e turistëve vijnë nga toka, dhe 9% vijnë nga deti, pra mbi 89% janë pa avionë, kjo është shumë pozitive, pasi s’ka nevojë të vendosen linjat ajrore. Ne po punojmë të jemi agresivë në këtë sektor. Kemi jo vetëm me vendet e rajonit bisedime, por ashtu me qeverinë çeke, që kemi një dakordësi për të pasur më tej një vendimmarrje, që të kemi disa linja më të shpejta. Ashtu si kemi me vendet skandinave, me Ukrainën, Bjellorusinë… etj., pasi me këto shtete kemi një turizëm të konsoliduar. Kemi një pëlqyeshmëri nga turistët e këtyre vendeve dhe ata janë të gatshëm që në fillim të nëntorit të fluturojnë në vendin tonë. Në rast se do garantojmë këtu në Shqipëri distancimin social dhe të menaxhimit të situatës, testimit të stafeve, të bareve, restoranteve, hoteleve… Mbi të gjitha është çështje besimi mes turistit dhe hotelierit, është dhe ndërgjegjësimi, ku lufta me armikun e padukshëm nuk është një luftë individuale, por i gjithë komuniteti duhet të veprojë si një i tërë”, – u shpreh Klosi.
“Vitin e shkuar kanë ardhur 6.4 milionë turistë të huaj në vendin tonë. Është e pamundur të kemi të njëjtin fluks. Në qoftë se do ta arrijmë të kemi më pak se 20-30% minus do jemi nga vendet që do ta rikuperojmë më shumë. Më vjen keq kur e mendojmë se në janar e shkurt ishim me entuziazëm, pasi shifrat ishin shumë pozitive, në janar ishin 17,5% më shumë qytetarë me pasaportë të huaj që erdhën në vendin tonë, ndërsa në shkurt 18% më shumë sërish. Pra ishin muaj të parë premtues që të kishim vit të suksesshëm”, – vijoi Klosi. Ministri Klosi u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë për turizëm të brendshëm, që të ndihmojnë ekonominë e turizmit në vendin tonë, duke theksuar që Shqipëria ka shumë vende të bukura që jo të gjithë i kanë vizituar.
“Le të jetë kjo edhe një thirrje e sinqertë dhe patriotike për të ndihmuar një industri që merr goditje të mëdha këtë vit. Pothuajse të gjithë hotelet shqiptare janë në investime duke u rindërtuar për turizëm. Për të ndihmuar bizneset, pse jo, të mos vizitojmë Shqipërinë. Janë të gjitha mundësitë. Do të kemi një fushatë për sa i përket turizmit të brendshëm, por edhe ai rajonal të drejtohet drejt vendit tonë”, – u shpreh ministri Klosi.
